HomeOP EDPolitika në Shqipëri prodhon vetëm propagandë, jo demokraci

Politika në Shqipëri prodhon vetëm propagandë, jo demokraci

Advertismentspot_img

*Prof.Dr.Rexhep Uka

TË NDERUAR ZONJA E ZOTËRINJ!
Ju falenderoj sinqerisht për ftesën. E konsideroj privilegj dhe nder të jem midis njerëzve që me nismën e tyre, investuan për lirinë dhe demokracinë.

Rrëzimi i komunizmit për masën më të madhe të popullsisë qe bërë gati një ëndërr e pamundur, por asnjëherë tek rinia. Ajo, dhe në veçanti ajo studentore, jo vetëm nuk u pajtua me regjimin por u ndesh me të pa iu trembur syri deri sa e përmbysi.

Tashmë, në sajë të kësaj lëvizje për liri e demokraci, auditoret e fjalës së lirë janë të hapura. Sot në festën e rinisë, një ndër festat më të bukura këto 34 vjet, një herë në vit, nuk është pak, mblidhemi këtu në “strofkën” tonë të ngrohtë ku ndjehemi vërtetë mirë. Tubimet tuaja, sa herë kemi fatin t’i ndjekim, sa vjen e vertetojnë se këtu “nuk ka doreza”, këtu sundon fjala e lirë, nuk ka pengje e të kapur, këtu është germplazma e opozitës, nëse diku mungon ‘’tharmi’’ i kundërshtisë, ai gjendet këtu. Opozitarizmi për shtetin e së drejtës nuk ka asnjë lidhje me luftën për karrige pushteti. Dhjetoristët kanë qenë të kthjellët që në ditën e parë të lëvizjes së tyre ; me ‘’0’’ struktura, infrastruktura, logjistikë, ata rrëmbyen zemrat e një populli dhe gjetën tek ai të gatshme mbështetjen me mosbindjen më të madhe civile që Shqipëria ka shpalosur ndonjëherë.

Sot, dikujt që nuk i ka përjetuar ato ngjarje të Dhjetorit ’90, mund t’i duket si përrallë, por për ne, si dëshmitarë të drejtpërdrejtë, tek shkonim për të parë nga afër e ndjekur pas, për t’i parë në fytyrë ata djem dhe vajza me plotkuptimin e fjalës trima e trimëresha, ende sot pas 34 vitesh, shijojmë dhe mbushemi me emocionet e dikurshme e do t’u jemi mirënjohës sa të jemi gjallë.

E nëse ka një grupim njerëzish që historia do ta kujtojë gjithmonë, është ai i studentëve të Dhjetorit ’90, autorët dhe aktorët e vërtetë të përmbysjes së komunizmit. Edhe se ka patur tentativa për ta mohuar, minimizuar, deri edhe përfolur, rolin dhe kontributin e tyre, sot ata, në një moshë tjetër, i vetmi ndryshim që kanë bërë, janë këtu, përsëri protagonistë, opozitarë të vërtetë, të paepur, për të mbrojtur misionin e tyre të madh liridemokracinë, integrimin, shqipërinë në një hap me Europën.

Ata kanë emra të përveçëm, por ata ishin anonim në fillimet e tyre, emri i përbashkët i tyre, do të thoja madje emëruesi ishte ideali i madh i lirisë dhe demokracisë. Ata asnjëherë nuk u bënë pjesë e ‘valleve’ të drejtura nga shkopi i një dirigjenti, që fshehtas dhe drejtpërdrejt, i drejtonte për nga rruga e kthimit në të kaluarën, nuk u dorëzuan asnjëherë as u përdorën dot nga pushteti. Kemi të drejtën të krenohemi që i ndoqëm, të bindur se ishin me hapin e kohës.

Ata, me lëvizjen e tyre, hapën një epokë të cilën, më vonë, do të mësonim që është një mister sfidash, dilemash, të panjohurash dhe, mbi të gjitha, fitorja e pluralizmit mund të kanosej çdo çast nëse binomi liri-demokraci nuk ecën përkrah, liria e painstitucionalizuar, e vetme, mund të sjellë kaos, e kaluara ‘flinte brenda nesh zgjuar’, e gatshme si një sustë e shtypur për t’u kthyer në statusin e mëparshëm. Pamë se çfarë dhimbte ndjenë ish pushtetarët e regjimit, por edhe të mëpstajmit, kur humbën opulencën e gjithçkasë. Po ashtu, pamë edhe ‘ndërrimin e kostumit’ deri edhe tek më të zellshmit nostalgjikë të regjimit, për të qënë në pafundësi e pambarimësi përsëri në ‘’avanguardë’’. Çfarë demaskimi, jeta paska atributin të të japë mjaftueshëm ‘’shansin’’ e shtirjes por edhe të demaskimit . Tironsit kanë një shprehje urimi që më tingëllon bukur: “FUNI ME HAJËR”

E ja sot, duke hequr çdo syze subjektivizmi dhe anësie, Shqipëria ka ndryshuar, por zhvilluar shumë pak. Rekorde has njeriu në këtë vend. Dikush magjepset me ritmin, bota fandakset me folklorin, jam edhe une fans i shqiponjës, duam pak adrenalinë. Ambicja e vitaliteti shqiptar janë të papërballueshme, përsërisim historinë. Shqiptarët kudo në botë, për 34 vjet, kanë riformatuar profilin dhe jo vetëm nuk i shpëtojnë mbikqyrjes së të huajve, por marrin dhe vlerësime admiruese.

Por ajo çfarë me dhimbje kam konstatuar nga politika është besimi i tepruar, zënia besë tek disa politikanë, qesharakë, karagjozë, delirantë, lidër dizastër të cilët nuk duhet të kenë kurrë tagrin e qeverisjes.

Kjo “racë” politikanësh në çdo fushatë premton qeverisje demokratike dhe realizon, par excellence, vetëm sundim. Politika si resursi human më i madh, tek ne prodhon vetëm politikë propagandistike, jo demokraci.

Paradokset nuk kanë të sosur, thonë se kemi buxhetin më të madh në historinë e demokracisë, me gjysmën e popullsisë. Ndërtime marramendëse, urbanizim i tejskajshëm, bujqësi që askush nuk e di për kah po mban, fshat i thënshin. Mbi të gjitha, korrupsion dhe analistikë. Nuk desha të futem këtu se e di që do përfundoja tek terminali, në mijëvjeçarin e qëndrueshmërisë, a do të mbijetojmë si efemeroidë? Ska shans, në këtë epokë, sikur nuk mjaftuan regjimet që kemi parë, po provojmë edhe ‘anthropocenin’. Do mundim vallë? Sigurisht që po! Por nuk do kisha dashtë “cop-cop” siç thonë shkodranët.

E gjithsesi, nëse nuk jemi në rrugën që do vendi dhe koha, jemi në kohën e mundësive të kahjeve dhe stacioneve të duhur.

Sot është ceremonial feste, kurrë nuk kemi arsye të shkasim në pesimizëm.

Ju falemnderit!

*Fjala përshëndetëse në Ditën e Rinisë, 8 Dhjetor 2024 në “TOB”

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular