Pas fitores ndaj Hungarisë, Kombëtarja është rikthyer në stërvitje për t’u përgatitur për sfidën e radhës, e planifikuar për të mërkurën ndaj San Marinos sërish në Elbasan Arena.
Edi Reja vendosi të reduktojë stërvitjen për lojtarët që luajtën në fitoren e rëndësishme ndaj Hungarisë, ndërsa pjesa tjetër u grupit zhvilloi një seancë stërvitore të plotë në Durrës.
Trepikëshi me Hungarinë ka risjellë entuziazmin në grup, ndërkohë që ndaj San Marinos nuk ka asnjë objektiv tjetër veç fitores.
Sa i takon formacionit, të martën do të mësohet për gjendjen e Sokol Cikalleshit, i dëmtuar në gju, nëse do të jetë gati për San Marinon apo jo. Dëmtime të lehta kanë shfaqur Trashi, Bajrami e Balaj por sipas stafit mjekësor pritet që të jenë gati për të mërkurën.
Mungesa e madhe do të jetë ajo e Klaus Gjasulës në mesfushë për shkak kartonash dhe ajo e Amir Abrashit. Nuk përjashtohet që të mërkurën nda San Marinos të aktivizohet që nga minuta e parë në sulm Armando Broja, autori i golit të fitores ndaj Hungarisë.
Ndaj San Marinos është ndeshja e gjashtë e grupit, ku Shqipëria ndodhet në vendin e tretë pas Anglisë dhe Polonisë. Fitorja është domosdoshmëri për jo vetëm për të mbajtur pas Hungarinë, që ndeshet ndaj Andorrës, por edhe për t’i marrë vendin e dytë Polonisë, që po të mërkurën luan ndaj Anglisë.
Grupi udhëhiqet nga Anglia me 15 pikë, Polonia 10, Shqipëria 9 dhe Hungaria 7 pikë.