Partia Demokratike i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e konsideruar atë peng të korrupsionit.
PD thekson se koha e non-gratave ka mbaruar dhe se me korrupsionin e tyre nuk e mbulojnë dot pas akuzave, siç PD i quan ordinere.
Në një reagim në faqen zyrtare në Facebook Partia Demokratike , gjithashtu bën me dije se tashmë çdo shqiptar e ka të qartë e se nëse voton ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin e Republikës Ilir Meta, nuk bën gjë tjetër veçse mban kryeministrin Rama.
“Non grata të shpallura dhe të pashpallura kanë dështuar të marrin peng PD-në dhe ta kthejnë atë në mburojë të interesave personale. Ata janë në hall e halli sa vjen e bëhet më i madh, prandaj çdo ditë lëshojnë mashtrime ordinere. Ata janë burracakë se nuk patën as guximin të votojnë sot kundër edhe pse e deklaruan me të madhe, por ikën ashtu siç janë munduar të fshihen pas çdo vendimi që i ka kushtuar shumë këtij vendi. Ata janë pengje të korrupsionit të tyre, shantazhojnë njëri-tjetrin, kapen pas njëri-tjetrit me shpresën se mund ta shtyjnë edhe pak. Koha e non grata-ve të shpallura e të pa shpallura ka mbaruar. Korrupsionin e tyre nuk e mbulojnë dot pas akuzave ordinere. Sot çdo shqiptar e ka të qartë: nëse voton Berishën dhe Metën mban Ramën.”, thuhet në deklaratën e PD.