NGA PROF. DR. BESNIK ALIAJ
REVOLUCIONET ZAKONISHT NUK JANË SHUMË POPULLORE
Fjala “popullor” shpesh i bashkëngjitet “revolucionit”. Dhe në të vërtetë, në fazat e tyre të fillestare e më të nxehta, revolucionet kanë shpesh një pjesëmarrje masive të “popullit”. Por, historia na mëson se roli i masave popullore është më së shumti ai i fasadës. Një revolucion në thelb është zëvendësimi i një elite të vjetër me një të re, gjë që nuk nënkupton domosdoshmërish konfrontimin ushtarak. Njerëzit shpesh mund të mashtrohen duke u thënë se do të marrin pushtetin në duart e tyre, por, pasi i pritet koka një mbreti, zbulojnë se një tjetër mbret vjen në pushtet. Mendoni për shembull se si francezët hoqën qafe mbretin e tyre në vitin 1793, pastaj, pak më shumë se 10 vjet më vonë, në 1804, ata patën një Perandor si Napoloni në këmbim. Mendoni edhe për revolucionin rus: Tolstoi na jep një panoramë të plotë të elitës cariste në mesin e shekullit të 19-të në romanin e tij “Ana Karenina” (1877), ku një grup parazitësh në pushtet ishin të interesuar për asgjë, përveç parave dhe vetëpromovimit. Ata u rrënuan më pas nga Revolucioni Komunist i Tetorit në 1917. Por sot vështirë se dikush thotë se punëtorët sovjetikë kanë qenë ndonjëherë në pushtet gjatë Bashkimin Sovjetik. Përkundrazi, qeveria sovjetike u drejtua nga një elitë e re, e njohur si “nomenklatura”, e cila nga më pas u fshi vetë nga revolucioni i “Murit të Berlini” në 1991.
Elitat në fakt janë të domosdoshme për funksionimin e shtetit dhe pavarësisht nga argumenti parimor se një shoqëri e përsosur nuk duhet të ketë nevojë për elitë, de fakto nuk mund të gjejmë realisht një rast të vetëm në histori që të kemi shoqëri “pa elitë”. Problemi është se të gjitha elitat, ashtu si çdo organizëm njerëzor gjatë jetës së tyre, priren të bëhen joefikase, të kushtueshme dhe shpesh kundërproduktive, duke hyrë në një proces autoregresi sa i takon “kompleksitet-it” të tyre. Mund të themi se në këto kushte, ato akumulojnë entropi (dmth., mungesë rregulli dhe aftësie parashikimi, ose kalimin gradual në kaos); gjë që është tipike dhe për sistemet komplekse qeverisëse. Problemi bëhet veçanërisht serioz, sepse sistemi aktual social-ekonomik që po jetojmë është futur në një proces në tkurrje, që vjen prej stresit nga kërcënimet ushtarake dhe luftërat rajonale, varfërimit të burimeve ekonomiko-financiare, rënies demografike dhe emigrimit masiv, problematikave mjedisore në rritje etj., gjëra që në fund zvogëlojnë aftësinë e vetësistemit për të mbështetur elitat e tij. Në këto rrethana elita fillon të bëhet një parazit i madh që thith burimet jetike të shoqërisë. Kjo situatë imponon logjikën se përmasa e klasës elitare duhet të reduktohet, por elitat nuk janë të afta për t’u vetëreformuar në këtë aspekt, sepse ato nuk e kanë aftësinë për të ulur vetë numrin e tyre. Në praktikë, elitat vazhdojnë në kahjen e kundërt me zhvillimet e realitetit, duke u rritur e zgjeruar më shumë.
Rezultatet dihen: krijohet një strukturë shoqërore shumë e rëndë, stimulohet shfrytëzimi i egër i popullsisë së varfër, promovohet joefikasiteti i cili pastaj përhapet kudo; kjo inkurajon padrejtësinë dhe shumë simptoma të tjera negative në shoqëri. Gjithçka udhëhiqet në fakt nga deformimet e politikës dhe korruptimi i madh i pushtetit, të cilat detyrohen të gjenerojnë një shtet policor, nëpërmjet të cilave elitat dominuese të lidhura me pushtetin përpiqen dëshpërimisht të ruajnë pushtetin e tyre duke përdorur forcën. Normalisht, kjo situatë nuk mund të zgjasë pa fund. Në fakt, duke i detyruar njerëzit e thjeshtë të lypin për mbijetesë, elitat shkatërrojnë padashur vetë burimin e tyre të pasurimit dhe rezultati final i kësaj situate absurde është kolapsi. Në institucionet e shtetit, kolapsi është zakonisht traumatik dhe përfshin shumë dhunë e shkatërrim. Kurse në sipërmarrje, kolapsi imponon atë që njihet si “ristrukturim i korporatës”, gjë që nuk është një proces i dhunshëm, por sigurisht që është traumatik për ata që ristrukturohen. Situata post-elektorale në SHBA është një shembull i qartë i fillimit të një revolucioni. Elita e vjetër amerikane, e njohur ndryshe si “shteti i thellë” (deep state), ishte bërë shumë e madhe, shumë joefikase, e rëndë, parazitare, madje e dhunshme.
Qartësisht, ajo po zëvendësohet me një të re. Është rënie çuditërisht e shpejtë, por po ndodh. Vrulli i “Revolucionit MAGA-ist” duket i jashtëzakonshëm dhe opozita në SHBA është reduktuar pak a shumë në një grusht veteranësh të majtë, që bërtasin lart e poshtë dhe nuk i dëgjon më kush. Bën vaki që ky revolucion të mos ketë 100% sukses edhe këtë radhë, por koha qartësisht ka ardhur. Fati i të gjitha elitave në fakt është të lindin si shpëtimtarë dhe të vdesin si parazitë. Elita e deritanishme e SHBA-ve mund të jetë duke u zhdukur nga skena, në të njëjtën mënyrë siç ra edhe elita e vjetër sovjetike: e dënuar nga mungesa e efikasitetit të saj dhe e shtyrë për të krijuar me detyrim hapësirë për një elitë tjetër të re. Kjo gjë pritej, edhe pse jo kaq shpejt. Edhe pse rënia e saj mund të dështojë prej rezistencës së forcave të caktuara, një gjë është e qartë sot: Kjo krizë elitash që po ndodh në SHBA është në fakt një revolucion, me implikime në mbarë botën, përfshi edhe Shqipërinë.
SHBA DHE BRSS – RIORGANIZIM I NGJASHËM I ELITAVE
Situata e trashëguar e SHBA-ve duket fatalisht shumë e ngjashme me atë të rënies së BRSS në 1991. Mjaft autorë dhe analistë kanë vënë në duke se si të dy superfuqitë në vitet ‘80-të kishin struktura të ngjashme sociale dhe ekonomike dhe se, për rrjedhojë, atyre u duhej të ndiqnin rrugë të ngjashme drejt kolapsit (nënkupto ndryshimin). Në BRSS, shteti ishte në duart e një “klike oligarkësh partiakë” që thithnin shumicën e burimeve të shtetit. Kolapsi mbërriti menjëherë pas tërheqjes nga lufta e Afganistanit në vitet ‘80-të, pushtim i cili kishte shkaktuar një dëm të madh në burimet sovjetike. Pak më shumë se 30 vjet më vonë, SHBA do të tërhiqeshin gjithashtu nga Afganistani, edhe pse rreziku i saj i vërtetë mund të jetë me shumë konflikti në Ukrainë. Në çdo rast, edhe SHBAtë duket se janë gjithashtu në duart e një “grupi të korracuar oligarkësh” parazitarë, të cilët duket se nuk po bëjnë asgjë përveçse të derdhin pasurinë e vendit dhe të aleatëve në llogaritë e tyre bankare. Me sa duket, kushtet e ngjashme çojnë në rezultate të ngjashme.
REVOLUCIONET JANË TË PASHMANGSHME, POR JO GJITHMONË TË MIRA
Revolucionet mund jenë të nevojshme dhe të pashmangshme, por ato nuk rezultojnë të jenë gjithnjë gjëja më e mirë. Revolucioni që tashmë ka nisur në SHBA ka një vrull të jashtëzakonshëm, por ndoshta edhe shumë rreziqe për dështim. Duhet të presim të shikojmë rezultatin final të kësaj beteje në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kjo, sepse elitat e vjetra ende kontrollojnë aparatin ushtarak amerikan. Ato mund të jenë proaktive, por mund të vendosin edhe të mos bëjnë asgjë, siç bëri Ushtria e Kuqe në vitin 1991. Një opsion, edhe pse me shanse minimale, mund të jetë të përdorin forcën për të ndaluar Presidentin e sapozgjedhur dhe ndjekësit e tij. Po a mund të ndodhë ndonjëherë që të shohim tanke që rrotullohen në Uashington, siç pamë më 1991 në Moskë? Historia rrotullohet kur dhe siç vendos ajo. Ndaj koha është prova më e saktë për këto dilema! Por edhe në këtë skenar ekstrem, problemet me elitën e trashëguar e të fryrë të SHBA-ve mund të shtyhen dhe nuk mund të zgjidhen.
Prandaj, përgatitja serioze përpara se të eksterminohet sistemi dhe elita e trashëguar është receta e vetme që shmang një kolaps si ai i Senekës në histori. “Efekti i Senekës” ose “Kolapsi i Senekës” është një model matematikor, i propozuar nga profesori i Universitetit të Firences, Ugo Bardi, për të përshkruar situatat ku niveli i rënies së një sistemi është shumë më radikal, se niveli i tij i mëparshëm i rritjes. Vetë Seneka thotë: – Çfarëdo sistem ose strukturë që është krijuar dhe rritur përgjatë një sekuence të gjatë vitesh, me koston e mundit të madh të njerëzve dhe mirësinë e madhe të perëndive; – vjen një ditë që (ri)shpërndahet sa hap e mbyll sytë, qoftë kjo brenda një dite apo një momenti të vetëm (sado fatlum apo fatkeq të jetë ky moment). Kjo (ri)shpërndarje, e cila mbërrin me vrullin dhe shpejtësinë e një çasti kohe, mjafton të përmbyse edhe një perandori! Do të ishte një lloj ngushëllimi për njerëzit dhe veprat që ata krijojnë, nëse gjërat që ata krijojnë me shumë sforco dhe kohe, do të shuheshin po aq ngadalë sa ato vijnë në ekzistencë. Por perënditë për arse të panjohura kanë vendosur që rritjet të jenë të mundimshme dhe ngadalta, ndërsa rruga drejt shkatërrimit të jetë e shpejtë dhe fatale.
Pra, elita e re që po merr pushtetin në Uashington duket se është kryesisht një grup teknokratësh mjaft inteligjentë dhe kreativë, që e fitojnë pasurinë dhe fuqinë e tyre duke kontrolluar internetin dhe sistemin e komunikimit në Perëndim. Ata vijnë së bashku me një ideologji: “MAGA-izmin”, që mbart në formim një gjeneratë e cila ka kaluar përvojat e hidhura të shekullit të 20-të plot dhunë dhe racizëm. Për fat të mirë, kohët tona duket se janë disi më pak të dhunshme se të vjetrat, por sidoqoftë, ne do të shohim shumë protagonistë të elitave të deritanishme që së shpejti do të eliminohen (virtualisht) nga skena. Oligarkëve të vjetër, në rastin më të mirë, do t’u thuhet të tërhiqen në vilat e tyre dhe të qëndrojnë të qetë. Dhe ata besoj se do të jenë shumë të lumtur që t’ia hedhin kaq lehtë! Në çdo rast, përveç goditjeve të pandërprera që po vijnë nga administrata “Trump” dhe ndjekësit e tij, SHBA-ve do u duhet ndërkohë të braktisin ambiciet e tyre perandorake, të zvogëlojnë praninë e tyre ushtarake jashtë shtetit, të përqendrojnë burimet në territorin e tyre dhe të rindërtojnë një sistem ekonomik që nuk varet nga grabitja e vendeve të tjera. Nuk dimë sa e mundur është kjo. Rusia ia doli ta bëjë këtë gjë, por nuk ishte pa dhimbje për popullin rus.
RREZIKU MË I MADH: KOLAPSI I SISTEMIT TË KËRKIMIT SHKENCOR NË SHBA DHE NË BOTË
Një efekt sekondar specifik që mund të vijë si pasojë i Revolucionit MAGA-ist, qoftë dhe padashur, është rreziku i kolapsit total të sistemit të kërkimit shkencor në SHBA dhe më gjerë. Ideologjia MAGA-s mbart me vete një brez të fortë me prirje deri diku disi antishkencë. Kjo është e kuptueshme nga njëra anë, sepse sistemi i trashëguar i kërkimit në SHBA dhe në Perëndim ka probleme serioze dhe ka evoluar bashkë me pjesën tjetër të burokracisë qeveritare, duke u bërë de-fakto një sistem i fryrë e joefikas dhe që shpesh shpërdoron paratë publike për të pasuruar burokratët dhe parazitët e ndryshëm në institucione (mjaft shkencëtarë gjithashtu me teoritë e tyre eksperimentale bëhen me ose pa dashje justifikuesit e sistemeve sociale të papaguara dhe shfrytëzuese). Sigurisht, sistemi i kërkimit ka shumë nevojë për reforma rrënjësore. Në minimum, reforma duhet të rregullojë ndërveprimet midis akademisë dhe industrisë, të cilat gjithashtu shpesh rezultojnë në nisma fiktive në funksion të shitjes së produkteve të padobishme dhe ndonjëherë edhe të dëmshme për publikun (kujto këtu krizën e pandemisë COVID-19 dhe debatin për vaksinat).
Për të mos folur më tej për skandalin e sistemit të botimeve shkencore, i cili funksionon duke i detyruar shkencëtarët që të përdorin paratë publike ose burimet private për të paguar botuesit globale (alias me “faktor impakti”), të cilët kanë marrë kontrollin e punës së bërë nga shkencëtarët me para publike, që ata më pas vazhdojnë ta shesin, duke vjelë edhe më shumë para nga publiku. Ka edhe më shumë, por le të mos hyjmë në këtë moment në detaje. Rreziku kryesor për të cilin flasim është se reforma e sistemit të kërkimit shkencor mund të mos jetë thjesht një reformë, por të politizohet në atë fare feje, sa më shumë gjasa mund të reduktohet në një shkurtim drastik të fondeve për shkencën (gjë që ka ndodhur më parë dhe po ndodh edhe aktualisht). Kjo do të ishte një katastrofë, një humbje sa kombëtare dhe globale, sepse askush nuk mund të ringrejë nga hiçi një shtresë të re shkencëtarësh, ose t’i rihidratojë të mëparshmit sa herë t’i teket dhe vetëm kur është e nevojshme për politikën dhe qeverisjen. Shkenca dhe burimet njerëzore në shkencë kanë ligjësitë dhe ritmet kohore të veta, të cilat janë shumë delikate.
Kur shkencëtarët ndalojnë së kryeri kërkime për më shumë se disa vjet, ata vjetërsohen dhe bëhen të padobishëm. Është shumë të vështirë për t’i ritrajnuar dhe rifutur përsëri në sistem (i cili ka avancuar ndërkohë bashkë me kontekstin). Pra, ne rrezikojmë kështu të humbasim kompetencën e ndërtuar në disa dekada punë. Kjo është veçanërisht e vërtetë, sidomos për zonat gri dhe kufi në shkencë që MAGA-istët i konsiderojnë të pakëndshme, përfshi psh.: kontrollin e ndotjes, shkencën e klimës dhe studimet e ekosistemit etj.. Në këtë mënyrë, shoqëria do të humbte mjetet që na duhen për të kuptuar se çfarë po ndodh në realitet dhe çfarë ka të ngjarë të ndodhë në të ardhmen e afërt, në fusha të tilla sensitive. Diçka e ngjashme ndodhi mbi tri dekada më parë edhe me sistemin sovjetik të kërkimit, të cilit i prenë fondet dhe e lanë pas dore për mbi një dekadë. Shkencëtarëve sovjetikë dhe atyre lindorë u duhej të braktisnin kërkimet e tyre, të largoheshin jashtë vendit dhe në perëndim, ose të bëheshin punonjës bankarë, apo portierë të thjeshtë. Për fat të mirë, shkenca “lindore” arriti të rikuperohej disi e të kthehej deri diku në nivelet e mëparshme, por ndërprerja ishte një goditje mjaft e rëndë për ta, për universitetet dhe strukturat akademike, për njësitë alternative e të pavarura dhe konsulencën, që shpesh u masakruan politikisht. A do të jetë në gjendje Perëndimi ta shmangë këtë fatkeqësi?
MODELET E REVOLUCIONIT
Një mënyrë, për të parë kolapsin e elitave sot është t’i konsiderosh ata si “grabitqarë” të klasave të ulëta. Ju mund të përdorni modele të thjeshta matematikore, si ato të bazuara tek filozofia e Senekës, për të dëshmuar se grabitqarët priren të shkojnë në “tejkalim”. Ata e varfërojnë prenë e tyre aq keq, saqë nuk mund të përmbajnë më veten e tyre, deri sa të rrëzohen vetë në kolaps. Kjo ndodh shumë shpejt sipas teorisë së “efektit Seneka”. Nëse atakohet kjo “krizë” përmes hapjes së garës së ndershme të meritokracisë dhe matjes strikt të indikatorëve të suksesit, e shoqëruar kjo me financa të bollshme në favor të kërkim-zhvillimit, atëherë do të kemi investuar edhe për krijimin e elite të re të vendit. Për ketë ka shumë rëndësi që lidershipi i ri politik (qoftë në SHBA dhe kudo në botë, përfshi edhe Shqipërinë), duhet të kuptojë mirë sot rolin e elitave të reja në trajektoren e një sistemi ekonomik, farkëtuar kjo përmes një kërkimi dhe zhvillimi me mendësi të re.
Përmes kësaj, ata mund të rizbulojnë se si është e mundur të modelohet kurba e rritjes dhe rënies elitave, duke i paraprirë kolapsit në të ardhmen. Në vetvete, ky reflektim është një ilustrim mjaft i mirë që të kuptohet se si fuqia e një kombi vjen sot nga kontrolli i rrjedhës së informacionit dhe aftësia për te zhvilluar inovacion, ku shkenca (dhe jo vetëm sipërmarrja) si dhe institucionet ku bëhet shkencë, kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm. Ndaj sot është koha të themi sa nuk është vonë: Stop politizimit dhe shkurtimit të financimeve për shkencën, qoftë edhe kur elitat e politikës dhe shoqërisë mund të bien apo të ndryshojnë.