Lulzim Basha në takimin e sotëm të zhvilluar me demokratët e degës 6 në Tiranë “sulmoi” liderin historik të PD-së, Sali Berisha.
Basha tha se ndërkohë që PD është në betejë pa kompromis me regjimin e Ramës, Sali Berisha duke marrë shkas nga “non grata” ka ndërmarrë një sulm frontal ndaj demokratëve.
Basha: Por ndërkohë që ndodh kjo, dhe ndërkohë që kemi 8 vjet betejë ballore, pa kompromis, me të keqen, po ndodh dhe diçka tjetër. Duke marrë shkas nga shpallja “non grata”, ish kryetari i kësaj partie, ka ndërmarrë një sulm frontal, ndaj demokratëve që nuk mendojnë si ai. Ai mendon se demokratët dhe Partia Demokratike, nuk duhet të ekzistojnë, në qoftë se nuk e mbrojnë atë. Nuk e mbrojnë, nuk kthehen në një strehë. Kundër kujt? Kundër SHBA-ve të cilët e kanë cilësuar “non grata”. Dhe tani, ka marrë logon e LSI-së, e ka çuar në KQZ, dhe me logon e LSI-së po shëtit në këto 6 bashkitë, që bashkëkryetari tjetër i LSI-së i ka deklaruar, tani u kujtua, 12 muaj para zgjedhjeve lokale të rregullta, ti dekretojë për zgjedhje të pjesshme lokale, duke bërë çfarë? Duke sharë demokratët! Duke sulmuar kandidatët e partisë demokratike! Por nuk sulmon ata që e kanë sjellë Shqipërinë në këtë pikë! Ka marrë këto ditë , dhe në veçanti sot, me dhjetëra, edhe dje, me dhjetëra mesazhe, nga demokratë të zemëruar.
Ai tha se kandidatët e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, janë në fakt kandidatë të LSI. Risolli dhe një herë në vëmendje edhe Trekëndëshin e Bermudës.
Basha: Si ka mundësi që ky njeri, Sali Berisha, të shkojë nëpër këto takime, me kandidatë që i ka nxjerrë me logon e LSI-së, por që kanë kaq turp, saqë nuk e nxjerrin logon e LSI-së? Fakti është që janë kandidatë të LSI-së, por kaq turp kanë që nuk e nxjerrin logon e LSI-së. E para! E dyta! Si ka mundësi që merret me kandidatët e partisë demokratike, që janë nga i pari tek i fundit njerëz përfaqësues të vlerave të demokratëve? Njerëz përfaqësues të komuniteteve të tyre! I sulmon ata, por nuk sulmon as Vangjush Dakon, as Tom Doshin, as Aqif Rakipin, asnjë nga ata! Nuk thotë asnjë fjalë, as për oligarkët, as për bandat. I ka harruar! Kur ka qenë hera e fundit që i ka kujtuar? Jo, i ka harruar! Pse? Dikush tha i duhen! Është më shumë se kaq. Janë bashkë! Ky është Trekëndëshi i Bermudës! Janë bashkë! Janë bashkë për të mbajtur njëri-tjetrin në këmbë! Sepse vetëm duke qenë bashkë, arrijnë ta mbajnë njëri tjetrin, sepse janë një pakicë e papërfillshme, përballë një shumice absolute, e cila iu siguroj që shtrihet përtej radhëve të partisë demokratike.
Ai premtoi se do të bëjë gjithçka që artia Demokratike jo vetëm t’i qëndrojë sulmeve të hapura, tinëzare, të fshehta, të gjithanshme, por ti prijë shumicës së shqiptarëve.
Basha: Ndaj ndërkohë që natyrisht ka vëmendje dhe duhet të ketë vëmendje për betejën në këto 6 bashki, ku ballë për ballë është Partia Demokratike e Shqipërisë, një Parti Demokratike dhe Trekëndëshi i Bermudës, ne do ta vazhdojmë këtë proces, shtrirjen anembanë shoqërisë. Sepse ne jemi e vetmja shpresë për të dalë nga kjo situatë.