Ish-kryeministri Sali Berisha postoi një video nga fillimi i takimeve të tij.
Videoja e Foltores në Tiranë tregon pritjen entuziaste që iu bë Berishës.
“Entuziazëm i papërmbajtur, dje në Foltoren për Një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur,” shkruan Berisha.
Foltorja pritet të vazhdojë në qytetet e tjera.
Berisha u pyet dje nga mbështetësit se si do të arrihet largimi i kryetarit aktual të PD, Lulzim Basha.
“Çfarë synon kjo foltore?
Së pari, ndërgjegjësimin e çdo demokrati për situatën e krijuar, vjeljen e mendimit dhe qëndrimti të tij.
Së dyti, do mblidhen firmat e 1500 delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Pas mbledhjes së këtyre firmave, ne do thërrasim Kuvendin Kombëtar, që është forumi më i madh i partisë.
Ne çdo gjë do e zgjidhim në mënyrën më demokratike. Ne do i kërkojmë Kuvendit Kombëtar që për vendimin të shprehet çdo anëtar i PD me referendum në mbarë Shqipërinë,” tha Berisha.
“Me Bashën nuk ka fitore. Këtë do u themi demokratëve. Unë do u thosha: mos votoni kurrë humbës me motivin se është më i mirë se ai. Humbësi nuk të çon kurrë në fitore. Ky nuk të çon asnjëherë. Mos e bëni këtë gabim”.