Dy golat e shënuar me penallti ndaj Francës në ndeshjen e fundit të grupit F, jo vetëm që i dhanë kualifikimin për më tej Portugalisë, si e dyta në grup, por edhe e ndihmuan Ronaldon që të barazojë rekordin e golave ndërkombëtarë që mbahej deri më tani i vetëm nga iraniani Ali Daei.
Ronaldo shkoi në 109 gola në ndeshjet zyrtare me Portugalinë e tij, një shifër marramendëse që mund të bëhet akom më shumë e tillë, pasi në moshën 35-vjeçare, portugezi nuk po tregon shenja tërheqjeje
Fituesi pesë herë i Topit të Artë e nisi fushatën e europianit me 104 gola në arkivën e tij me fanelën e Portugalisë. Sinjalin se synonte rekordin e Ali Daeit e dha që në ndeshjen e parë me dopietën e shënuar ndaj Hungarisë.
La gjurmën e tij edhe në humbjen 2-4 ndaj Gjermanisë, ku shënoi golin e parë pas një kundërsulmi të rrufeshëm të portugezëve. Me dy golat e shënuar me 11-metërsh ndaj Francës, Ronaldo ngjitet në kuotën e 109 golave ndërkombëtarë dhe aktualisht kryeson listën e golashënuesve të europianit, nëse në këtë listë nuk do të përfshihen autogolat, që në grupe janë shënuar plot gjashtë të tillë.







