– Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në protestën e thirrur prej tij përpara kryeministrisë, atakoi nismën “Open Balkan” duke e cilësuar si një përpjekje për të shtrirë hegjemoninë serbe në rajon, duke cënuar në këtë mënyrë interesat kombëtare të shqiptarëve.
“Qytetare dhe qytetarë shqiptarë, demokrate dhe demokratë, në këtë shesh dhe kudo që ndodheni sot, përshëndetjet më vllazërore në këtë protestë, ku ne ngrihemi fuqishëm për interesat jetike të kombit shqiptar, të shoqërisë shqiptare. Ne jemi mbledhur kundër projektit fantazmë të aleancës trilaterale Beograd-Tiranë-Shkup, apo kundër treshes Vuçiç dhe vasalët e tij Rama dhe Zaev. Në krye të radhës dua të garantoj shqiptarët se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal, ne kemi qenë dhe mbetemi për një bashkëpunim të sinqertë dhe të frytshëm rajonal në kuadër të projekteve europiane. Kjo është një protestë që shkon kundër një projekti, i cili është refuzuar në mënyrë kategorike nga Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova, është shpallur si kërcënim nga Kroacia. Një projekt që nuk krijon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon. Ne jemi kundër këtij projekti sepse bie ndesh në mënyrë flagrante me interesin tonë kombëtar. Në fillim ky projekt ka riformuluar hartat e Ballkanit duke fshirë Kosovën. Më vonë projekti mori emrin Balkani i Hapur për të nderuar autorin dhe propagandistin e Shoqërisë së Hapur”, tha Berisha.







