Irani ka krijuar një aplikacion Islamik të kontrolluar nga shteti, që ofron mundësi njohjeje për të rinjtë, me qëllim final martesën.
I quajtur “Hamdam”, aplikacioni lejon përdoruesit të “kërkojnë dhe të zgjedhin bashkëshortin/en e tyre”.
Është e vetmja platformë e sanksionuar nga shteti në llojin e saj në republikën islamike, sipas shefit të policisë së hapësirës kibernetike të Iranit, kolonel Ali Mohammad Rajabi. Ndërsa aplikacionet për takime janë të njohura në Iran, Rajabi tha se të gjitha platformat e tjera përveç “Hamdamit” ishin të paligjshme.
Krijuar nga Instituti Kulturor Tebyan, pjesë e Organizatës Islamike , faqja e internetit e Hamdam pretendon se përdor “inteligjencën artificiale” dhe mundëson lidhje “vetëm për beqarët që kërkojnë martesë të përhershme dhe një bashkëshort të vetëm”.
Kreu i Tebyan, Komeil Khojasteh, duke folur në zbulim, tha se vlerat e familjes kërcënoheshin nga forcat e jashtme. “Familja është shënjestra e djallit dhe [armiqtë e Iranit] kërkojnë të imponojnë idetë e tyre”, tha ai, duke shtuar se aplikacioni ndihmon në krijimin e familjeve “të shëndetshme”.
Sipas faqes së internetit të Hamdam, përdoruesit duhet të konfirmojnë identitetin e tyre dhe të kalojnë nëpër një “test psikologjik” para se të futen në aplikacion.
Pas njohjeve, aplikacioni “prezanton familjet së bashku me praninë e këshilltarëve të shërbimit“, të cilët do të “shoqërojnë” çiftin për katër vjet pas martese.
Regjistrimi është falas, sepse Hamdam ka “një model të pavarur të të ardhurave”, tha faqja në internet pa shpjeguar më tej.
Në mars, parlamenti i dominuar nga konservatorët e Iranit miratoi një projektligj të titulluar “rritja e popullsisë dhe mbështetja e familjeve”.
Ai mandaton qeverinë të ofrojë stimuj të rëndësishëm financiarë për martesën dhe të inkurajojë njerëzit të kenë më shumë se dy fëmijë, ndërsa kufizon mundësinë e abortit.







