Ora 15: 50 Gjykata e Posaçme e Apelit pritej të shpallte vendimin përfundimtar për ish-ministrin Saimir Tahiri në orën 13:00 të datës 4 shkurt.
Por kur kanë kaluar afro 3 orë nga ky afat i caktuar nga vetë gjykata, ende nuk ka një vendim.
Tre gjyqtarët janë në dhomën e këshillimit dhe nuk dihet se kur do të dalin për të shpallur vendimin e tyre për ish ministrin Tahiri si dhe për ish drejtorin e Policisë së Vlorës Jaeld Cela.
Aktualisht në seancë janë duke pritur prokurorët e SPAK, Saimir Tahiri, Jaeld Cela së bashku me avokatët mbrojtës si dhe mediat.
Saimir Tahiri hyn në ambientet e GJKKO-së, pritet vendimi për ish-ministrin e Brendshëm
ORA 12:45 Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka hyrë në ambientet e GjKKO-së, i shoqëruar nga avokati i tij Maksim Haxhiaj. Gjykata e Posaçme e Apelit pritet të shpallë sot vendimin për ish-ministrin, seanca ndaj të cilit nis në orën 13:00.
SPAK kërkoi dënimin me 12 vite burg për Tahirin që në bazë të gjykimit të shkurtuar do të reduktohej në 8 vite.
Më 31 janar 2022, Gjykata e Apelit zhvilloi seancën gjyqësore për ish-Ministrin e Brendshëm i cili është i akuzuar për trafik droge dhe si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
Gazetarja e “Panorama” Nikoleta Kovaçi raportoi se Saimir Tahiri është shprehur gjatë seancës se: “Ju kërkoj me përulësi të na jepni kohë për shqyrtimin e provave sepse do ta dini se jam i pafajshëm”.
Kujtojmë që Saimir Tahiri i akuzua fillimisht për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal, por u dënua nga gjykata për “shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove. Gjykata e Posaçme riktheu për rishqyrtim dosjen e ish-ministrit Tahiri, pasi konstatoi parregullsi në proces.
Ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit.
Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.