Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka dhënë mesazhe të forta pas urdhrit ekzekutiv të presidentit Joe Biden që përfshin Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon bllokimin e pronave dhe ndalim të hyrjes në SHBA të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
E pranishme në konferencën ‘Forcimi i Drejtësisë Penale’, Yuri Kim tha se aksionet e ditëve të fundit të bëra nga SPAK por edhe gjatë këtij viti, janë rezultat i një pune të gjatë.
“Ky është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, kemi mbështetur reformën pa asnjë hezitim. Pastrimi i Gjyqësorit është një proces më se i nevojshëm, jemi në një moment të rëndësishëm për goditjen e korrupsionit. Kemi një luftë të përbashkët jo vetëm për korrupsionin por dhe krimin e organizuar. Lufta ndaj krimit nuk varet nga puna e mirë e një institucioni të vetëm, por të të gjithë institucionet. Disa institucione kanë filluar të krijojnë besimin e publikut, dhe ky është një hap përpara. Qytetarët presin më shumë operacione si këto të fundit, reforma në drejtësi duhet të vazhdojë përpara
Presidenti Biden e bëri të qartë se SHBA-të e konsiderojnë korrupsionin cënim të sigurisë kombëtare, si pasqyrim i kësaj politike të re, presidenti kërkoi shtrirjen e urdhrit edhe për Shqipërinë, ai ka bërë urdhrin ekzekutiv ndaj një game të madhe personash, në Ballkanin perëndimor.
Ky urdhër duhet të nxisë zyrat të dyfishojnë përpjekjet në luftim kundër korrupsionit. Ju nxis të gjithëve që të punoni së bashku, për të gjetur mënyrat më të mira, SHBA do të vazhdojnë që t’iu mbështesin, për të ndërtuar një Shqipëri më të begatë, me institucione që shërbimin për publikun e bëjnë përparësinë e tyre.”, tha Kim.







