HomeUncategorizedArdhja me vonesë dhe përplasja me Pashkon e la Ramën përgjithmonë jashtë...

Ardhja me vonesë dhe përplasja me Pashkon e la Ramën përgjithmonë jashtë PD-së

spot_img

Nga Prec Zogaj
Mbërritja e vonuar e Edi Ramës nga Greqia

Mendoja atë mbrëmje, më 13 dhjetor, për ardhjen e miqve të mi të penës dhe ëndrrës; e përjetoja si një rastësi apo keqkuptim banal mungesën e tyre në mbledhjen e asaj pasditeje, kur ja, si për të vërtetuar me shembullin e parë parandjenjën time, në mbledhjen e Komisionit Nismëtar që po zhvillohej në katin e dytë të kinoklubit “Studenti”, ia mbërriti drejt e nga Greqia ku kishte përfunduar i shtyrë nga erërat e liga të Eolit, në ditët me të shumëpritura të jetës së tij, profesori i ri i pikturës në Institutin e larte të Arteve, Edi Rama Ky e kishte shndërruar këtë institut në një aulë të gojëve të hapura, në një arenë të ballafaqimeve të ashpra të studentëve e pedagogëve me zyrtarët e lartë të regjimit.

Në fillim të muajit dhjetor 1990 besohej se kushtrimi i rebelimit rinor antikomunist do të vinte nga Artet; pishtari i demokracisë do të ndizej së pari atje dhe në fakt kjo profeci nuk ishte e gabuar pasi pikërisht në 8 dhjetor pasdite, disa orë përpara se në qytetin “Studenti” të niste marrshimi i parë i protestës studentore në historinë e Shqipërisë, në sallën e Arteve qirinjtë e ndezur në 10 vjetorin e vrasjes se këngëtarit të grupit të famshëm “Beatles”, Xhon Lenon, homazhet, përshpirtjet dhe këngët në kujtim të tij kishin kaluar si preludi i stuhisë që po ngrihej dhe marshimit që po nisej në krahun tjetër të qytetit, edhe pse dy ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Edi Rama nuk ishte në Tiranë atë mbrëmje. Ishte nisur në Greqi me të atin, mu sikur fati të kishte dashur t’i punonte një rreng, apo mu sikur familja të kishte nuhatur apo ditur diçka, duke e dërguar e mbajtur djalin plangprishës larg teatrit të ngjarjeve, të verbër dhe të shurdhuar ndaj përmbysjes që po niste në Tiranë.

Kur u njoftua dy -tre ditë më vonë nga Blendi Gonxhe, Edi Rama, siç ka dëshmuar vetë më vonë, qe bërë helm përballë hilesë së destinit. Kishte javë që po përgatiste me kujdes përballjen e tij dhe të studentëve të tij me Ramiz Alinë. “E kisha menduar si një duel politik për jetë a vdekje atë takim”, më rrëfeu mua më vonë. Mendonte, me sa dukej, se vendi nuk kishte forca të tjera përveç tij dhe mbështetësve të tij për të prodhuar një ballafaqim politik antagonist si ai që kishte konceptuar. Besonte se ishte ai antagonisti i arenës dhe askush tjetër, prandaj edhe nuk kishte dyshuar mos po humbte ndonjë gjë dhe e kishte lenë vetën ta merrte rrjedha kur babaj e tij e kishte ftuar të vizitonin një kushëririn e tyre në një qytet të vogël të Greqisë. Edhe atje e kishte ndjekur shajnia e përballjes, edhe atje kishte bërë ndërhyrje dhe rregullime të tjera në planin e tij të duelit me Alinë.

Ndoshta pikërisht në orën ballafaqimit të vërtetë të Ramiz Alisë me përfaqësinë studentore, mbrëmjen e 11 dhjetorit, ai, Edi Rama kishte qenë duke u ndeshur virtualisht me Presidentin e Shqipërisë në ndonjë ballkon shtëpie të Greqisë. Fati nuk ishte mjaftuar ta dërgonte larg teatrit të ngjarjeve, por edhe e kishte përqeshur. Kur e mori vesh ç’kishte ndodhur gjatë mungesës së tij, i ishte dashur të bënte një betejë të fortë mendore për të prapësuar zulmën e flaterive që e kishin sulmuar, sikur Alia me frotën e tij e kishin larguar me kast larg Shqipërisë për të prodhuar në kulisa, atë që Rama kishte planifikuar të prodhonte në arenë.

Me të mbërritur si një fantazëm në Tiranë mbrëmjen e 13 dhjetorit, e mbajti hapin e tij të gjatë dhe frymëmarrjen e tij të rëndë pikërisht në katin e dytë të kinoklubit “Studenti” ku ishin mbledhur drejtuesit e rinj të partisë së re. Kishte një padurim t’i shihte me sy kush ishin ata…Kush ishin ata që kishin marrë rolin që ai kishte ëndërruar! Ngjarjet e kishin kaluar, kjo ishte e qartë. Por nuk mund ta kishin përjashtuar.
Mjaft prej drejtuesve të partisë se re ishin të njohurit e tij. Gramozi ose Moj, Arben Imami ose Beni, Gonxhja po se po, Preç Zogaj, poeti i grupit të trekëndshit “Zëri i Rinisë-Lidhja e Shkrimtarëve-Shtëpia Botuese “Naim Frashëri””, grup me të cilin miqtë e tij nga bota e letrave ishin në një armiqësi të ftohtë, por ç ‘rëndësi kishte sa kohë që talenti nuk u mungonte gegëve dhe toskëve të asaj bande! Kishte edhe të tjerë të njohur, me të cilët mund të shtrëngonte pa vështirësi një solidaritet miqsh. Ata që nuk i njihte, e njihnin. Por prapëseprapë nuk ndihej mirë. Indiferenca e disave e bezdiste me shumë se lutjet dhe ftesat e disa të tjerëve për t’u ulur, për t’u njohur me zhvillimet, për t’u bashkuar me nismëtarët. Arben Demeti, i heshturi që nuk lejonte t’i shpëtonte rasti më i vogël, ishte entuziazmuar nga prania e tij dhe e kishte përfshirë menjëherë, pa e pyetur, në grupin e punës për organizimin e partisë. Por Edi Ramën nuk e ngrohte që nuk e ngrohte vëmendja dhe dashamirësia e dashamirësve. Katërditëshi i mallkuar i mungesës sikur kishte hapur një humnerë mes tij dhe atyre. Ishte shumë pretencioz dhe hiqfare diplomat për të pranuar pasojën e lojës së rrethanave. Historia s’duket asgjë kur e kemi përpara dhe na bën asgjë kur na lë prapa.

Edi Rama futi këmbën në PD për të parë, fytyra e tij tradhtonte pamjen dhe nervin e një të bastisuri, sikur ata njerëz atje i kishin marrë diçka që ai e kishte lenë në ruajtje, që i përkiste, apo për ta thënë më butë, i bashkpërkiste. Vetvetiu bëri hapin tjetër brenda për të qortuar, për të provokuar …Ç’është ajo që kam dëgjuar që nuk i keni rënë ballit Ramiz Alisë! Jo vetëm nuk i keni rënë ballit, por e keni ngritur në qiell! E kujt është kjo parti që ngre në qiell sekretarin e parë të Partisë së Punës?

Nuk mund ta them a u thanë ekzakt këto fjalë apo të tjera të përafërta nga Edi Rama. Nuk mund ta them a u thanë aty, atë natë, me 13 dhjetor, apo më vonë. Po largoheshim bashkë me Arben Imamin për të dorëzuar në RTV një komunikatë shtypi, të parën në historinë e Partisë Demokratike, në të cilën do të dënonim vjedhjen dhe djegien “në emër të demokracisë” të dyqaneve në Shkodër nga një hordhi plaçkitësish. Kur dolëm nga zyra ku ishin mbledhur të gjithë anëtarët e Komisionit Nismëtar pashë Ramën afër derës duke shkëmbyer fjalë në këmbë me Gramoz Pashkon. Ishin të tendosur që të dy. Diçka nuk po shkonte mirë mes tyre.

Kur u kthyem nga RTV, mora vesh se në të ikur, pasi ishin zënë me Gramozin, Rama kishte lëshuar thagmën se Partia Demokratike nuk qenkësh parti opozitare, por thjesht një parti oponente e Partisë së Punës.
Mund të kishte paksa të drejtë në rrafshin e terminologjisë së matur që po përdornim ato ditë, por nuk kishte të drejtë në substancë. Partia Demokratike nuk ishin disa pak fjali të kujdesshme tranzicioni, që oratorët demokratë i përdornin për të nderuar kalimin pa gjakderdhje të vendit në sistemin shumëpartiak, por ishin bazat e programit të saj, në të cilin kishin gjetur shprehje parimet themelore të shoqërisë së hapur liberale dhe një qasje e re ndaj çështjes kombëtare. Edhe retorika ka kohën e saj. Ashpërsia e saj është funksionale kur përligjet me natyrën e pengesës që duhet të mposhtë. Por edhe duhet të zbutet kur pengesa zbutet apo bie. Përndryshe ajo bëhet disfunskionale, e kërkuar, e dëmshme.

Besoj se kur erdhi dhe iku duke shfryrë nga PD, Edi Rama ishte jo vetëm në inercinë e duelit të ëndërruar me Ramiz Alinë, por perceptoi pagabueshëm më thotë mendja se disa nga zotërinjtë ambiciozë të Komisionit Nismëtar ishin të gëzuar që kishte mbërritur vonë dhe nuk e donin nëpër këmbë. Ndiheshin më mirë pa karizmën, mendjemadhësinë, ironinë dhe madje edhe pa shtatlartësinë e tij prej gjigandi. Duke ndjerë në fjalët e Gramozit, i cili jo pa dinakëri ishte shtyrë “të sqarohej” pikërisht ai me Edin, se nuk kishte vend të mjaftueshëm për dy disidentë nga periferia e bllokut në kreun e partisë së parë antikomuniste të vendit, Edi Rama kishte kthyer majat nga thembrat me pamjen e dikujt që nuk po e dëbojnë, por po largohet në shenjë mospajtimi me oportunizmin ramizist të themeluesve të Partisë Demokratike.

Pas kësaj, në përputhje me këtë mëtim dhe duke dashur t’i jepte korehencë aktit të tij, ai do të fliste si një antikomunist radikal, por pa krijuar një korent apo grupim politik të kësaj fryme. Si për të provuar tezën se pinjollët rebelë të familjeve të regjimit nuk e kishin me partinë, madje as me komunizmin që i kishte privilegjuar, por me pushtetin, me luftën e kastave brenda llojit dhe se radikalizmi i tyre ishte parasëgjithash shprehje e një proselitizmi politik, Edi Rama do të merrte trembëdhjetë vjet më vonë teseren e Partisë Socialiste ish komuniste dhe do të zgjidhej edhe kryetar i saj.

*Shkëputur nga libri i publicistit Preç Zogaj, “FILLIMET, ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet ‘90-’92”, botuar nga UETPRESS

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular