HomeAktualitetVotimet e "30 qershorit"/Çfarë pritet nga Gjykata Kushtetuese

Votimet e “30 qershorit”/Çfarë pritet nga Gjykata Kushtetuese

spot_img

Kërkesa për pavlefshmëri për 30 qershorin ku PS mori 60 bashkitë e vendit, është dorëzuar në korrikun e 2 viteve më parë nga kryetarja e Shoqatës së Bashkive Voltana Ademi, dhe është mbështetur nga opozita dhe Presidenti. Shkelja e dekretit të Metës, dhe regjistrimi jashtë afateve kushtetuese të Bindjes Demokratike janë dy shtyllat kryesore, por asaj i bashkëngjiten dhe parregullsi që u vunë re në 30 qershorin e 2019-ës. Deri më tani janë pesë bashki pa kryetar në të gjithë vendin. Në rast të një vendimi për pavlefshmëri, atëherë presidentit i duhet të caktojë një tjetër datë zgjedhjesh, brenda afateve që do të caktojë gjykata.

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 23 qershor që të zhvillojë seancën për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Padia për pavlefshmëri është dorëzuar nga Shoqata e Bashkive dhe i janë bashkangjitur dhe opozita apo institucioni i presidentit. Kujtojmë që PD, LSI dhe Aleatët kanë bojkotuar zgjedhjet lokale, ndërkohë që u ngritën jo pak aktakuza për votime nga e njëjta dorë, mosrakordim të fletëve të votimit me numrin e votuesve, shkelje e dekretit të presidentit, shkelje e privatësisë së votës etj.

Kërkesa

Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi, më datë 17 korrik 2019 së bashku me juristin Jordan Daci depozitoi kërkesën ankimore në Kushtetuese, pavarësisht se ky institucion aso kohe ishte jashtë funksionit. Ankimi i dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhjeve pa dekret të Presidentit dhe po ashtu, edhe me regjistrimin e Bindjes Demokratike jashtë afatit. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht gjithë administratën zgjedhore që u angazhua me procesin e 30 qershorit në Lezhë. Ankimimi në gjykatë ka të bëjë kryesisht me Konstatimin antikushtetues të procesit të 30 Qershorit.

Verifikimin e kushtetutshmërisë së Bindjes Demokratike lidhur me regjistrimin e saj për 30 Qershorin. “Si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, më 17 korrik 2019, kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë lidhur me procesin e 30 qershorit. Konkretisht, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka kërkuar: Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/ procesit zgjedhor të zhvilluar më 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe si rrjedhojë, konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve; Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019 në përputhje me germën “d” të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ne e dimë se sot Gjykata Kushtetuese është jofunksionale, por duke besuar te drejtësia dhe duke marrë parasysh edhe sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, ne jemi të vendosur të vazhdojmë reagimin tonë institucional përmes rrugëve kushtetuese dhe ligjore”, do të deklaronte Ademi.

Dekreti

Më datë 5 qershor, vetëm disa ditë pasi kishte filluar fushata elektorale Presidenti i Republikës Ilir Meta, shfuqizoi dekretin e nëntorit 2018, për të dekretuar një datë të re zgjedhjesh, atë të 13 tetorit 2019, pra rreth pesë muaj më pas. Kushtetuta e republikës ia njeh të drejtën presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve, por mazhoranca nuk pranoi të zbatonte dekretin e Metës, megjithëse pas disa ditësh ky i fundit hyri në Fletoren Zyrtare. Në kulmin e debatit juridik dhe politik, Rama deklaroi se zgjedhjet do të zhvilloheshin më 30 qershor, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e politikës u deklarua pro dekretit të Presidentit.

E vetmja që mori pjesë në zgjedhje nga partitë opozitare ishte ajo e Astrit Patozit, e cila megjithatë nuk mundi të nxirrte më shumë se 30 kandidatë në të gjithë vendin nga 61 bashki. Më datë 30 qershor elektorati i majtë, iu drejtua kutive, duke pasur në 50% vetëm një mundësi zgjedhjeje në fletën e votimit. Parimi i fshehtësisë së votës u shkel, pasi ishte e dukshme se në të paktën 30 bashki dihej se për kë e kish hedhur votën zgjedhësi. Nga ana e saj KQZ, megjithëse duhej të kish zbatuar dekretin e presidentit, vazhdoi punën për përgatitjen e zgjedhjeve dhe jo vetëm kaq. Megjithëse në fund, u vu re qartë votimi në grup apo në procesverbale, firma nga e njëjta dorë, apo raportime për presione në të gjithë vendin, sërish ajo certifikoi zgjedhjet e padekretuara, të cilat në raportin e ODIHR u cilësuan si të papranueshme.

Zgjedhjet

Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos përsëritjen e zgjedhjeve, atëherë duhet që brenda afateve që i vendos po gjykata, Presidenti duhet të dekretojë një datë të re zgjedhjesh. Në momentin që flasim, pesë bashki të vendit, janë pa kryetar. Durrësi, Dibra, Shkodra, Vora dhe Rrogozhina. Në Durrës, kryetarja e zgjedhur u dorëhoq, po ashtu dhe në Dibër ku Melaim Damzi kandidoi për zgjedhjet e përgjithshme. Në Shkodër Voltana Ademi, mbajti vendin për shkak se Valdrin Pjetri u shkarkua nga ligji i dekriminalizimit, po ashtu dhe kreu i Bashkisë Vorë Agim Kajmaku. Ndërsa në Rrogozhinë, kryetari i zgjedhur ndërroi jetë. /MAPO

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular