Qeveria gjermane është paralajmëruar që në fillilm të muajit gusht për rënien e qeverisë së Kabulit dhe mundësisë së përsëritjes së skenarit të evakuimeve të ngjashëm me atë të amerikanëve nga Vietnami në vitin 1975
Gazeta gjermane “Der Spiegel” ka publikuar një telegram, që thotë se i është dorëzuar Ministrisë së Jashtme të paktën në datën 6 gusht, pra 11 ditë para se Kabuli të binte në duart e talebanëve. Telegrami është i Ambasadores së Gjermanisë në Uashington.
“Qeveria afgane mund të rrëzohet më shpejt nga sa pritej”, paralajmëron telegrami, duke u kërkuar autoriteteve kompetente që të nisnin sa më shpejt planet e evakuimit emergjent, ku të përfshihej edhe Bundeswehr, ushtria gjermane.
Në telegramin e botuar nga mediat gjermane, thuhet se Ambasadorja paralajmëronte se nëse situata do të përkeqësohej amerikanët mund të vepronin të vetëm pa u konsultuar me aleatët e tjerë të NATO-s.
Ekzistenca e këtij telegrami është konfirmuar indirekt nga ministri i Jashtëm, Heiko Maas, që u pyet në Parlament. Ai tha se publikimi i tij ka dëmtuar interesat e Qeverisë gjermane.
Ministria e Jashtme gjermane është kritikuar për mefshtësi në evakuimin e gjermanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre nga Afganistani.







