NIKOLETA KOVAÇI/ “Një shef krimesh në Elbasan më kërkonte 10 mijë euro për të më dhënë informacion në lidhje me vendndodhjen e Talo Çelës”.
Kështu ka thënë mes rrëfimeve të shumta të ditës së djeshme Nuredin Dumani, teksa ka vijuar të hedhë dritë mbi krimet e kryera prej tij dhe vrasësve të tjerë, që herë funksionin si grup e pastaj gjurmonin njëri-tjetrin ta ekzekutonin. Në fakt, një qasje e tillë ishte edhe prita që iu ngrit në hyrje të Elbasanit Nuredin Dumanit, teksa kishte marrë rrugën nga Fieri për të realizuar vrasjen e Elton Kilës, sipas tij për llogari të Suel Çelës.
Dumani, në cilësinë e të penduarit, status që e ka fituar prej shumë kohësh, ka treguar detaje që s’janë thënë më herët në lidhje me atë moment, që teksa priste informacion për vendndodhjen e Kilës, ai ra vetë në pritë. Sërish, edhe dje, ai ia ka faturuar atë pritë Talo Çelës, madje ka shkuar deri atje sa i tha avokates së Altin Ndocit, se drejtuesi i mjetit të atentatorëve dukej si Talo Çela.
Dumani, teksa ka folur rreth atentatit, largimit për në Fier, mjekimit, arrestimit, i ka thënë Gjykatës së Posaçme se nuk pranoi t’u deklarohej prokurorit të Elbasanit, kryepolicit të Elbasanit dhe atij të Tiranës. Ai tha se, “ata ishin të korruptuar, ndaj refuzova të jap deklarime për ta”.
Po ashtu, ai tregoi se ekzekutimin e Kilës e kërkonte Suel Çela, ndërsa nuk e përjashtoi njohjen me shënjestrën e vet, që për fatin e tij nuk e kapi dot: “Po e njoh, madje edhe kemi ndenjur bashkë”!
DËSHMIA
“Më 2019-ën një shef krimesh në Elbasan që Henrik Hoxha e kishte shok, më jepte informacione për Talo Çelën. Shefin ma prezantoi Henriku, ai kërkonte 10 mijë euro në muaj”, – tha Dumani. Nuredin Dumani u arrestua më 29 mars 2022, vetëm pak orë pasi i shpëtoi një atentati, kohë kur ishte nisur për të kryer një të tillë ndaj Oti Kilës së Elbasanit, vrasje e porositur nga një emër i njohur i botës së krimit në këtë qytet.
“Suel Çela ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës. Ditën e ngjarjes isha vetëm në makinë, kur u qëllova. Më qëlluan nga mbrapa. Më pas u ula te sedilja e pasagjerit në makinën X5. Oti Kilën e njihja personalisht, kam ndenjur me atë bashkë me vëllain tim. I kemi shitur një makinë dhe i kemi blerë një makinë. Autorët që më qëlluan nuk i kam njohur, pasi ishin të maskuar. Vetëm nga trupi, shoferi më është dukur si Talo Çela. Një ditë para ngjarjes – dëshmon mbi tentativën për të vrarë Otin – bleva një kallashnikov dhe silenciator në Fier, Sandër Baho më njohu me shitësin. Ditën e ngjarjes kisha mitraloz me 200 fishekë dhe një kallashnikov. Mitralozin ma dha çuni i xhaxhait tim. Makinën për ngjarjen e bleva rreth 5-6 mijë euro, me thanë që ishte e vjedhur në Greqi, por nuk e di. Kur jam arrestuar më çuan në Spitalin e Fierit, isha i plagosur. Pastaj shkova në Spitalin Ushtarak. Tre persona, Ardian Çipa, Tonin Vocaj dhe Kreshnik Ajazi erdhën të më takonin. Pas arrestimit, deklarimet e para i kam bërë të Spitali i Burgut”, – tha Dumani.
I pyetur nga avokatët në seancë nëse ishte marrë në pyetje në Policinë apo Prokurorinë e Elbasanit pas arrestimit, Nuredin Dumani tha: “Nuk u kam kthyer përgjigje të korruptuarve”.