Simpati dhe vërshëllima. Tifozët kuqezi kanë qenë të çuditshëm gjatë ndeshjes së djeshme ndaj Italisë. Një moment i veçantë ishte kur në fushë hyri juventini Kieza, i cili mori duartrokitjet e tifozëve, ndërsa e kundërta ndodhi me Leo Bonuçin, i cili u vërshëllye disa herë, kjo për shkak edhe të nervozizmit që pati në fushë në disa momente ku u kap me Keidi Baren, që pjesën e dytë e ktheu në një duel personal me Marko Verratin në mesfushë. Sfida e djeshme Shqipëri-Itali e fituar nga të kaltrit 1-3 kishte edhe momentet e saj pikante që “Panorama Sport” i sjell për lexuesit.
* Ashtu siç ishte thënë për biletat, në “Air Albania” nuk gjeje vend për t’u ulur, pasi italianët u pritën me një stadium të tejmbushur. Rreth 20 mijë tifozë ishin të pranishëm.
* E veçanta në nisje, duke parë formacionet e të dyja skuadrave, binte në sy që në fushë ishin 14 lojtarë që luanin në Serinë A. Nëntë futbollistë ishin në radhët e Italisë dhe pesë të tjerët te Shqipëria.
* Edhe pse një ndeshje miqësore, të dy trajnerët kishin zgjedhur të visheshin me kostum zyrtar, si Edi Reja dhe Roberto Mançini.
* Rasti i parë i rrezikshëm vjen nga Zaniolo, pikërisht tek e njëjta portë ku ylli i Romës shënoi ndaj Fejnordit në finalen e Ligës së Konferencës. Këtë herë shënjestra nuk ishte e saktë përballë Berishës.
* Ismajli shënon duke ngritur stadiumin peshë, teksa gjatë kthimit për te zona e tij, ai kalon mes dy lojtarëve italianë, që ishin vendosur te pika e mesfushës ku niset dhe topi. Në një moment u duk sikur do të godiste topin.
* Ka duele mes Mihajt dhe Zaniolos, por në çdo moment “fairplay” mes tyre, duke i dhënë dorën njëritjetrit.
* Vazhdon “saga”. Trajneri Edi Reja çmendet me Brojën, duke i bërtitur me të madhe në momentin kur humbet topin. Po ashtu edhe Abrashi ka kritika për sulmuesin, të cilit i thotë që të bëjë presing te mbrojtësit dhe mos i lerë që të avancojnë, duke u afruar deri te mbrojtja e Shqipërisë.
* Minuta e 27-të, Bonuçi kapet me Baren me fjalë në distancë, pasi fieraku i bën një faull kapitenit të Italisë, i cili e sheh shtrembët.
* Minuta e 42-të. Rënie e rrezikshme e Tonalit pas një dueli ajror, teksa mesfushori përplas kokën në tokë. Ndalet përsëri loja për disa çaste dhe mesfushori duket se nuk është në gjendje të vazhdojë, teksa më vonë dërgohet në spital me barelë.
* Sërish tension. Bonuçi godet fort një top enkas për Baren, të cilit i përplaset në shpinë dhe del rivënie anësore. Kapiteni i Italisë merr disi “hak” për atë ndërhyrje të mëparshme të mesfushorit.
* Pjesa e dytë nis me një lajm të keq për kuqezinjtë pasi Broja lë fushën e lojës dhe gjatë daljes merr duartrokitjet e të gjithë stadiumit.
* E dyta e gjen Rejën me një xhup të madh sipër kostumit, pasi edhe temperaturat u ulën disi.
* Protestojnë ashpër Bonuçi dhe Bastoni për një pozicion jashtë loje të kërkuar, por anësori nuk është i këtij mendimi. Shqipëria për pak sa nuk shënon. Pas këtij episodi, tifozët kuqezi të vendosur prapa portës dhe afër Leos fillojnë në kor: “Bonuçi, Bonuçi, Va fa C…”
* Në minutën e 61-të tensionohet sfida me një përplasje të fortë mes Bares dhe Verratit në fushë. Duhet ndërhyrja e futbollistëve të tjerë për të ndarë dy mesfushorët, të cilët më pas ndëshkohen me karton të verdhë.
* Për disa minuta, asnjë trajner nuk duket te vendi ku rrinë zakonisht në këmbë, si Reja dhe Mançini u ulën në stol në të njëjtën kohë.
* Një send fluturon drejt Bonuçit, me shumë mundësi çakmak. Kapiteni italian ia bën me shenjtë gjyqtarit dhe nuk e kupton këtë sjellje të tifozëve shqiptarë.
* Sërish “xixa” mes Bares dhe Verratit. Fieraku i ndërhyn me gjithë forcën e mundshme kur është në duel me lojtarin e PSG-së. Teksa Verrati fiton faull, Bare qesh. Ndërkohë italiani ia bën me dorë duke nënkuptuar: “Hajde prapë, hajde”.
* Zëvendësimet e Shqipërisë kanë një të veçantë. Ismajli i dëmtuar i lë vendin në fushë Adrian Bajramit, por ndërkohë një tjetër Bajram del nga fusha. Nedimi e mbyll në minutën e 71-të, duke u ndërruar me Asllanin.
* Moment i veçantë në fund. Frederiko Kieza hyn në fushë dhe merr duartrokitjet e stadiumit. Por e kundërta ndodh me Bonuçin, i cili pasi lë fushën merr vërshëllima.
* Debuton Pafundi. 16- vjeçari i Udinezes hyn në historinë e kombëtares italiane, duke u bërë lojtari më i ri që ka luajtur me të kaltrit.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL