Nga Selami Spahiu
Romani “Rënia” e shkrimtarit Shefqet Meko, botuar para pak kohësh nga “Media Print” përcjell me një gjuhë të thjeshtë rrënimin e rregjimit komunist që drejtoi me dorë të hekurt vëndin e shqiponjave për afro gjysëm shekulli. Shefqet Meko, një gazetar i ri, drejtues i një gazete studentore, bëhet autor dhe protagonist i atyre ditëve të stuhishme. Drama e personazhit kryesor, Maks Prifti, ndërthuret me atë të një brezi dhe një shoqërie të zhgënjyer e nëpërkëmbur nga rregjimi komunist. Unaza e fejesës së Maks Priftit, që ia hedhin shkallëve të pallatit për shkak të biografisë së tij,sikur paralajmëron rrokullisjen apo gremisjen e rregjimit. Autori, njëherësh edhe heroi kryesor i këtij romani, përjeton një tronditje të thellë. Ai nuk ishte antikomunist, nuk ishte i përndjekur, as i burgosur, as i internuar . Ishte thjesht një i sapo diplomuar i pakënaqur. Përgjegjësia e ngarkuar nga partia për drejtimin e një gazete, e vinte atë në pozitë të vështirë. Revolta kish filluar të vlonte. Në fillim me disa ngjarje episodike dhe gradualisht të merrte formë e rrugë. Ishte një kohë pa kohë, një dilemë e madhe edhe për heroin, njëherësh edhe autorin e romanit. I kam jetuar nga afër ato ngjarje, në po atë pozicion të autorit, dhe e mirëkuptoj dilemën e tij. Nuk dinim ku ishim dhe nga po shkonim. Autori, nëpërmjet historisë së tij personale, sjell për lexuesin ato ditë e ngjarje të paharruara, ato ditë që sollën një kthesë të madhe në historinë e Shqipërisë dhe në jetën e sejcilit. Duke lexuar romanin me kureshtje për ato ngjarje gjeta midis rreshtave edhe veten time si mentor i autorit në hapat e para në rrugën e gazetarisë dhe e falenderova me mëndje që na solli në kujtesë ato ngjarje e ato ditë të paharruara, ku asnjëri nuk e dinte se nga po shkonim. Ato ditë ku partia mëmë ose nëna parti lejoi pluralizmin politik dhe krijoi vetë partitë e reja, me njerëzit e saj të besuar ose, siç thotë autori, fekondoi partiçkat e reja.
“Rënia ” e Shefqet Mekos është jo thjesht një vepër letrare, por edhe një kujtesë historike për një periudhë që pak ose aspak është lëvruar nga letërsia shqiptare. Në këtë kuptim ajo ka një vlerë të madhe dhe duhet lexuar me vëmëndje si e para vepër për këtë periudhë të rëndësishme. Faleminderit Shefqet për këtë roman të bukur dhe të shkruar me shumë dashuri. “Rënia” është romani i tretë i autorit pas “Saga përtej Atlantikut” dhe “Viza amerikane “. Dhe në fund me pak humor po shpreh disa vërejtje për romanin e ri të mikut tim, Shefqet Mekos “Rënia”. Rregjimin komunist nuk e rrëzoi Shefqet Meko. Shefqeti e “donte” partinë dhe i shërbente asaj me penën e tij si kryeredaktor i gazetës “Studenti i Bujqësisë”.
Po Shefqeti ishte mërzitur se e la e fejuara ose dashnorja, që ishte familje komuniste dhe Shefqetin nuk e pranuan në parti. Rregjimin komunist nuk e rrëzuan as studentët, që protestonin me kërkesa për ujë e drita. Rregjimi ra vetë si ajo molla e krimbur. Po Shefqeti ama ia “këndoi” këngën. Dëgjova në promovimin e romanit disa folës që e cilësuan Shefqetin si autor shqiptaro- amerikan. Më erdhi për të qeshur. Unë e njoh Shefqetin më mirë dhe më parë se ata që folën. Shefqeti ka qënë, është dhe do të mbetet shqiptar 24 karatsh nga Petrusha e Pogradecit. Unë kam qënë në fshatin e tij se kisha disa miq të mij. Shefqeti bie e ngrihet me mëndjen tek Shqipëria. Nuk ka asgjë amerikane te Shefqeti përveç vëndbanimit. Është njësoj sikur të themi se Trampi është gjerman.Jo. Ai thotë “Amerika e para” Edhe Shefqeti mendon Shqipëria e para. Unë e njoh Shefqetin që adoleshent, nxënës në shkollën e mesme veterinare në Shkodër. Ai më dërgonte shkrime në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe unë i a ktheja me vërejtje me shkrim. Por pa u nisur letra ime kishte mbrritur shkrimi tjetër i Shefqetit. Ishte nga ata tipa që ti i nxirrje nga dera dhe kur ktheheshe brënda e gjeje aty Shefqetin dhe jo në tavolinë, por shtrirë në divan.Ishte kjo këmbëngulje dhe ky pasion që e çoi përpara Shefqetin. Me këtë vrull që i ka hyrë botës së letrave jam i bindur që nga vjeshta do të kemi romanin e ri të Shefqetit. Urime miku im. Po ama seriozisht.
