20 minuta tronditëse, jashtë të gjitha rregullave të diplomacisë për takimet mes dy krerë shtetesh. Nëse në këto 35 ditë të mandatit të dytë të Donald Trump tashmë jemi mësuar të shohim të paimagjinueshmen, takimi me Volodimir Zelensky ka kaluar çdo kufi.
Presidenti ukrainas mbërriti në Uashington DC për të bindur homologun e tij amerikan që t’i japë ;garanci sigurie kundër çdo agresioni të ardhshëm rus, në këmbim të një marrëveshjeje ekonomike për mineralet e rralla të Ukrainës. Por takimi përfundoi me një sherr të bujshëm.
Pamë Trump dhe zëvendëspresidentin e tij J.D. Vance të cilët qortonin Zelensky duke e akuzuar se nuk është mirënjohës. Ata e sulmuan atë. Zelenskyn në një qoshe, përpiqej të përgjigjej dhe të mbrohej kundër dy liderëve shumë luftarakë, teksa ata përmbysin narrativën e agresionit rus në vendin e tij.
Përballë kërkesës së Zelenskit për të garantuar sigurinë e Ukrainës kundër shkeljeve të ardhshme, të mundshme, të një armëpushimi nga Putin, Trump ngriti zërin duke e sulmuar atë: “Ti nuk i ke kartat e duhura tani. Po fillon të kesh probleme tani. Ju jeni duke luajtur kumar me jetën e miliona njerëzve. Ju jeni duke luajtur kumar me Luftën e Tretë Botërore”.
Kur Zelensky tregoi realitetin e tmerrshëm të konfliktit, të përjetuar në terren, në një vend të pushtuar dhe shkatërruar nga Moska, Vance e kritikoi për vështirësitë në rekrutimin e ushtarëve për t’i dërguar në front. Në atë moment, Zelensky e pyeti: “A ke qenë ndonjëherë në Ukrainë?”
Vance fillimisht reagon duke thënë se ka “lexuar dhe parë” atë që ai mendon se mjafton për të njohur situatën, pastaj shtoi: “A mendoni se tregon respekt të vini në Zyrën Ovale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të sulmoni administratën që po përpiqet të parandalojë shkatërrimin e vendit tuaj?”
Lideri ukrainas u mbrojt: “Të gjithë kanë probleme, por ju keni një oqean në mes dhe nuk e ndjeni ndikimin e luftës tani, por do ta ndjeni në të ardhmen”.
Në atë moment Trump e humb durimin: “Mos guxo të thuash se çfarë do të ndodhë. Ju nuk jeni në gjendje të na tregoni se çfarë do të bëjmë dhe do të ndjejmë. E keni vënë veten në një pozitë të keqe”.
Trump vazhdoi duke thënë se presidenti ukrainas duhet të “bëjë një kompromis me Rusinë dhe ju nuk do të ktheheni në luftë nëse arrihet një marrëveshje paqeje”.
Më pas shtoi: “Ose bëni një marrëveshje ose ne jemi jashtë. Dhe nëse ne jemi jashtë, ju do të luftoni. Nuk mendoj se do të jetë mirë. Pasi të nënshkruani marrëveshjen, do të jeni në një pozitë shumë më të mirë, por nuk jeni plotësisht mirënjohës. Dhe kjo nuk është një gjë e bukur. Unë do të jem i sinqertë. Nuk është një gjë e bukur”.
Presidenti amerikan theksoi më pas se ai kishte “siguruar mjetet” që lideri ukrainas të ishte “i fortë” në luftë: “Problemi është se unë ju dhashë fuqinë për të qenë i fortë dhe nuk mendoj se do të ishit të tillë pa Shtetet e Bashkuara”.
Para këtyre fjalëve Zelensky tha: “Mjaft më thatë për luftën. Mendoj se është shumë e rëndësishme t’ia thuash këto fjalë Putinit që në fillim, sepse ai është një vrasës dhe një terrorist.
Shpresoj se së bashku mund ta ndalojmë, por për ne është shumë e rëndësishme të shpëtojmë vendin tonë, vlerat tona, lirinë dhe demokracinë tonë dhe natyrisht, asnjë kompromis me vrasësin në territoret tona” – tha Zelenesky.