HomeOP EDSi Amerika iku (e përzunë) herën e parë nga Shqipëria, “do Zoti”...

Si Amerika iku (e përzunë) herën e parë nga Shqipëria, “do Zoti” nuk ikën herën e dytë!

spot_img

PROF. DR. ELMAS LECI

Përse themi “kur ameri kanët ikën për herë të parë nga Shqipëria”?! Se siç dihet, ikën një herë në vitin 1946 të përzënë nga komunistët, por paska gjasa ikje edhe tani e kjo u tha nga një njoftim i lartë zyrtar për mospraninë e tyre te SPAK-u.

Nejse, objekt i këtij shkrimi nuk është e sotmja, ndonëse ka paralele historike, por atëherë kur u përzunë nga diktatura e ndërsa sot po ikin nga autokratët.

E veçanta e hidhur është se në çdo rast janë përzënie, por si ndodhën e si u bënë “ikjet” e para të detyrueshme të amerikanëve nga Shqipëria bërë nga regjimi i Enver Hoxhës në vitin 1946. Misioni Amerikan u largua nga Shqipëria më 14 nëntor të vitit 1946 në ora 18, largim që u shoqërua me tensione diplomatike mes dy vendeve, sepse thjesht ai nuk ishte largim, por ishte një përzënie e tij nga Enver Hoxha.

Në vijim po japim dëshmi të pasqyruara për këtë ndodhi në mediat e kohës: “Misioni Amerikan në Shqipëri u largua nga Shqipëria sot në orën 18. Ai u imbarkua në Durrës dhe u transportua prej vaporëve shqiptarë në dy destrojerët amerikanë, që qëndronin jashtë ujërave territoriale shqiptare. Misioni Amerikan jashtë çdo rregulli miqësie, për dy herë radhazi kërkoi nga ana e Qeverisë Shqiptare që kryqëzori “Hantingon” dhe një destrojer të vinin në Portin e Durrësit për të marrë Misionin. Qeveria Shqiptare ia refuzoi këtë kërkesë, edhe pse populli shqiptar ushqen miqësi dhe simpati për popullin amerikan”.

Si dhe kur erdhi Misioni amerikan në Shqipëri? Anëtarët e parë të Misionit amerikan për Shqipërinë, me emrin e koduar ERIK, zbritën në bregdetin shqiptar, në Karaburun të Vlorës, më 17 nëntor të vitit 1943 dhe qëndruan në zonën e kontrolluar nga “Balli Kombëtar” për një periudhë gati 6-mujore. Pastaj erdhën edhe misione te tjerë deri tek ai i koduar me emrin BESA, që u shpërnda pranë forcave ushtarake të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, duke përfshirë edhe në disa divizione dhe njësi partizane.

Kërkesës së Frontit NacionalÇlirimtar, për ta njohur zyrtarisht “qeverinë e dalë nga Kongresi i Përmetit”, Qeveria amerikane do t’i jepte përgjigje negative, sepse sipas saj, ajo nuk ishte qeveri që përfaqësonte gjithë shqiptarët, as në linjën vertikale dhe as në atë horizontale. Duke besuar se këto ishin informacionet e “mbrapshta” të Misionit amerikan nga malet e Shqipërisë apo pas çlirimit nga Tirana, Enver Hoxha në kujtimet e tij e ka minimizuar, përgojuar dhe keqinterpretuar rolin e Misionit Ushtarak amerikan në Shqipëri.

Lidhur me qëndrimin e pas Luftës ndaj Misionit amerikan në Shqipëri, ka një dokument, ai i datës 16 shkurt 1946 i nënshkruar nga vetë Enver Hoxha si Kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, ku flitet për largimin e detyruar të amerikanëve nga Shqipëria. Në përgjigje Misioni Amerikan në Shqipëri thekson se “gjithçka lidhet jo me misionin e tyre, por ky qëndrim për largimin, vjen si rezultat i sulmeve të fundit të Qeverisë së Enver Hoxhës kundrejt Shteteve të Bashkuara.

Kjo shikohet si nga ndjekja këmba këmbës e Misionit, por edhe nga ana e shtypit dhe e radios zyrtare të Shqipërisë. Për më tepër, autoritetet shqiptare tani së fundi në trajtimin e Misionit Amerikan kanë vepruar në mënyrë brutale dhe jo miqësore me Misionin dhe kjo gjë, praktikisht i pengon më tepër përgjegjësitë e funksioneve të tij”.

Dhe cilat ishin akuzat ndaj Misionit? “Veçanërisht Qeveria e Shteteve të Bashkuara e quan si një gjë të padrejtë dhe jo fisnike veprimin e autoriteteve shqiptare të 28 janarit të vitit 1946, sipas të cilit urdhërohet dëbimi i disa nëpunësve të Misionit Amerikan në Tiranë. Zoti Joseph E. Jakobs, Kryetar i Misionit, nuk pati më parë asnjë dijeni mbi qëllimin e autoriteteve shqiptare për këto çështje”. “Mund të vërehet që këta nëpunës ishin zgjedhur me kujdes nga zoti Jakobs dhe në kohën e ardhjes ata kishin leje të jetonin në Shqipëri.

Dëbimi i tyre do ta pengojë dhe do ta vështirësojë punën e Misionit… Kjo qeveri (e SHBA-ve) ka vënë re gjithashtu që javët e fundit aktivitetet e Misionit amerikan kanë ardhur gjithnjë duke u kufizuar. Lejet e përhershme për kalimin e anëtarëve të personelit të Misionit për në Durrës u anuluan në dhjetor dhe nuk u dhanë përsëri. Kërkesat për leje për udhëtime të shkurtra jashtë Tiranës janë injoruar. Për më tepër, kërkesa për hyrje në Shqipëri e zotit Carmel, një zyrtar i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, nuk u pranua.

Nga këto incidente dhe përgjithësisht nga qëndrimi jofisnik që është shfaqur vazhdimisht kundrejt Misionit, del e qartë që nga ana e autoriteteve shqiptare nuk ekziston sensi i besimit kundrejt anëtarëve të Misionit. Autoritetet shqiptare duhet t’i kujtojnë lidhjet miqësore që kanë ekzistuar ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, që nga vendosja e independencës shqiptare. Pa dyshim, ata duhet të kujtojnë gjithashtu deklaratën e 10 dhjetorit të vitit 1942 dhe rastet e mëpastajshme, për të cilat kjo qeveri afirmoi përkrahjen e saj në restaurimin e një Shqipërie indipendente.

Gjatë Luftës, Shtetet e Bashkuara inkurajuan dhe përkrahën rezistencën e popullit shqiptar kundër invadimit të Boshtit. Ajo ka kontribuar gjithashtu edhe në UNRRA, organizatë e cila për muaj me radhë i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të rëndësishme”.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara në nëntor 1945 njoftoi gatishmërinë e saj për të njohur regjimin e tanishëm të Shqipërisë, duke i kërkuar siguri për të bërë zgjedhje të lira dhe të afirmojë legalizimin e vazhduar të Traktateve dhe të Marrëveshjeve në fuqi midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara deri në prill të vitit 1939.

Siguria e kërkuar në lidhje me zgjedhjet u dha dhe zgjedhjet u bënë, por jo demokratike”. “Me qëllim që të largojmë çdo terren për mosmarrëveshje, që duket se ekzistojnë në mendjen e autoriteteve shqiptare (të Enver Hoxhës), për sa i përket qëndrimit të Shteteve të Bashkuara në lidhje me pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, kjo qeveri (e SHBA-ve) ka rastin t’u thotë se ka dëshirë të plotë që Shqipëria të fitojë anëtarësinë e Kombeve të Bashkuara dhe është e disponuar në favor të pranimit të Shqipërisë, posa kjo organizatë të veprojë për renditjen e shteteve jo anëtare.

Për më tepër, duhet theksuar se qëndrimi që duhet të mbajnë Shtetet e Bashkuara në lidhje me këtë, nuk mund të formulohet as logjikisht as në princip pa pasur lidhje me vullnetin e Qeverisë Shqiptare për të plotësuar detyrimet ndërkombëtare…

Ndërkaq, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të mos lërë asnjë dyshim në mendjen e autoriteteve shqiptare se po të vazhdojë ritmi jo fisnik i Misionit amerikan, ashtu siç ka ndodhur kohët e fundit, ajo e ndien veten të shtrënguar duke ruajtur sentimentet më gjeniale të miqësisë me popullin shqiptar, të rishqyrtojë pozitën e saj vis-à-vis regjimit të tanishëm të Shqipërisë”. – 7 tetor 1946 J. E. Jakobs. Përfaqësuesi amerikan.

Po cilët ishin aleatët, qoftë ato anglezë që erdhën të parët në ndihmë të Luftës Antifashiste në Shqipëri, qoftë amerikanët, pasi ata kanë vepruar njësh në zbatim të një politike antifashiste, ndaj janë quajtur aleatët anglo-amerikanë? Për veprimtarinë e tyre antifashiste ka mjaft dokumente në Arkivin Qendror të Shtetit, të cilët nga Enver Hoxha ishin “të groposura”.

Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore forcat aleate anglo-amerikane morën pjesë aktive që në fillimet e rezistencës antifashiste në Shqipëri, duke u atashuar në çetat e para nacionaliste dhe ato partizane, ku ata financuan dhe furnizuan rregullisht me para, veshmbathje, pajisje shëndetësore, municione, armatime, teknikë luftarake e gjithçka tjetër që i duhej forcave të rezistencës.

Aleatët anglo-amerikanë kryen me qindra inkursione ajrore fluturimi duke parashtuar ndihmat e duke bombarduar pa pushim të gjitha trupat dhe vend-instalimet gjermane kudo që ndodheshin në të gjithë krahinat shqiptare, fshatrat e qytetet në të gjithë territorin e Shqipërisë, përfshirë edhe ato që ndodheshin në Malin e Zi, Kosovë e Maqedoni.

Enver Hoxha i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me angloamerikanët e më pas, gjithçka që ata kishin bërë për Shqipërinë, u fshinë të gjitha sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Që nga ajo kohë e deri në fillimin e viteve ‘90-të, historiografia e propaganda zyrtare e regjimit komunist, jo vetëm që e pasqyronte ndihmën dhe rolin e tyre në Shqipëri si tejet sporadike, por përkundrazi i konsideronte ata si pengesë e sabotatorë në Luftën Antifashiste, duke i identifikuar si “tradhtarë dhe renegatë”.

Si rezultat i gjithë kësaj propagande afro gjysmëshekullore, gjë e cila fatkeqësisht vazhdon ende në imazhin e përfytyrimin se aleatët anglo–amerikanë, në opinion ende kanë mbetur reminishencat e sabotatorëve për ta si ata që “hidhnin dy këpucë të një këmbe”, apo “biskota të prishura” e jepnin “ndihma vetëm për agjentin e tyre, Bazin e Canës”.

Pas “çlirimit”, gjërat ndryshuan shumë shpejt. Ballistët dhe të dyshuarit si simpatizantë të Ballit u zhdukën. Kishte gjyqe dhe ekzekutime. Familjet u shkatërruan. Shtëpitë u sekuestruan dhe prona konfiskohej.

Ishte koha kur Misioni Amerikan e kishte njoftuar Enver Hoxhën mbi sjelljet e tij të papranueshme me Misionin dhe pas atyre tetë muajve jo vetëm nuk kish ndryshuar gjë, por marrëdhëniet ishin keqësuar. Në ato kushte më 9 nëntor 1946 Misioni Amerikan në Shqipëri, rezultat i politikës së Enver Hoxhës, që e cituam më sipër nga Memorandumi i Misionit amerikan, tërhiqet menjëherë nga Shqipëria, pra prishen edhe ato pak marrëdhënie diplomatike që ishin ngritur.

Dhe ja çfarë i shkruan Enver Hoxhës Misioni Amerikan para largimit nga Tirana: “Departamenti i Shtetit ju njofton sot tërheqjen e Misionit Politik Amerikan, duke ju thënë se Qeveria e Amerikës arriti në këtë vendim se Misioni nuk mundet më të bënte ndonjë dobi duke qëndruar në Shqipëri”. “Shtetet e Bashkuara i vijojnë ndjenjat e miqësisë së mirë për popullin shqiptar.

Zoti George D. Henderson, përfaqësues i Amerikës në Tiranë dhe shtabi i tij largohen menjëherë për në Amerikë”. Se sa i kushtoi kjo Shqipërisë, popullit tonë, të gjithë e dinë, disa nga që i kane jetuar e disa nga historia ndonëse të gjitha ende nuk janë shkruar. Shkrova kronikën se di ka ndodhur, në vijim do shkruajmë se si po ndodh ajo që nuk duhet të ndodhë, e që pa diskutim nuk do të ndodhë.

* Autori: Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular