Në prag të festave të fundvitit, ku udhëtimet e qytetarëve janë më të shpeshta, Greqia ka vendosur të marrë masa të reja për shkak të koronavirusit.
Mediat fqinje shkruajnë se qytetarët që do të hyjnë në Greqi, duhet që të kenë patjetër një test negativ të koronavirusit të realizuar brenda 48 orëve të fundit, pavarësisht nëse janë të pajisur me certifikatë vaksinimi.
Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e dielë (19 dhjetor) në orën 06:00. Vendimi lidhet me përhapjen e variantit të ri Omicron si dhe afrimit të festave të fundvitit.
Vetëm në Britaninë e Madhe, shifrat e infektimeve kanë pësuar dyfishim që prej shfaqjes së variantit Omicron.
Në 24 orët e fundit në Greqi u shënuan 4801 raste të reja dhe 77 viktima si pasojë e koronavirusit.