Qindra njerëz janë detyruar të largohen nga ishulli grek i Santorinit, pas një tufe tërmetesh të tmerrshme. Lëkundjet me magnitudë deri në pesë ballë kanë ngritur shqetësimin se vullkani që formon shkëmbinjtë e pjerrët piktoreske të Santorinit mund të shpërthejë. Rreziku është mjaft i lartë sa autoritetet greke thirrën në një takim urgjent Komitetin e Përhershëm të Monitorimit Shkencor për të diskutuar mundësinë e shpërthimit. Fatmirësisht, profesori David Pyle, një vullkanolog nga Universiteti i Oksfordit, siguron se rreziku i një shpërthimi është ‘shumë i vogël’.

Duke folur për MailOnline, ai tha: “Nuk ka asnjë shenjë që lëkundjet të jenë të lidhura drejtpërdrejt me vullkanin e Santorinit”. Dhe nuk ka asnjë tregues për ndonjë ndryshim në Santorini, si rezultat i kësaj. “Masat paraprake që janë marrë në Santorini janë marrë për të reduktuar rrezikun, në rast se tërmetet që po tronditin ishullin do të çojnë në rrëshqitje të dheut ose dëmtime ndërtesash.” Por banorët nuk mund të pushojnë, pasi shkencëtarët kanë paralajmëruar se një tërmet i mundshëm mund të dërgojë një cunam në ishull.

Që nga e premtja e kaluar, qindra lëkundje kanë goditur ishullin grek të Santorinit. Tërmetet bien çdo 10 minuta gjatë disa periudhave ditore. Duke filluar nga 28 janari, ishujt Santorini dhe Amorgos u tronditën nga lëkundje pothuajse të vazhdueshme me magnitudë tre deri në katër ballë. Sipas instrumentit të monitorimit të tërmeteve të Universitetit të Athinës, më shumë se 555 tërmete kanë goditur zonën këto ditë. Shumica e kësaj serie lëkundjesh ndodhen midis 12 dhe 22 miljeve (20-35 kilometra) në veri të Santorinit pranë një ishulli të pabanuar të quajtur Anydros.

Asnjë nga tërmetet nuk ka qenë mjaft i fortë për të shkaktuar dëme të konsiderueshme, por ka shqetësime në rritje se këto janë vetëm një prelud për një ngjarje më të rrezikshme. “Ky nivel i aktivitetit sizmik është shumë i pazakontë. Në 50 vitet e fundit, ka pasur një sekuencë të vogël tërmetesh nën vetë Santorinin nga 2011-2012, por tërmetet ishin kryesisht më të vogla dhe shkalla me të cilën ndodhën ishte gjithashtu më e ulët”, thotë profesor Pyle. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha nga një takim në Bruksel se “kemi një fenomen shumë intensiv gjeologjik për të trajtuar.” Ai shtoi se “dua t’i kërkoj banorëve të ishullit në radhë të parë të qëndrojnë të qetë, të dëgjojnë udhëzimet e Mbrojtjes Civile (autoritetit).’

Shqetësimi kryesor i autoriteteve janë efektet potencialisht vdekjeprurëse të një tërmeti më të madh, por ka gjithashtu shqetësime se këto lëkundje mund të jenë një shenjë e një shpërthimi vullkanikik. Santorini ndodhet në një tipar gjeologjik të quajtur Harku Vullkanik Helen, nga një seri vullkanesh që u formuan rreth 2.5 milionë vjet më parë për shkak të zhvendosjes së pllakave tektonike. Dr Dimitris Sakellariou, një ekspert për gjeologjinë detare nga Qendra Helenike për Kërkimet Detare, tha për MailOnline: “Ka dy qendra kryesore vullkanike në zonë: e para poshtë Kalderës së Santorinit, e dyta, vullkani nëndetësor Kolumbo, afërsisht 7 km në verilindje të Santorinit.’

Vullkani i Santorinit shpërtheu për herë të fundit në vitin 1950, duke prodhuar një sasi të vogël llave dhe duke dërguar retë e hirit disa qindra metra në qiell. Megjithatë, gjeologët besojnë se një shpërthim shumë më i fuqishëm ndodhi rreth vitit 1620 pes, i cili shkatërroi një pjesë të madhe të ishullit, e mbuloi rajonin me hi dhe madje besohet se ka kontribuar në rënien e qytetërimit të fuqishëm Minoan. Fatmirësisht, ekspertët pajtohen se aktiviteti aktual sizmik nuk lidhet me asnjërin nga vullkanet e rajonit.