Gazi i lëngshëm që përdoret për ngrohje apo gatim pritet t’i nënshtrohet akcizës me 6 lek për litër nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Në draftin e Ministrisë së Financave në ligjin për akcizat propozohet që gazi i lëngshëm për çfarëdo lloj përdorimi t’i nënshtrohet një akcizë 6 lekë për litër
Aktualisht sipas relacionit ky hidrokarbur i nënshtrohet akcizës 8 lekë për litër vetëm kur përdoret nga automjete ndërsa kur përdoret për gatim ai ka qenë i përjashtuar. Nga unifikimi i akcizës për gazin e lëngshëm pritet që të arkëtohen rreth 3 milionë euro që pritet të paguhen kryesisht nga konsumatorët familjarë.
Po sipas relacionit, ky projektligj synon të vendosë një nivel akcizë për gazin e lëngshëm pa diferencuar qëllimin e përdorimit pasi siç është formuluar ligji aktualisht i jep mundësinë abuzivizmit me sasinë e gazit që nuk paguan akcizë.
Nga sasia e importuar e kësaj lënde djegëse, rreth 2/3 nuk ngarkohet me akcizë, që presupozon se nuk përdoret si karburant për automjetet, ndërkohë që vetëm 1/3 e sasisë së importuar deklarohet për përdorim automjetesh dhe ngarkohet me akcizë.