Një gjykatës i Gjykatës së Qarkut në Nju Hempshir, Joseph N. Laplante, bllokoi të hënën urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump, që synonte t’i jepte fund të drejtës së shtetësisë për fëmijët e personave që qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara pa dokumente.
Ky është gjykatësi i tretë që merr një vendim të tillë pas dy vendimeve të ngjashme në Siatëll dhe Merilend.
Vendimi i gjykatësit vjen pas dy vendimeve të ngjashme të gjykatësve në Siatëll dhe Merilend. Padia, e bërë nga Unioni amerikan për të Drejtat Civile, pretendon se urdhri i zotit Trump shkel Kushtetutën dhe “përpiqet që të zhbëjë njërën prej vlerave kushtetuese themelore amerikane”.
Administrata republikane e Presidentit Trump thotë se fëmijët e atyre personave që nuk janë shtetas amerikanë nuk janë “subjekt i juridiksionit” të Shteteve të Bashkuara dhe për rrjedhojë nuk gëzojnë të drejtën e shtetësisë.
Administrata e ka dërguar vendimin e gjykatësit të Siatëllit në gjykatën e apelit.
Në qendër të padive në të tre rastet është Amendamenti i 14 i Kushtetutës, i ratifikuar në vitin 1868 pas Luftës Civile dhe në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë në rastin e Dred Scott-it, në të cilin thuhet se Scott, një skllav, nuk ishte shtetas ndërsa jetonte në një shtet ku skllavëria ishte shpallur e jashtëligjshme.
Në vitin 1898, në rastin e njohur si Shtetet e Bashkuara kundër Wong Kim Ark, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi që fëmijët e vetëm që nuk marrin automatikisht shtetësinë amerikane pasi të lindin në tokën amerikane janë fëmijët e diplomatëve, të cilët janë zotuar për besnikëri ndaj një shteti të huaj; armiqtë që janë të pranishëm në Shtetet e Bashkuara gjatë një situate lufte, ata që kanë lindur në anije të huaja dhe foshnjat e fiseve autoktone në Amerikë.
Shtetet e Bashkuara janë ndër 30 vendet ku aplikohet e drejta e shtetësisë në lindje. Shumica këtyre vendeve janë në Amerikën Latine, ndërkohë që ndër to janë edhe Meksika e Kanadaja.