Pasi Gjykata e Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi me 3 vite e 4 muaj burg për “shpërdorim detyre” Saimir Tahirin, ish-ministri i Brendshëm ka mbërritur rreth ores 22:30 në ambientet e burgut 313, ku ai do të vuajë dënimin e tij.
Mësohet se ish-ministri Saimir Tahiri është vendosur në godinën numër 2 të Burgut 313.
Fillimisht ai u paraqit në drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe pas procedurave atje, ai u nis për tek burgu 313.
Gjykata e Apelit la në fuqi sot (4 shkurt) vendimin e marrë në vitin 2019 nga Gjykata e atëhershme e Krimeve të rënda, por me ndryshimin që dënimin ai do të duhet ta vuajë në burg dhe jo me shërbim prove.
Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 12 vite burgim, duke ngritur ndaj tij akuza të rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal.
Por sot Apeli e akuzoi atë vetëm për shpërdorim detyre, duke qenë se sipas gjykatës, për shkak të lidhjeve të tij me vellezërit Habilaj, të akuzuar për trafik të sasirave të mëdha të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë, ka favorizuar aktivitetin e tyre kriminal.
Menjëherë pas vendimit, ish ministri i Brendshëm ka bërë një postim në Facebook, duke folur për një padrejtësi. “Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda. Eshtë thjeshtë padrejtësi”.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN I GJKKO
Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 04.02.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shpall vendimi për çështjen me nr. 47 regjistri themeltar, datë 24.11.2021 regjistrimi, në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaed Çela, ku kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi, lënien në fuqi të Vendimit nr. 60, datë 19.09.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me ndryshimin si më poshtë:
-Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin z. Saimir Tahiri.
-Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin z. Saimir Tahiri fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.