Pas akuzave të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, se ambasadori Luigi Soreca po bën presion ndaj Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe zyra e BE në Tiranë.
Me anë të një deklarate për mediat, delegacioni i BE në vendin tonë sqaron të vërtetën e takimit me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.
Teksa përgënjeshtron dhe i quan shpifje deklaratat e përfaqësueses së Aleancës, BE thotë se takimi në datën 16 qershor ishte në kuadër të të gjitha takimeve që ambasadori ka zhvilluar me të gjithë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë.
“Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare”, thuhet ndër të tjera një reagim.
Deklarata e plotë
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021. Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.
Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media.
PRETENDIMET E ALEANCES
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë bërë një denoncim publik për ambasadorin e Bashkimit Evropian, Luigi Soreca. Në një deklaratë për mediat nga Gjykata Kushtetuese, përfaqësuesja e Aleancës pretendon se Soreca në datën 16 qershor, kur edhe është mbajtur seanca ka zhvilluar në mënyrë të fshehtë një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.
Sipas pretendimit të Aleancës, ky veprim tregon qartë se Soreca po bën presion ndaj kësaj Gjykate dhe po lobon në mbrojtje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Po ashtu Aleanca thotë se nëse pretendimet e tyre janë të vërteta do kërkojnë që ambasadori i BE të shpallet ‘non grata’ në Shqipëri.
Nga SPAK kërkojnë sekuestrimin e kamerave të sigurisë, ndërsa është paralajmëruar edhe një kallëzim penal.
“Anëtarë të Aleancës për Teatrin të cilët punojnë tek bizneset të godinës së Gjykatës Kushtetuese, kanë konstatuar se ditën e mbajtjes së seancës së Teatrit, ambasadori Luigi Soreca ka bërë një takim jo publik me kreun e gjykatës në 16 qershor dhe më pas ka dalë nga dera e pasme e Gjykatës.
Ne jemi shumë të shqetësuar sepse nuk e kuptojmë arsyen se përse ambasadori ka ardhur në këtë ditë seance.
Ne në kërkesat tona drejtuar Gjykatës Kushtetuese kemi kërkuar të bëhet publike nëse ky takim ka pasur interes publik, kemi kërkuar që të bëhet publike se çfarë është diskutuar dhe e fundit pse takimi, ndryshe nga takimet e tjera bëhen publike.
Për ne fakti që ambasadori është larguar nga dera e pasme e godinës, cënon shumë njëanshmërinë e Gjykatës Kushtetutës, cënon legjitimitetin e kryetares së Gjykatës apo kujtdo tjetër që ka bërë këtë takim e e bërë publike për mediat.
Takimi është zhvilluar brenda gjykatës dhe informacioni që ne kemi është se Soreca ka ardhur për të lobuar në mbrojtje të kryetarit të Bashkisë, sepse mendon se ne qendrestarët e Teatrit mund ti kalojmë gjërat kaq lehtë.
Ne me këtë kërkesë së sotme i kemi kërkuar SPAK të sekuestrojë kamerat brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese. Nëse do jetë e vërtetë ajo që ne pretendojmë do kërkojmë vetë largimin e kryetares nga trupi gjykues, në të kundërt ne do kërkojmë përjashtimin e gjyqtares nga trupi gjykues. Po bëjmë gati gjithë informacionin do ja bëjmë të ditur BE, sesi një ambasador vjen dhe bën presion pranë Gjykatës Kushtetuese.
Ne po bëjmë gati dokumentacionin do kallëzohet edhe penalisht, por do ti bëhet e ditur edhe BE. Ne do marrim gjithë hapat ligjorë që Soreca të shpallet non grata”