Edhe pas disa “përplasjesh” dhe kërkesash nga Këshilli Bashkiak, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli sërish kërkon zhvillimin e mbledhjeve online.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ai ka publikuar njoftimin e Bashkisë së Vlorës për zhvillimin e takimit online më datë 29 qershor.
“Pas anullimit të pajustifikuar të mbledhjes së sotshme nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, në emër të qytetarëve të Vlorës, e ndiej për detyrë të thërras mbledhjen e muajit në datën 29 qershor për të miratuar projektvendimet dhe ndihmat që banorët presin prej Bashkisë Vlorë dhe vazhdimësinë e projekteve të tjera” – shkruan Leli.
Më herët këtë të enjte, Keshilli Bashkiak kërkoi të mblidheshin ditën e sotme në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, një kërkesë që u refuzua nga Leli.
Sipas kryebashkiakut, kundërshtimi i mbledhjeve për çështjet sociale të Vlorës kanë ndikim negative në mbarëvajtjen e jetës në qytet dhe se banorët nuk duhet të penalizohen prej bashkisë.







