Nga Bujar Leskaj
Sekti Rama i shikon qytetarët si armiq dhe që ka kapur për gryke dhe po u merr frymën shqiptarëve e Shqipërisë, një sekt që u vjedh jetën, të ardhmen, pronën!
Sekt që betonizon çdo sipërfaqe, të cilës i vënë syrin, për llogari të oligarkëve dhe fitimeve marramendëse.
Rasti i banorëve të lagjes së Tregut të madh, njohur si zona “5 Maji” është rast flagrant. Kjo zonë është përfshirë nga bashkia e Veliajt në programet e rindërtimit.
Në mes të dimrit, me fëmijë të vegjël e pleq, pa përcaktuar kontratat, me disa copa letrash pa firmë e vulë, pa i njoftuar në kohën e duhur, pa përcaktuar vendin se ku do të shkojnë këta banorë punëtorë e të ndershëm, pa afatet për fillimin dhe përfundimin e punimeve, vendin dhe kohën e kompensimit të pronës, shteti ka nisur shembjen e banesave duke nxjerrë dhunshëm banorët, me synimin e mbrapshtë që të pranojnë atë që u “ofrojnë”.
Pavarësisht se disa prej banesave në zonë janë në proces legalizimi ndërsa për disa të tjera banorët gëzojnë certifikatë pronësie.
Si qytetar shpreh shqetësimin në lidhje me mungesën e plotë të transparencës nga ana e qeverisë nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, që përfaqëson këtë regjim në pushtet, për grabitjen e pronave të qytetarëve dhe që nuk ofron garanci të mjaftueshme për qytetarët të cilët preken nga prishja e objekteve të tyre e u premtohet në mënyrë evazive një formë kompensimi e dëmshpërblimi e paindividualizuar dhe pa afate.