Territori shqiptar do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të ngrohta dhe të lagështa, duke sjellë mot kryesisht të vranët në të gjithë vendin.
Sipas parashikimeve, vranësirat do të theksohen gjatë ditës, duke gjeneruar reshje shiu në formën e shtrëngatave, të cilat herë pas here do të shoqërohen me stuhi të forta ere dhe breshër në disa zona.
Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me mot të paqëndrueshëm, por reshjet do të dobësohen, duke mbetur të izoluara dhe të karakterit lokal. Megjithatë, rrebeshe të përkohshme priten kryesisht në zonat veriore dhe verilindore të vendit.
Ndërkohë, temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të ndjeshme, ku minimalja do të zbresë deri në 4°C në Bulqizë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 23°C në Fier dhe Kuçovë.
Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë nga veriperëndimi, me shpejtësi deri në 45 km/h. Për pasojë, në brigjet detare do të krijohet dallgëzim deri në 4 ballë, duke sjellë kushte jo të favorshme për lundrim.