Problemet nuk kanë fund për opozitën. Çështja e Avokatit të Popullit ka nxjerrë në sipërfaqe mosmarrëveshjet mes deputetëve të grupit parlamentar, të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. Nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi, në emisionin “Pa Censurë”, foli për vendime të gabuara të opozitës në lidhje me Avokatin e Popullit.
“Shpreh keqardhje qe opozita humbi shansin për të zgjedhur Avokatin e Popullit. Ne nuk ishim në gjendje as si grup parlamentar, as si opozitë, 62 deputetë, qoftë dhe një grup i vogël që mori përsipër të negocionte me PS, që ne të dilnim vetëm me 1 kandidat për Avokatin e Popullit.- u shpreh zonja Çupi.
Nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ligjeve i tha gazetares Elona Meço se Avokati i Popullit u humb për shkak të interesave personale brenda grupit.
“Veprimi i tërheqjes së mbështetjes së deputetëve për kandidatët ishte i gabuar. Për pasojë, duke mos qenë seriozë si opozitë për t’i propozuar Kuvendit vetëm 1 kandidaturë, ndoshta për lojra meskine apo interesa personale të dikujt, opozita nuk mund të ketë Avokatin e Popullit, siç i takonte.”- theksoi zonja Çupi.
Por, pavarësisht lëvizjeve të opozitës, a duhet që PS të mos kishte shkelur paktin e hershëm shumëvjeçar me PD?
“Nuk kam asnjë shpresë tek premtimet e PS. PS bën llogaritë e veta politike. Unë shoh çfarë bën opozita. Për interesa meskine, për interesa personalë, ne nuk qemë të zotët të bëhemi bashkë si opozitë, që të kishim 1 kandidat të vetëm që të votohej në Kuvend.”- theksoi Dhurata Çupi, e cila nuk iu bind kërkesës në momentin e fundit për tërheqjen e firmave mbështetëse për kandidatët e tjerë të opozitës.
“Nuk e tërhoqa firmën. Nuk mbështes vendimin, sepse çdo veprim ka moralin e tij. Kuptova që po bëhej një lojë jo e moralshme në fund për të tërhequr mbështetjen.”- u shpreh zonja Çupi, e cila tha në emisionin “Pa Censurë” se opozita nuk duhet t’i besojë lojrave të PS, por t’i qendrojë deri në dund vendimeve politike që merren në grup.