Investitorët kanë frikë se inflacioni po kthehet. Mund të kenë të drejtë. A do të përsërisë bota gabimet e viteve 1970?
Pasi arriti kulmin në vitin 2022 me 11% në bazë vjetore, inflacioni në vendet e pasura ka rënë vazhdimisht.
Ose të paktën deri tani. Ndërsa bankat qendrore po ulin normat e interesit, inflacioni i përgjithshëm në vendet e pasura ka filluar të rritet sërish.
Ai u rrit nga 2.1% në shtator, në 2.5% në dhjetor, shkruan The Economist.
Më 19 shkurt, Britania raportoi inflacionin për janarin: 3% në bazë vjetore, nga niveli më i ulët i fundit prej 1.7%. Inflacioni i Polonisë në janar ishte 5.3%, nga 4.7% një muaj më parë. Inflacioni i Gjermanisë ra në 2.3%, por ishte ende mbi nivelin 1.6% të arritur verën e kaluar.
Çmimet e konsumit në Amerikë u rritën me 3% në bazë vjetore, nga niveli më i ulët i fundit prej 2.4%. Disa pyesin pse bankat qendrore i ulën normat përpara se inflacioni të ishte në ose nën objektiv, duke pasur parasysh se rritja ekonomike nuk është ngadalësuar.
“Inflacioni është si puna e buburrecave”, shkroi së fundmi John Cochrane nga Universiteti Stanford. “Kur kanë mbetur vetëm disa, nuk është koha për të hequr dorë”.

A do të përsërisë bota e pasur gabimet e viteve 1970? Asokohe, politikëbërësit vranë shumicën e buburrecave, por lanë disa që ishin më kokëfortët dhe këta të fundit vazhduan të rriteshin egërsisht.
Në Amerikë, inflacioni arriti në 12% në vitin 1974, ra në 5% në vitin 1976 dhe më pas u ngjit në 15% në vitin 1980.
Bankat qendrore nuk arritën të rregullonin mjaftueshëm shpejt politikën monetare sa për të parandaluar që goditja e çmimit të naftës në vitin 1979 të përhapej në të gjithë ekonominë.
Politikëbërësit arritën ta çrrënjosnin inflacionin një herë e mirë, vetëm pas një recensioni të madh në fillim të viteve 1980, të cilin e krijuan qëllimisht.
Investitorët nuk janë të sigurt nëse inflacioni i lartë do të rikthehet. Çmimet e tregut tregojnë se Rezerva Federale do të ndjekë një politikë monetare më të lirshme në të ardhmen dhe zakonisht bankat e tjera qendrore të botës ndjekin rrugën e saj.
Javët e fundit, yield-et e bonove qeveritare kanë rënë, gjë që mund të tregojë se shqetësimet për inflacionin janë lehtësuar.
Nga ana tjetër, një parashikim nga dega e Rezervës Federale në Cleveland, tregon se pritshmëritë e tregut për inflacionin gjatë vitit të ardhshëm janë rritur nga rreth 2.2% në shtator, në 2.7% sot.
Mospërputhja
Mospërputhja tregon se ka mosmarrëveshje intelektuale. Disa ekspertë mendojnë se rritja e fundit e inflacionit është një mirazh. Statisticienët rregullojnë të dhënat për të pasqyruar ngjarjet që ndodhin në një periudhë të caktuar të vitit (siç është rritja e çmimeve që shumë dyqane imponojnë në janar).
Pandemia Covid-19, e cila krijoi paqëndrueshmëri të madhe, ka ngatërruar këto rregullime sezonale, të cilat mund të krijojnë përshtypjen se është më i lartë se norma “e vërtetë”. Të tjerë theksojnë se inflacioni i përgjithshëm rritet gjithmonë, për shkak të çmimeve të paqëndrueshme të mallrave.
Ekonomistët në Bankën Morgan Stanley mendojnë se zjarret e fundit në Kaliforni mund të kenë rritur përkohësisht çmimet e mallrave në Amerikë.
Në janar, në një numër shtetesh midis të cilave Belgjika dhe Norvegjia pati rritje të mëdha të çmimit të ushqimeve, ndoshta për shkak të shqetësimeve për një luftë tregtare. Bankat qendrore zakonisht i shpërfillin këto pengesa kur vendosin politikën monetare.
Por jo të gjithë janë kaq të qetë. Sidoqofshin problemet me rregullimin sezonal, ato nuk mund të ndikojnë në inflacionin e matur në bazë vjetore, i cili duket qartë se po rritet. Për më tepër, ka prova që tregojnë se vendet e pasura po përjetojnë vërtet më shumë trysni inflacioniste.
Firma këshillimore Alternative Macro Signals, ka përpunuar miliona artikuj lajmesh përmes një modeli të inteligjencës artificiale, për të ndërtuar një “tregues të trysnisë së inflacionit në lajme”.
Ky tregues global, që ka dalë një parashikues i dobishëm i shifrave zyrtare, kohët e fundit është rritur ndjeshëm, veçanërisht në Amerikë.
Tregjet e punës në vendet e pasura mbeten gjithashtu të shtrënguara. Shkalla e papunësisë në vendet e grupit OECD ka qenë tashmë nën nivelin 5% për gati tre vjet.
Ndërkohë që kompanitë po garojnë fort për staf, pagat nominale po rriten me më shumë se 4% në bazë vjetore në ekonomitë e mëdha.
Megjithatë, për fat të keq, rritja e produktivitetit është e dobët. Nëse punëdhënësit nuk mund t’i kompensojnë dot kostot më të larta të pagave duke rritur prodhimin, atëherë duhet t’i kalojnë ato te konsumatorët, në formën e çmimeve më të larta.

Kjo dukuri vihet re në sektorin e shërbimeve, i cili mbulon gjithçka, nga këshillat financiare deri te terapia fizike. Çmimet e shërbimeve po rriten me 4% në bazë vjetore në ekonomitë më të mëdha, sa dyfishi i normës së para pandemisë.
Në 18 shtetet e pasura që kanë raportuar të dhëna të besueshme për janarin, inflacioni i shërbimeve është në nivelin më të ulët në 14 prej tyre. Në Portugali është rritur me një pikë përqindje. Në Estoni, me 3.7 pikë.
Politikanët mund t’i shtojnë benzinë zjarrit inflacionist. Problemi nuk janë bankat qendrore, të cilat duhet të jenë në gjendje t’i bëjnë ballë çdo thirrjeje nga politikanët për të ulur normat e interesit. Problemi janë vetë politikanët.
Donald Trump ka në plan të dëbojë miliona punëtorë pa dokumente dhe të rrisë tarifat me jashtë, gjë që do të rriste çmimet. Udhëheqësit në vende të tjera po ndjekin politika më pak të skajshme, por gjithsesi mund të nxisin inflacionin.
Rreth 40% e qeverive të vendeve të pasura po u japin ekonomive të tyre një nxitje fiskale këtë vit. Buxheti i fundit i Britanisë rriti shpenzimet për infrastrukturën, ndërsa Italia miratoi së fundmi një buxhet që përfshin shkurtime tatimore.
Gjithashtu, shumë qeveri do të hakmerren kundër Trump duke vendosur tarifa për mallrat amerikane dhe duke rritur edhe më tej çmimin e importeve.
Krahasuar me kohën para pandemisë, kompanitë dhe punëtorët mund të përgjigjen më fort ndaj këtyre forcave pro-inflacioniste.
Në vitin 2023, një punim i botuar nga Banka për Shlyerjet Ndërkombëtare, bisedoi se çfarë ndodh “në një regjim me inflacion të lartë”, ku rritja e çmimeve bëhet “një pikë kryesore për punëtorët dhe firmat”.
Pasi njerëzit kanë përjetuar rritje të shpejtë të çmimeve, ata shqetësohen se kjo do të ndodhë përsëri. Nëse punëtorët e kuptojnë se inflacioni do të rritet, ata mund të kërkojnë me ngulm një rritje page.
Marrja e kontrollit
Kemi gjetur shenja shqetësuese edhe në këtë drejtim. Interesi për inflacionin, i matur nga kërkimi në Google, është dy herë më i lartë se para vitit 2021. Arsyet e tjera për t’u shqetësuar vijnë nga sondazhet e konsumatorëve.
Edhe pse inflacioni ka rënë shumë që nga kulmi i fundit, njerëzit ende presin rritje të mëdha të çmimeve në muajt në vijim.
Në dhjetor, inflacioni i BE-së ishte nën nivelin 3%. Megjithatë, qytetarët e BE-së presin që çmimet të rriten me 10% gjatë 12 muajve të ardhshëm, dy herë më shumë se sa prisnin në vitet 2010.
Edhe në Amerikë ka një “hendek të ngjashëm të perceptimit të inflacionit”.
Norma e inflacionit në Kanada ka qenë në ose nën nivelin 2% që nga gushti. E megjithatë, kanadezët ende presin një inflacion prej 3% gjatë vitit të ardhshëm, krahasuar me 2.4% para pandemisë.
Jo shumë kohë më parë, bankat qendrore po përgëzonin veten sepse e kishin ulur inflacionin shumë shpejt. Ky sukses kompensoi për gabimin e mëparshëm kur u vonuan të përgjigjeshin ndaj rritjes së çmimeve.
Megjithatë, siç e dinë shumë pronarë shtëpish, buburrecat kanë zakonin e keq që rikthehen./Monitor