HomeTe tjera“Mua më dënuan 25 vjet pa asnjë faj”- Një histori e trishtë...

“Mua më dënuan 25 vjet pa asnjë faj”- Një histori e trishtë nga diktatura komuniste! Rrëfimi: Më pas më pushkatuan një nga djemtë, tjetri vdiq në burgun e Spaçit! Pas këtyre tmerreve më vranë edhe…

spot_img

Më datën 5 gusht 2014, arritëm të rivarrosëm në vendlindje, Tragjas, prindërit tanë të dashur. Me shumë vonesë, pasi më 5 gusht të vitit 1990, ne emigruam nga atdheu për në Shtetet e Bekuara të Amerikës, për t`i shpëtuar vuajtjes së pa fund që kishim provuar në atdheun tonë. Unë Tekiu, arrita së fundi të hedh një grusht dhe, mbi varrin e nënës sime të dashur, sepse kur ajo dorëzoi shpirtin e saj të bardhë dhe të vuajtur, më 15 prill të vitit 1982, unë nuk u ndodha pranë saj, pasi vuaja dënimin në burgun komunist të Ballshit, për idetë dhe bindjet e mia politike.

spac komunizen roje

E kujtoj si sot, se atje ku isha, në skëterrën komunistë, atë natë pashë një ëndërr që më tronditi jashtë mase: M`u bë sikur u ndërpre lidhja telefonike me nënën. U besoj ëndrrave dhe prandaj menjëherë i nisa nënës një telegram.

Pasi nuk mora përgjigje, të nesërmen nisa një telegram tjetër, por përsëri asnjë përgjigje. Në përgjigje të telegramit të tretë më shkruhej: “Personi që kërkoni ka vdekur. Në fund të telegramit ishte shënuar dërguesi: Posta”.

Me telegramin në duar që më dridheshin pa fund, nuk e durova dot dhimbjen dhe ulërita si fëmijë. Shumë më vonë, mara vesh se kjo përgjigje ishte kthyer nga Zonja e nderuar, bashkëshortja e të ndierit Leka Kruta, që punonte në postë.

Vdekja e nënës, ndodhi në kohën kur kisha vetëm 5 ditë që kisha dalë nga labirinthet e skëterrshme të Sigurimit të Shtetit, ku vuajta 5 muaj hetuesi çnjerëzore, tmerr, që besoj se helmoi dhe përshpejtoi vdekjen e nënës sime të dashur e të vuajtur.

Në gjendjen që u ndodha, bashkëvuajtësit në burg, Safa Çeloaliaj dhe Dilaver Çeloaliaj, brenda pak minutave shtruan një batanije në fund të kapanonit me dërrasa, ku ishte ulur Faik Margaritari, një i moshuar i burgosur rreth të tetëdhjetave, mik i familjes time, por më fatkeq se unë, i cili më përqafoi dhe pasi fshiu dy pika loti, drodhi një cigare dhe ma tha:

– “Djalë bëhu i fortë”! Pasi heshti pak e hoqi në zemër vazhdoi:

– “Mua më dënuan pa asnjë faj 25 vjet, më pas më pushkatuan djalin, ndërsa djali tjetër, vdiq nga vuajtja dhe mungesa e barnave, në burgun e Spaçit dhe sikur të mos mjaftonin gjithë këto tmerre,- më pushkatuan edhe dhëndrin: Sezai Çeloaliaj dhe prapë bëj durim dhe bëhem i fortë”.

Kështu filluan bashkëvuajtësit e mi, të vinin e të më ngushëllonin, atje tek batanija e shtruar për tokë, duke më hedhur edhe nga një cigare dhe duke treguar secili historinë e tij.

Njeri më thoshte; “unë kam qenë në Burrel me babanë tuaj”, një tjetër më tha; “jam shok i Muratit”, vëllai jonë që vuante në burgun e Spaçit dhe për çudi ndryshe nga të tjerët më dha dy cigare: një për mua dhe një për vëllanë tonë Muratin, pasi nuk kishte se ku e gjente dhe ta ngushëllonte edhe atë, për vdekjen e nënës.

Pastaj erdhi duke qarë Sherif Merdani, ai këngëtari i famshëm, “Sherua”, siç i thërrisnim ne, me të cilin kisha qenë edhe ushtar në repartin e punës në Dushk- Lushnje. Edhe ai duke qarë bashkë me mua, më tha: “Po mbi një batanije, në burg, i priti cigaret për babanë, edhe vëllai juaj dhe shoku im, Murati. Ishte 29 qershor i vitit 1976, atë ditë nuk do ta harroj kurrë. Në se një ditë do të hapen dosjet e diktaturës komuniste, drama e familjes tuaj do t`i tronditë shqiptarët”!

Miku i familjes tonë, Pipi Konomi, erdhi bashkë me një mikun e tij: një burrë të gjatë me trup të drejtë, i cili më dha dorën dhe më tha: – “Burrat nuk qajnë”! Unë u befasova, kur Xha Faiku më tha se ai ishte komunisti Andon Sheti nga Vunoi i Vlorës. Vuajtja dhe burgu ia kishin zbutur zemrën këtij komunisti…!

Kështu, këta që përmenda dhe shumë të tjerë, më ngushëlluan për vdekjen e së mirës nënës sime.

Të nesërmen i nisa një letër Finlandës, bashkëshortes sime, e internuar në fshatin e Tragjasit, të cilën e porosisja që të mbante afër fëmijët dhe ta duronte dhimbjen, siç ishte mësuar edhe ajo t’i duronte dhimbjet, kur i kishin pushkatuar babanë, kur ishte arratisur xhaxhai, dhe kur e kishin internuar familjen e saj.

Në fundin e asaj letre i shkrova një elegji për nënën:

“Qysh vdiqe moj nëna ime,
Me një det me hidhërime,

Me burgje dhe internime,
Ajo çika zemër trime”!

Ne u njohën me komunizmin që fëmijë dhe që atëhere kuptuam, se ai sistem, nga luga e floririt, që premtonte, do ta shpinte popullin të hante me lugën e drurit! Ishte 24 dhjetor i vitit 1944, kur dy partizanë erdhën në shtëpinë tonë, në lagjen “Skelë”, buzë detit, dhe arrestuan babanë. Ne, katër vëllezër, ende fëmijë, iu qepëm nga prapa babait duke qarë, por komunistët e pa shpirt, na shtynë me urrejtje, me qytat e pushkëve duke shfryrë: – “Kulishët e ballistit”!

Fjalë që ne nuk arrinim t`i kuptonim asokohe…! Kurrë nuk mund ta harrojmë nënën tonë të dashur, e cila edhe ajo duke qarë dhe mallkuar, na mblodhi rreth vetës si zogj shqiponje, duke na thënë se babai do të kthehej shpejt, ndofta edhe ajo, nëna jonë, besonte se ai, babai jonë, do të kthehej me të vërtetë. Por babai u kthye në shtëpi, pas dhjetë vjetësh, kur ne në vuajtje e mjerim, tashmë ishim rritur…!

Kjo e keqe na ndoqi gjithë jetën. Pas babait, vëllai jonë Qamili, u hodh në det nga brigjet e Sarandës dhe doli me not në Korfuz. Më pas Memishahu, në moshën 16 vjeçare përfundoi në burg. Pas Memishahut, radhën e kishte Murati, i cili vuajti në burgjet komuniste, mbi 18 vjet të jetës së tij dhe i fundit isha unë Tekiu…!

Finlanda bashkëshortja e Tekiut e tregon kështu ditën e arrestimit të tij: “Pas arrestimit të Tekiut të Vlorë, ia behën në shtëpi 5 oficerë të Sigurimit të Shtetit, të prirë nga i famshmi Xhebro Shalari…! Ata do të kontrollonin shtëpinë e “armikut të popullit”, tashmë të arrestuar, por edhe do të terrorizonin një grua pa mbrojtje dhe fëmijët,- më i madhi vetëm 14 vjeç…!

Në largim, Xhebro Shalari, i drejtohet Finlandës, me një krenari prej krimineli: – “Ku e ke Tekinë”? Dhe ajo si grua vërtetë shqiptare iu përgjigj: – “Sa herë që Tekiu vinte në Vlorë, ne dilnim në shkallë dhe e prisnim. A do të kthehej, apo do arrestohej? Tani që ju e morët, nuk kemi se ç`farë të presim më. Na i pakësuat vuajtjet, shtoi ajo me një qëndrim burrneshe…”!

Që nga 24 dhjetor i vitit 1944, familja jonë kishte vuajtur e provuar kalvarin çnjerëzor komunist. Vuajtjet shpirtërore ndofta as varri nuk do t`i shërojë, por u ndamë nga vuajtjet fizike, 24 vjet më parë, pikërisht më 5 gusht të vitit 1990, kur u larguam zemër djegur nga atdheu ynë, që na kishte bërë të vuanim aq shumë. Atë ditë kisha hipur në traget i përcjellë nga tre – katër miq, ndërmjet tyre edhe profesor Bejkush Birçe, që më ka nderuar, duke më ardhur edhe në rivarrimin e nënës…!

Ndërsa trageti u nis, hodha sytë me mallëngjim në brigjet e Adriatikut, atdheut tim të dashur, po mendimet e mia m’i ndërpreu Finlanda, bashkëshortja ime dhe im bir Fatmiri, atëhere 11 vjeç të cilët më thanë: – “A ke forca ta fillosh jetën nga e para”? Përgjigjja ime, ishte: “Po”!

– “Atëhere, – më thanë ata në një gojë, – ne do ta gëzojmë jetën dhe sot e tutje, nuk do të guxojë njeri të na diskriminojë e të na fyej, si komunistët e Tragjasit”. Jeta nën diktaturën komuniste na mësoi si të duronim dhimbjen fizike e shpirtërore. Në varrimin e babait, morën pjesë vetëm 15 vetë…!

Kur dola nga burgu, një njeri i mirë nga lagjja “Llonxhë” ku banonte nëna, më ftoi për një kafe dhe më tha: “Kam qenë këtu, ulur, kur është përcjellë nga kjo lagje, në përjetësi nëna juaj, vetëm me 7 vetë. Në fund ishte Beshiri, varrmihësi, por edhe ai u ndalua nga një anëtar i Këshillit Popullor, sepse gruaja që përcillej, ishte e veja e një ballisti, dhe grua që kishte lindur vetëm armiq të popullit, të cilët partia i kushte burgosur…”!

Një familje e tërë, e dënuar mizorisht: Babai, Muhamet Gjonzeneli (1907 – 1978) i dënuar me 30 vjet burg, Qamili, djali i madh, i arratisur jashtë shtetit, Tekiu i dënuar me 8 vjet burg, Memishahu i dënuar me 6 vjet burg, Murat Gjonzeneli dënuar me 20 vjet në burg.

Zonja (1908 – 1982), nëna e katër djemve të dënuar, ajo grua heroinë që e kishte kaluar gjithë jetën nëpër dyert e burgjeve dhe që i kishte larë udhët e Shqipërisë me lot, duke ndihmuar sado pak bijtë nëpër burgje dhe kampe, e qante të shoqin me lot hidhërimi:

“Muhamet e varfëra,
Po e keqia s`tu nda,
S`të qan motër, as vëlla
As fis as akraba”.

Për ta kuptuar dhimbjen e kësaj nëne, për ata që nuk e jetuan atë kohë, sqarojmë se Muhameti, si shumë të tjerë në atë kohë, ishte njeri i braktisur nga njerëzit, më të afërt, nga fisi dhe miqësia, sepse ishte “armik i popullit”! Edhe në përjetësi, ai burrë i rëndë, u përcuall nga një grusht njerëzish.

Më 5 gusht 2014, ne bijtë e atyre prindërve të vuajtur arritëm që prindërit tanë, t`i rivarrosim në vendlindjen e tyre, në Tragjas, në baltën që i kishte lindur, rritur dhe vuajtur pa fund, pranë të afërmve dhe të dashurve të tyre nga të cilët ishin ndarë në gjallje dhe ndofta Perëndia, i bashkonte në atë jetë. Memorie.al Nga Teki dhe Memisha Gjonzeneli – Tragjasi

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular