Nga Genc Pecnikaj
Dje u përcoll në banesën e fundit trupi i të ndjerit Ndoc Mulaj, një dashurues i madh i maleve, Alpeve e natyrës së Shqipërisë.
Një ikje tragjike në muzgun e datës 30 dhjetor, ku trupi ju shkëput nga shpirti e shpirti i lirë ju kthye amëshimit, fluturimit mbi ato maja e kreshta malesh që aq shumë i deshi, e që ja formësuan karakterin deri ditën e fundit të jetës së tij tokësore.
Përtej trishtimit vibrues kur mendon që s’do jetë më midis nesh, Ndoci la shumëçka për të mos u harruar e për të kapërcyer këtë dhimbje…
Lindur në qendër të Alpeve në majën e “amfiteatrit” natyror të Nikaj – Merturit, me një pamje fisniku e trupdrejtë si ahet e bjeshkëve ku u rrit, pasi u largua si shumica e malësorëve nga ato male, në kërkim të lirisë që i dha koha, ai, si rrallëkush tjetër, ju rikthye pas vitesh asaj lirie të parë, lirisë mes ajrit të maleve, luginave e lendinave, atje ku shpirti nuk burgoset nga asnjë vogëlsinê tunduese moderne.
Jeta e tij u kthye në një shtegtim pafund, në kufinjtë e epikes, “check-in”-et intensive nga zhurmat e qyteteve e në maja të maleve, nga bjeshka në vërri e fshatra të braktisura, nga sallat e konferencave e në kullat alpine, nga luginat e thella te lumenjve kristal e vrap në kreshtat e rrufeve.
Nga këto shtegtime ai na la imazhe te rralla me aparatin e tij fotografik, foto që do i kishin zili dhe reporterët e “National Geographic”, kanione të panjohura, lugina përrallore dhe detaje mitike me zaje të pashkelura, shkrepa kafshesh te egra, kulla te braktisura që s’dine te rrezohen, keshtjella shumë te vjetra, kisha e rrënoja mes maleve, agime vals ngjyrash e perëndime diellpërflakura, lule që shpërthejnë mbi gurë e ahe e pisha shekullore mbi humnera, qafa malesh thikë e pejsazhe rudinash, fshatra të braktisura e jeta që rikthehet në to rishtaz….
Me këto imazhe dhe postimet që bënte, ai ndezi si rrallëkush pasionin tek të tjerët mbi shtegtimet, për ti përjetuar në vend këto madhështi të natyrës. Frymëzoi për në Alpe jo vetëm aventurierët e ecjeve në këmbë, por duke e masivizuar e kthyer në “modë” ecjen në shtigjet ku priu ai.
Reporterë, artistë e gazetarë të njohur vendas e të huaj, historianë e hulumtues, ekspertë turizmi malor, shkencëtarë mjedisi e speleologë shpellash, ishin elita që ju vunë prapa mentorit të maleve Ndoc Mulajt, në ekspeditat e tyre për të rizbuluar këto male.
Bëri të njohura për botën dhe rrugë e shtigje tashmë të harruara, shumë të vjetra, shtigjet e Pultit antik, krahinës së Pjetërshpanit, sot krahina e Dukagjinit, apo dhe rrugët e Dukagjinit të vjetër, sot Puka, rrugë që lidhnin dikur Shkodrën e Lezhën me Pejën e Gjakovën, e malësitë me këto qytete, mespërmes maleve te thella, luginave e qafave te maleve te Shales, Shoshit, Nikaj- Merturit, Malesise se Gjakoves e përtej.
Janë shënjimet (markimet) me ngjyra të ndezura të dorës së Ndoc Mulajt që do ju tregojnë shtigjet e vjetra e të reja pasionantëve të maleve edhe për shumë kohë. Nje traditë tashmë e shtruar nga ai.
Eksploroi si rrallëkush shpellat e thella të Alpeve, në Nikaj – Mertur e përtej, të cilave u njihej madhështia vetëm si legjendë, por që me speleologët më të mirë të Italisë, Austrisë e Zvicrës jua bëri të njohur dhe botës këto “bira” madhështore gjeologjike.
Promovoi në panaire lokale e rajonale produktet më autentike të malësorëve dhe jo vetëm, shpirtin e tyre eposin kreshniko- lirik në lahuta, cifteli, fyell e në valle, vendet më karakteristike, vecantitë e pakapura nga të tjerët të Thethit, Valbonës, lumit të Gashit e të Shalës, shpalosjen e natyrës nga Puka e Mirdita e deri në Kelmend e Qafë Morinë, kullat, bimet endemike dhe të rralla, Kakinë e Nikajve- farmaci natyrore, Vranën e Madhe me mikrokozmosin e saj idilik, bukuritë e fshatit më të bukur malor, atij Curraj Epër, në zemër te këtij ansambli alpin e shumë të tjera.
Ishte një zë e veprimtar aktiv i mbrojtjes së natyrës së Alpeve e jo vetëm. Janë emocionuese fotot e tij mbi kreshta, kanione e humnera në sfondin e këtyre peisazheve mahnitëse, si një “dre alpin” siç e ka cilësuar dhe miku i tij, poeti i njohur Fran Ukcama.
Ndihmoi shumë dhe ju priu grupeve eksperte te punes në terren me projekte kombetare e ndihme nderkombetare, si GIZ Albania etj. per ti kthyer keto zona ne sa më shumë “Zona te Mbrojtura” si Parqe të Mbrojtura Rajonale e Kombetare. Përmendim këtu “Parkun Rajonal Nikaj-Mertur”(miratuar në nivel Qarku rreth vitit 2015, por e pasigluar(!) nga ministri i Mjedisit i kohës), Parqet e Mbrojtura Kombetare te Lumit te Shales dhe Malit të Munellës ku dhe dha jetën natën e 30 dhjetorit, pas një eksplorimi.
Filmimet e tij mbi kafshë të egra në zhdukje si rrëshqebulli ballkanik, shqiponjat, drerët, dhitë e egra, etj. janë një dëshmi dhe pasuri e çmuar e kësaj fushe.
Postimet dhe shënimet e këtij shtegtari epik na kanë lënê dëshmi fort me vlerë mbi toponime të vjetra, emërvendet ku shkeli e rrëfenja të harruara, që koha moderne po i zhduk me shpejtësi, një pasuri kjo e cmuar etno-gjuhësore.
Lakonik dhe me humor të hollë në bisedë, siç e kanë cilësi ata malësorë të fisëm të trevës së Nikaj Merturit, papritmas shfaqte krejt pasionin e një fëmije në gjërat që donte, sidomos për natyrën e lartësitë….
EPILOG:
“Vec në male përjetoj madhështinë e Krijimit dhe kuptimin e të qënit i lirë”.
Këto fjalë të filozofit Martin Hajdeger, i rrinin fort për shtat dhe shkrimtarit tonë Martin Camaj, nga Temali i Dukagjinit. Shpirti i Ndocit sikur e parandjeu shtegtimin e tij të fundëm, plot 45 ditë përpara se të ikte…dhe postoi një poezi ndjenje të Camajt…dëshirës me u shkri përjetë me tokën e malet ku lindi, në bar e farë, në avull e shi dhe në shkënb e gur kufini…
Lamtumirë Ndoc Mulaj, o shtegtar i përjetshëm, që na mësove sesi duhen malet e lartësitë deri në sakrificë!
(G.Pecnikaj, 2.Jan. 2022)



