Kreu i PD-së Lulzim Basha ka folur dhe për deputetët që i janë bashkuar ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë konferencës së sotme për mediat, ndoshta e fundit për 2021.
I pyetur nëse ka ndonjë plan se si do të afrohen këta deputetë me PD-në që nuk e pranojnë si kryetar, Basha tha se secili vendos vetë se si do t’i përgjigjet vendimeve të demokratëve
“PD ka folur qartë, demokratët janë shprehur qartë. Secili vendos vetë nga ata që janë ngarkuar me përgjegjësi nga demokratët, në çfarëdo pozite qofshin dhe në pozitat më të larta se si do t’i përgjigjet vendimeve të demokratëve. Një gjë është e sigurt, PD-në Edi Rama nuk do ta ketë përballë si një parti të damkosur ‘non grata’ nga aleati ynë strategjik SHBA-të dhe grupi ‘na bashkoi non grata amerikane’, i cili pritet të zgjerohet me të tjerë anëtarë do ketë përballë një PD të bashkuar në qëllime. Nuk kërkoj dhe s’kam kërkuar kurrë uniformitet mendimi sepse kjo do të më bënte njësoj me treshen e tranzicionit. Qëllimi dhe misioni im është t’i jap fund këtij tranzicioni të tejzgjatur dhe pjesë e këtij misioni është pikërisht që përmes kulturës së re politike, nxitjes së mendimit ndryshe, nxitjes së debatit të mundësojmë që PD në bashkëpunim me të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë, t’i japë shumicës dërrmuese të shqiptarëve një orë e më parë atë që meriton, ndryshimin”, deklaroi kreu i PD.