Nga Bujar Leskaj
Kryengritja e Postribës 1946, lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore
Kryengritja e Postribës 1946, lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore
9 shtatori 1946 shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të përballjes së shqiptarëve me instalimin e diktaturës komuniste.
Si sot 76 vjet më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend dhe në Europën Juglindore. Elita e qytetit të Shkodrës, antikomunistët e vërtetë dhe nacionalistët nga fshatrat e Shkodrës kryesisht nga Postriba e “parashikuan” fatin e vendit tonë dhe e kuptuan se çfarë të ardhme mizore do të kishte Shqipëria komuniste.
Marrëveshja e Jaltës, për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar ishte një katastrofë e vërtetë në planin politik, ekonomik dhe shoqëror. I gjithë kombi shqiptar pati konseguenca politike e shoqërore. Kosova u bë pjesë e federatës ish-Jugosllave dhe Shqipëria dhe shqiptarët të gënjyer nga klika e ardhur në pushtet, vuajtën për 50 vite një prej diktaturave më të egra të njerëzimit. Intelektualë, nacionalistë, ish-tregtarë, njerëz të pafajshëm, përjetuan diktaturën dhe dhunën më të egër në të gjithë Evropën.
Prandaj Kryengritja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptar.
Megjithëse nuk ia arriti qëllimit, ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit.
Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta, Osman Haxhia, u kap dhe u dënua ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh.
Revolta u shtyp me gjak nga komunistët, por jo vetëm kaq. Filluan raprezalje ndaj popullsisë së Postribës, djegia e shtëpive të fshatit, gjyqe ushtarake, pushkatime, burgime dhe internime pa masë u kryen nga diktatura komuniste.
Dulo Kali, Mons. Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta u dha dënimi me vdekje.
Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani u dha burgim i përjetshëm. Për të pandehurit: Syrja Anamali e Nuh Duli denimi me 20 vjet privim lirie.
Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa u dha dënimi me 15 vjet privim lirie.
Pushkatimi pa gjyq i 28 martirëve të Postribës dhe ekzekutimi më pas i dhjetëra të tjerëve, persekutimi që përndoqi familjet e tyre për dekada, përbëjnë dëshmi rrëqethëse të sakrificave të pashembullta përballë instalimit të një diktature nga më të egrat në botë.
Është në nderin tonë, që sot të të kujtojmë e të përulemi me veneracion martirët e Postribës.
Të përulemi përpara kalvarit e dinjitetit të treguar nga antikomunistët e vërtetë!
Lavdi të përjetshme martirëve të Postribës!
