Analisti Neritan Alibali shprehet se ka bisedime në bazë mes dy grupimeve në Partinë Demokratike për përcaktimin e kandidatëve të përbashkët në zgjedhjet vendore.
I ftuar në emisionin “Log.” në “Panorama TV”, Alibali zbuloi se kandidati i Primareve për Durrësin, Igli Cara dëshiron që të regjistrohet në zgjedhje nën logon e Partisë Demokratike.
Alibali: Unë di që ka bisedime konkrete në bazë mes dy palëve të PD-së. Kam informacione se kandidati për kryetar i bashkisë së Durrësit, i cili ka fituar nga Primaret, është pranë pranimit në parim që të paraqitet dhe të regjistrohet si kandidat i PD-së nëse do ketë marrëveshje të përbashkët. Ne po kthehemi prapa tani në periudhën e diskutimeve Bardhi-Paloka, kur ofroheshin kandidatë, kërkonin grupi i Berishës që të përfshiheshin vetëm kandidatët e Primareve, ndërsa pala tjetër kërkonte zgjidhje të tjera.
Kujtojmë se që prej vendimit të GJykatës së Apelit për vulën, grupi i Alibeajt i ka ofruar grupit të Berishës që të bashkëpunojnë, teksa ftoi edhe kandidatët e “Primareve” që të bëhen pjesë e garës.
Ndërkohë, Berisha ka refuzuar çfarëdolloj bashkëpunimi me grupin e Alibeajt.