Lagështia në rrugë është bërë shkak për disa aksidente këtë të diel, ku kanë mbetur të plagosur 18 persona. Në Rrugën e Kombit një automjet me targa të Serbisë është përplasur me trafikndarësen dhe ka dalë nga rruga në fshatin Gziq. Për pasojë janë plagosur 5 anëtarë të së njëjtës familje që po udhëtonin drejt bregdetit për pushime. Burrë e grua dhe 3 fëmijët e tyre u dërguan në spitalin e Rrëshenit, prej ku mësohet se gruaja ndodhet në gjendje të rëndë.
Pak minuta pas këtij aksidenti, rreth orës 07:30 të mëngjesit në vendin e quajtur “Safari park” në Fier u përplasën dy automjete, ndërsa 10 persona u lënduan. Sipas policisë, dy pasagjerë 25 dhe 56 vjeç ndodhen në spital në gjendje të rendë, ndërsa 2 drejtuesit e mjeteve dhe 6 pasagjerë të tjerë u transportuan në spital për të marrë mjekim dhe për të kryer ekzaminimet e nevojshme
Ndërkohë në Shkopet dy persona janë plagosur pasi makina me të cilën udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi disa metra poshtë saj. Aksidenti ndodhi në aksin rrugor Burrel–Skuraj, në vendin e quajtur “Vabli”. Të plagosurit po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Laçit.
Në Korçë, një makinë me drejtues një 74-vjeçar ka përplasur një motor, duke lënë të plagosur drejtuesin e saj. Shtetasi me iniciale D. H., u dërgua për mjekim në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.