Ish-gjenerali i “Guardia di Finanza”, Fabrizio Lisi, është arrestuar ditën e djeshme në Napoli për korrupsion. Autoritetet italiane bëhet me dije se kanë vendosur në pranga disa persona të akuzuar për korrupsion, mes tyre një ish-gjeneral i “Guardia di Finanza”, avokatë, sipërmarrës dhe ish-prokurorë.
Mediat italiane bënë me dije se mes të arrestuarve janë Roberto Pena, zv.prokurori i Salernos dhe partnerja e tij, Maria Gabriella Gallevi. Në arrest shtëpie janë vendosur sipërmarrësit Francesco Vorro, Umberto Inverso dhe Fabrizio Lisi, ky i fundit ish-gjeneral i “Guardia di Finanza”.
Ata akuzohen për abuzim me pushtetin dhe përfitime personale. Sipas të dhënave, hetimet për këta zyrtarë kanë nisur kohë më parë dhe më 14 korrik të vitit të kaluar, një skuadër e Policisë, e deleguar nga zyra e hetimit napolitan, kreu një sërë kontrollesh kundër emrave që dje u arrestuan. Veprimtaria hetimore e karabinierëve, e cila zgjati nga tetori 2020 deri në korrik 2021, thuhet se hodhi dritë mbi një “pakt korrupsioni” të vërtetë midis magjistratit dhe sipërmarrësve të konsorciumit.
Për më tepër, sipërmarrësit, duke përfituar nga ndihma e magjistratit, synonin të krijonin marrëdhënie të privilegjuara me zyrtarët e Salernos për të arritur vendosjen e konsorciumit në të ashtuquajturën “lista e bardhë”. Ndër objektivat që i kishin vënë vetes, ishte nënshkrimi i një protokolli ligjshmërie mes konsorciumit të tyre dhe Prefekturës.
Po kush është ish-gjenerali i “Guardia di Finanza” i arrestuar nga Policia italiane dhe çfarë e lidh atë me vendin tonë? Në fakt, emri i Lisit është i njohur për shqiptarët që në vitin 1997, në kohën kur ai kujdesej që krimi ynë i asaj kohe të mos kalonte në tokën e tyre. Mirëpo herë pas here kanë qenë mediat italiane që e kanë lidhur emrin e tij me ngjarje në vendin tonë, e kryesisht me përvetësimin e një sasie të madhe toke në zonat e Vlorës. Në fakt, Lisi ka qenë në krye të një shoqate kulturore italo-shqiptare atëherë kur një shtetas shqiptar që në Itali hetohej si i dyshuar për lidhje me “Sacra Corona Unita”, ia dhuroi tokën në të cilën ishte projekt për të ndërtuar shkolla. I pyetur nga mediat vendase, Lisi mohoi të kishte dijeni se personi që i kishte dhuruar prona, kishte probleme ligjore në Shqipëri, e aq më pak në Itali.