Nga Ylli Pata
Videot që qarkullojnë mbi kumbullat groteske në hapjen e fushatës në Shkodër, ku pensionistët shpallen si e ardhmja e vendit, janë material gosipi, si batutat e Jenisherit, pasi iku nga Aleanca Madhështore.
Thelbi politik i gjendjes së PD-së në bastionin e saj historik është një letër lakmusi për të analizuar fuqinë për të rikuperuar elektoratin opozitar, apo edhe për të parë seriozitetin e një propozimi ndaj pjesës tjetër të zgjedhësve.
Shkodra në këtë rast është interesante për të krijuar një ide, pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale të 2023-shit.
Ajo që mund të shikohet qartë deri tani, është se PD në Shkodër është një missing in action, pas katastrofës elektorale të 14 majit të dy viteve më parë. E kthyer në kantier investimesh dhe me ndryshime drastike në administratë e politikat e qytetit, politika në qytetin verior nuk ka parë një opozitë reale nga Partia Demokratike e Sali Berishës. Ky vakum politik, ndoshta i natyrshëm në ditët e para të goditjes së rëndë, aktualisht nuk ka sens.
Në Shkodër, përpos impaktit pozitiv në përgjithësi për punën e kryebashkiakut Benet Beci, ka natyrisht kritika dhe zëra që janë natyrshëm kundr rrymës për zhvillime, projekte, e natyrisht emërime në administratë apo kupolën politike atje.
Zëra që shtrohen në rrjete, diskutime, mediat lokale, apo edhe në debate të ndryshme në mjediset e qytetit. Por deri më sot PD nuk ka qenë askund për të kapur pozicionin e opozitës. Gjasat janë se kjo ndodh nga kompleksi se mos mzhoranca e sulmon, e këtu payshim që do ta bëjë, se ku ka qenë në 30 vjet që ka qeverisur qytetin.
Por ky kompleks nuk duhet ta ndalojë një parti për të dhn zërin e vet, si dhe për të përfaqësuar atë të qytetarëve. Pse se bën PD këtë në Shkodër? Sepse në realitet, partia e Sali Berishës nuk ekziston politikisht pas humbjes së 2023-shit.
Dhe vitrina politike më e qartë është lista për deputetë. Një listë që nëse shikohet nga larg apo nga lart, është krejt e re. Një zhvillim në dukje i pritshëm dhe pozitiv. Po të shikosh si listën e mbyllur, ashtu edhe listën e hapur të PD-së në Shkodër, janë individë që nuk kanë qenë pjesë e politikës si shtetërore ashtu edhe partiake në të shkuarën.
Në dukje është zhvillim pozitiv, por çështja shtrohet se a ka qenë vullnet politik një listë rioshe në SHkodër, apo jemi në një New beginning pas tabula rasa të dy viteve më parë?
Për të krijuar një panoramë pak më të qartë mjafton të shikosh listën e Lulzim Bashës në Shkodër. Basha ka të paktën tre kryetarë të rëndësishëm historikë të Partisë Demokratike si kandidatë për deputet. Eshtë Xhevdet Amuli, një nga themeluesit e PD-së, i cili drejtoi partinë ngjatë luftës së Berishës, e ndaloi uzurpimin e degës me forcë. Është Ramiz Çobaj, kryetari pas 2013-s, i cili ka qenë edhe deputet i PD-së, është Arben Gjuraj, një nga krerët më të rëndësishëm të PD-së dhe njësive vendore në territor, përkatësisht në zonën e nënshkodrës, si dhe Anton Koka, i cili ka qenë drejtues në zonën e Malësisë së Madhe.
Në aspektin politik të lidhjes në territor, PD e ka humbur degën e vjetër, e kjo u pa edhe në rezultatin e 2014. Ndërkaq, konfigurimi i ri në qarkun verior vjen më shumë nga një katapultim nga lart, sesa si një organizim territorial në qytet dhe zonat që e përbëjnë qarkun. Në realitet situata e Shkodrës është për partinë e Berishës në çdo pjesë të Shqipërisë, duke nisur nga Tirana. Edhe pse ka arritur të ketë pjesën më të madhe të votuesve, PD nuk është përpjekur për të bashkuar demokratët siç është thënë shpesh. Por vetëm për të ristartuar karrierat e besnikëve të doktorit.
Nejse gjithsesi gjithçka do të tregohet në votimet e 11 majit, se sa mundet të rikuperohet vota e mbështetësve të vjetër, e cila 2 vit më parë u thye fort. Por vitrina politike e prezantimit të këtij konfigurimi, është një tregues i kësaj situate.