Një avion i vogël privat u rrëzua mbi një ndërtesë në via Marignano, në San Donato Milanese, Milano. Si pasojë tetë personat që ishin në bord kanë ndërruar jetë
“Ansa” shkruan se në avion ishin piloti, bashkëpiloti, pesë të rritur dhe një fëmijë. Avioni i vogël u rrëzua rreth orës 13.09 dhe u përfshi nga flakët pasi u përplas në një ndërtesë të boshatisur që po rinovohej

Sipas “Ansa”-s, avioni privat sapo ishte ngritur nga aeroporti privat Linate dhe kishte si destinacion Olbia-n , në Sardenjë. Mjeti fluturues u përplas pasi përshkroi 4 deri në 5 milje dhe më pas u përfshi nga flakët si pasojë e impaktit
Avioni ka rënë mbi një pallat që ishte në rikonstruksion dhe shërbente për zyra dhe për parkimin e autobusëve.
Banorët e zonës kanë treguar se kanë dëgjuar zhurmën e një përplasje dhe më pas shpërthimin, për shkak të aksidentit.
Një dëshmitar okular ka shkruar në Twitter se ende po dridhet nga aksidenti.
‘Jam ende duke u dridhur. Nuk e keni idenë. Po prisja për të marrë autobusin dhe të ikja në Romë, kur mbi kokat tona u përplas një avion. Çfarë frike’, shkruan dëshmitari.







