Komisioni Hetimor ka hyrë në javën vendimtare, ku sot pritet të dëshmojnë të tjerë zyrtarë të lartë. Në orën 10:30 pritet të japë argumentet e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Më pas, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministri Engjëll Agaçi, ish-ministri Damian Gjiknuri dhe në fund deputeti i PS, Alqi Bllako, i akuzuar nga Partia Demokratike si i implikuar në aferën e inceneratorëve.
Dje ka dëshmuar ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili ka deklaruar se arsyeja që kjo ministri refuzoi miratimin e projektit të Inceneratorit të Elbasanit ishte se ajo nuk bazohej në ligjin për prokurimet.
I thirrur në cilësinë e dëshmitarit në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ishministri i Financave pranoi korrespondencat me ish-kolegun e tij, Lefter Koka, duke u shprehur se në përgjigjen e dhënë këtij dikasteri i është komunikuar praktika që duhet të ndiqet për dhënien me koncesion të ndërtimit të impianteve të trajtimit të mbetjeve. Ligji i koncesioneve ka vetëm procedurë të hapur, të kufizuar dhe negocim me shpallje, ndërsa ajo për Inceneratorin e Elbasanit e refuzuar nga Ministria e Financave ishte me negocim pa shpallje.