I ftuari i parë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, i cili me anë të fotografive rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim të rrallë për jetën e tij.
Boçi ndër të tjera foli për marrëdhënien e ngushtë që ka patur me familjarët e tij. Ai tha se ata gjithmonë kanë qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Edhe aktiviteti politik i Luçianos ka qenë i lidhur ngushtësisht me familjen dhe me vendin e tij të lindjes, Elbasan.
Politikani mes emocionesh tregoi lidhjen e veçantë që ka patur me të atin, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta pak kohë më parë. “Komunikimi me të ka qenë shumë i afërt. U thye diçka shumë e madhe kur e humba. Ka qenë shoku im i ngushtë që më ndiqte kudo”, tha Boçi, teksa shtoi se humbja e tij tashmë është një motiv më shumë që ta bëjë atë krenar.
Ndërkohë për nënën Luçiano tha se pavarësisht viteve që ikin, përkëdheljet dhe fjalët e saj të ngrohta nuk mungojnë asnjëherë, “Më thotë fjalët më të bukura dhe më hyjnore”, tha për nënën.
Gjatë bisedës Boçi tregoi se ka qenë një nxënës me rezultate të shkëlqyera dhe dëshira e tij e madhe ka qenë që studimet t’i vazhdonte për shkencat ekzakte, por kjo gjë nuk ndodhi pasi atij si fillim nuk i doli e drejta e studimit dhe me shtesat arriti të futej në degën e gjuhë-letërsisë. Ndërkohë tha se paralelisht ka qenë shumë i angazhuar edhe në basketboll.
Luçiano zbuloi se në fillimet e tij nuk e kishte menduar ndonjëherë të përfshihej në politikë, por më pas ishte dimensioni i lirisë që e shtyu atë drejt saj.