Nga Fatos Brahja
Kandidat i Koalicionit Euroatlantik për Tiranën
Të nderuar miq! Të nderuar banorë të qarkut Tiranë.
Si qytetar i lindur dhe rritur në Tiranë, që në krye të herës më duhet të iu njoftoj se kam pranuar ftesën e Lulzim Bashës për të kandiduar për Koalicionin Euroatlantik në zgjedhjet Parlamentare të 11 majit 2025.
Të pranosh ftesën për të kandiduar për një forcë politike që është kundër xhaketave të vjetra, kundër politikanëve që e kanë mbajtur peng Shqipërinë, zbrazur ndër vite, vjedhur dhe varfëruar, është më i vogli kontribut që mund të japësh për vendin tënd në këto kohë.
Premtoj që do të angazhohem maksimalisht për të dhënë më të mirën për formacionin tonë politik që është pro drejtësisë, pro integrimit, pro luftës pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.
Arsyet e pranimit të kandidaturës janë sepse tek Koalicioni Euroatlantik me drejtues Lulzim Bashën gjejnë vend idetë e mia se si duhet të funksionojë një forcë politike në dobi të qytetarëve dhe jo interesave të ngushta të drejtuesve të saj dhe ofiqarëve që i vijnë rrotull. Prejardhja ime nga një familje Tirone dhe e persekutuar nga regjimi komunist ka bërë që të rreshtohem krah PD prej themelimit. Kontributi ka qenë i pandërprerë në çdo betejë elektorale duke besuar se realisht komunizmi do të çrrënjosej, që ish sigurimsat, sekretarët dhe zyrtarët e PPSH nuk do të bënin karrierë të paktën sa kohë Shqipëria qeverisej nga forca politike që mbështesja, Partia Demokratike.
Vitet kalonin dhe e kundërta ka ndodhur! Ish hetuesit, gjyqtarët dhe prokurorët e diktaturës që kishin kryer krime ndaj njerëzimit u lanë të lulëzojnë në karrierë në sistemin e drejtësisë e madje dhe në administratën shtetërore dhe në partinë time (PD) të cilën unë mbështetja.
Zhgënjimi i të djathtëve brenda PD së drejtuar nga ata që ende e kanë marr peng edhe sot është evidente ku pjesa dërrmuese e ish të përndjekurve, të ish pronarëve, të atyre që janë të djathtë me ide i janë bashkuar Koalicionit Euroatlantik dhe Lulzim Bashës si e vetmja alternativë opozitare, anti-rilindje dhe anti-estabilishment, ose siç Basha i ka quajtur Trekëndëshi i Bermundës së politikës shqiptare.
Tek ne nuk janë ca të nënës dhe ca të njerkës, nuk ka të privilegjuar në zgjedhjet e 11 majit. Zbresim të gjithë në ring të barabartë për të kërkuar besimin e qytetarëve, për të mundësuar rrëzimin e tranzicionit të stërzgjatur, për të iu premtuar se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se Shqipëria do të jetë tjetër pas datës 11 maj ku do të gjejnë zgjidhje problemet e tyre.
Garancia për zgjidhje është programi ynë, kandidatët dal prej jush, vizioni i lidershipit tonë, vendosmëria për të qeverisur ndershëm dhe me transparencë dhe për të qenë pro SPAK-ut që në këtë vend të mos ketë korrupsion.
Duke iu falënderuar dhe njëherë për durimin për të lexuar këto radhë, ju premtoj që do të shihemi sërish madje sy më sy, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit siç ia japim çdo ditë e duke lidhur besën për të shporrur këta politikanë që kanë marrë peng Shqipërinë dhe kthimin e vlerës së thirrjeve të studentëve që kanë gjëmuar që në vitin 1990: “Liri Demokraci”, “E duam Shqipërinë si Gjithë Europa” që fatkeqësisht ende sot janë aktuale, por që kjo do të mundësohet vetëm me mbështetjen ndaj Koalicionit Euroatlantik dhe Lulzim Bashën kryeministër.