Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi kombëtar i pagesave në monedhën europiane u ka kursyer klientëve të sektorit bankar rreth 100 milionë euro deri më sot.
Në ceremoninë e hapjes së Javës së Parasë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nënvizoi rolin e Bankës së Shqipërisë në uljen e kostos së transfertave bankare. Ai shtoi se nga zerimi i komisioneve për transfertat e vogla, deri në 20 mijë lekë, janë kursyer afërsisht 7 milionë euro.
ANËTARËSIMI
“Krahas rolit klasik të bankave qendrore për operimin e sistemeve të pagesave me vlerë të madhe, Banka e Shqipërisë është përfshirë edhe në operimin e sistemeve të pagesave me vlerë të vogël. Në këtë drejtim, kemi krijuar Sistemin e Pagesave me Vlerë të Vogël (AECH) dhe, së fundmi, edhe atë AIPS EURO. Falë politikave të Bankës së Shqipërisë për rregullimin e komisioneve, ky evolucion ka gjeneruar kursime të konsiderueshme. Kështu, vetëm nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20,000 lekë, u janë kursyer konsumatorëve dhe bizneseve përafërsisht 700 milionë lekë, që prej vitit 2020. Nga ana tjetër, operimi i sistemit AIPS euro ka gjeneruar kursime të konsiderueshme, të cilat përllogariten të jenë rreth 100 milionë euro. Ndërkohë, impakti jomonetar vlerësohet të jetë shumëfish më i lartë, nëpërmjet promovimit të pagesave elektronike të cilat reduktojnë përdorimin e ‘cash’-it dhe rrisin formalizimin e ekonomisë”, – tha Sejko.
Sipas tij, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol thelbësor në zhvillimin e sistemeve të pagesave, nga reformat e para të pas viteve ’90, te krijimi i Sistemit Shqiptar të Pagesave Ndërbankare (AIPS), si një nga sistemet më avangard të kohës në nivel rajoni dhe më gjerë, sa i përket operimit të tij. Ky sistem mundësoi qarkullimin e shpejtë dhe efikas të parasë të emetuar nga Banka e Shqipërisë në ekonomi dhe krijoi bërthamën për zhvillimin e tregjeve të parasë dhe atyre të kapitalit, si dhe implementimin efikas të politikës monetare. Në ditët e sotme, ai proceson një total pagesash rreth 5 herë më të lartë se Prodhimi i Brendshëm Bruto, dëshmi e qartë e rëndësisë së tij për tregjet financiare dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
PAGESAT E SHPEJTA
Guvernatori foli përsëri lidhur me një tjetër project të rëndësishëm, atë të pagesave të shpejta.
“Së fundmi ka nisur projekti për krijimin e pagesave të shpejta në bashkëpunim me Bankën e Italisë dhe bankat qendrore të Ballkanit Perëndimor. Ne do prezantojmë një mënyrë të thjeshtë të kryerjes së pagesave nga celulari. Përtej inovacionit që do të promovojë ky sistem, ai pritet të ketë një impakt të konsiderueshëm si në kursimet e gjeneruara ashtu edhe në përfshirjen dhe familjarizimin e publikut me shërbimet inovative financiare”, – tha ai, duke shtuar se të rinjtë duhet të kuptojnë se stabiliteti monetar dhe zhvillimi i infrastrukturave moderne financiare janë rezultat i punës së vazhdueshme dhe përkushtimit të institucioneve publike dhe sektorit privat.
“Një aspekt thelbësor i edukimit financiar është gjithashtu aftësimi për të dalluar informacionin e besueshëm nga ai i rremë. Historia na tregon raste të shumta kur mungesa e informacionit të saktë dhe mashtrimet financiare kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme për qytetarët. Po ashtu, në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi dhe ndikimi i mediave sociale është i madh, është e lehtë të biesh pre’ e këshillave të paverifikuara financiare. Investimet dhe vendimet financiare duhen bazuar në analiza të mirëfillta dhe burime të besueshme, për të shmangur humbjet dhe pasojat e rënda ekonomike. Për të gjitha këto është e domosdoshme që qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të mbështeten te burime të sigurta informacioni, si Banka Qendrore, institucionet financiare, shoqatat që punojnë në fushën e edukimit financiar, institucionet e dijes etj.”, – tha Sejko.