Për Emmanuel Eboué një rënie e tillë ishte e vështirë të imagjinohej. Lojtari nga Bregu i Fildishtë ka rrëshqitur në një tunel të pafund, pasi bëri histori me Arsenalin midis viteve 2005 dhe 2011.
Ish-mbrojtësi i krahut luajti për Galatasaray katër sezone pasi u largua nga “Emirates Stadium”, përpara se të kthehej në Premier League në Sunderland më 2016…, ku ai kurrë nuk luajti.
Menjëherë pas nënshkrimit të kontratës me “Black Cats”, Eboué u skualifikua nga FIFA për një vit. Kështu institucioni më i lartë i futbollit botëror e ndëshkoi lojtarin, fajtor se nuk kishte paguar 1 milion euro në xhepat e ish-agjentit të tij, Sebastien Boisseau.
Futbollisti, megjithatë nuk ishte në gjendje të ngrihej pasi humbi kontaktin me fushën. Në janar 2018, ish-mbrojtësi i Arsenalit pranoi se kishte menduar vetëvrasjen për shkak të problemeve të tij financiare në një intervistë për mikrofonat e “Mirror”
Sunderland-i i uroi mirëseardhjen një muaj pas nënshkrimit të kontratës. Eboué tha disa kohë më parë në “RMC Sport”: “FA më pezulloi nga çdo aktivitet, nuk kisha të drejtë të stërvitesha me asnjë klub. Stërvitesha vetëm dhe më vinte turp.
Dilja vrap në mëngjes, por kishte njerëz të cilët po stërviteshin dhe kërkonin të bënin foto me mua. Pastaj më duhej të stërvitesha natën, nuk kishte dritë, por nuk rrija dot në shtëpi”.
Për Eboué ishte e pamundur t’i shikonte fëmijët e tij në fytyrë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë: “Kur i pashë fëmijët e mi, ata më pyetën se kur do të kthehesha në fushë. Kësisoji, kur dilja në mëngjes bëja sikur qëndroja jashtë dhe shkoja në shtëpi kur fëmijët e mi ishin tashmë në shtrat, nuk doja që ata të më pyesnin pse nuk më shihnin duke luajtur”.
Eboué pranoi se u detyrua të merrte ilaqet kundër depresionit, kur bota u shemb mbi të për shkak të skualifikimit: “Shpesh, mbyllesha në dhomën time për tri ose katër ditë”.