HomeTe tjera“Nga Burreli na çuan në burgun e Vlorës, ku së bashku me...

“Nga Burreli na çuan në burgun e Vlorës, ku së bashku me disa shokë rrahëm disa të burgosur spiunë”- Kujtimet e ish-ballistit: Ishin venë në shërbim të Sigurimit të Shtetit dhe…

spot_img

Nga Petrit Velaj/ Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, si pa kuptuar na rrëmbyen dallgët e Luftës Antifashiste. Ne ishim bashkë-shokë shkolle, si djem qyteti, unë, Bajram Tushi, Hajredin Bylyshi, Hiqmet Buzi, Mumin Selami (Kallarati). Mes ëndrrave e dëshirave e romanizmit të letërsisë. Me këta miq të mi, më lidhin shumë kujtime. Prindërit tanë, nënat tona, njerëz të ndershëm e bujarë. Një nënë patriote, mama Tina e Tol Arapit, patriotit të njohur, na mblidhte rreth vetes si klloçka zogjtë. Ishte mëma e shokut tim të rinisë, që ne e quanim: “lulja e rinisë vlonjate”, Vllas Arapit. Këtë epitet, më duket se Vllasit ia vuri Mumin Kallarati. Unë shoqërohesha me çdo mik e shok, që ishte i ndershëm dhe i sinqertë.

Kjo na bashkonte në shoqërinë tonë me bashkëmoshatarët: Hazis Sharra, Qemal Xhyheri, Xhemil Beqo etj. Edhe pse mendimet ishin të ndryshme, ne shkonim së bashku në piknikë, lodra dhe kinema. Një mbledhje në shtëpinë e Lef Sallatës. Papritur në shoqërinë tonë shpërthyen mendime të politizuara. Debati u ndez me të riun revolucionar, Kastriot Muço. Ishte njeri i ndershëm. Pas katër a pesë ditëve, Kastrioti më thotë: “Petrit, kur do ta bësh mbledhjen e rinisë në lagjen Çerekçie? Në aktivin e qytetit, je zgjedhur përgjegjës i grupit të rinisë së lagjes”.  Pas disa ditëve organizuam mbledhjen e rinisë në lagjen “Çerekçie”.

Na përplasën nëpër biruca dhe disa i rrahën e i sakatosën. Nëntori i vitit 1952. M’u kujtua një këngë popullore për flamurin dhe Ismail Qemalin: Në Vlorë foli prefekti, moj Vlor-o Kanino, po vjen Smaili nga deti, është i gjalle a i sëmurë, ka mbush’ duart me flamurë!

Në burg kisha mësuar edhe një vjershe të bukur të At Pjetër Meshkallës. E recitova një ditë në dhomë mes shokëve të burgut: “Un jam Shqiptar!/ A e njihni ju flamurin/ Këtë flamur shenjt/ qi para del kuq e zi?/ Kto bojna t’bukura bajn’ me ditë arbënori/ se t’parët e mi kanë dekun në Liri./ Mbi shkrepa t’malit – në fushë e arë/ Shqiptar un jam – e due me ken shqiptar”!

Pas tre muajsh përsëri nga Ministria e Brendshme na thirrën në oborrin e burgut. Kësaj radhe rreshtimi ynë u bë për ne kampe punë. 1953…1956 ndërtime… kanale, Tiranë… Tirana e Re, … Tërbufi??? Në vitin 1957 transferuan në burgun e Vlorës. S’kaluan dy tre jave dhe aty së bashku me disa shokë, rrahëm disa spiunë, të cilët ishin me ne të burgosur, por ishin venë prej kohësh në shërbim të Sigurimit të Shtetit.

Shqetësime të tilla kishim qysh në burgun e Burrelit. Na kishte ardhur shpirti në majë të hundës me ta. Bisedat që bënim në kohën e lire, i transmetonin në kanalet e tyre. Për shkak të rrahjes se tyre ne organizatorët, mua dhe Ceno Çaushin nga Hekali, na transferuan përsëri në Burgun e Burrelit, në izolim.

Izolimi na u be në çdo qeli me vete. Na u ndaluan edhe takimet e ushqimet nga shtëpia. Një ditë në qeli, na erdhi “një kafshë me fytyrë njeriu”. E quanin Luftar Jaho Bolena. Mbaja mend se vëllain e tij, Faslli Jahon që e kisha mik e kishin pushkatuar shokët e Luftarit në vitin 1945. Ai na thirri dhe na kërcënoi: “Edhe kockat do t’ua bluajmë, në qoftë se ju diskreditoni elementët tanë informative”. Zoti e deshi që pas gjashtë muajsh izolim, unë dhe Ceno Çaushi dolëm gjallë, të bërë kockë e lëkurë, nga keqtrajtimi.

Sipas rregullit të burgut në kësi rastesh, kaluam në një vizitë mjekësore tek mjeku i lirë për burgun e Burrelit, zoti Qazim Bakalli. Sa herë lindte nevoja për vizita të tilla, ai thirrej nga komanda e burgut. U gëzova kur e pashë, pse vëllain e tij, Emin Bakallin, ish nxënësin e shkollës Teknike të Harri Fultz-it e kisha mik dhe bashkëvuajtës. Doktori fisnik e bujar, kur më pa mua dhe Ceno Çaushin i erdhi shumë keq. Me një nervozizëm të brendshëm, shënoi mbi kartelë: “Të përjashtohen nga kampet e punës”.

Sa herë binte biseda për doktor Qazim Bakallin, shumë të burgosur lavdëronin humanizmin dhe bujarinë e tij. Ai shërbente në spitalin civil të Burrelit dhe shpesh kursente nga barnat e atij spitali, apo blinte edhe vetë nëpër farmacitë e Burrelit e të Tiranës, vetëm e vetëm të ndihmonte të sëmurët e burgut të Burrelit. Shumë lehtë mund ta dallojë opozicionin e tij ndaj Komandës së burgut, kur rekomandonte transferimin e të burgosurve, për në spitalin e Tiranës.

Mirë e thoshte Patër Marshkalla: “Ket’ njeri na e ka pru’ i madhi zot, me ndihmue të burgosurit në hallet e veta”! Shumë prej nesh, të cilët kemi qenë në gjendje të rende shëndetësore, na ka mbajtur në këtë jetë, vetëm doktor Qazimi. Me kujtohet një ditë: me thirri në infermieri dhe duke me vizituar, me zë të ulet doktor Qazimi me tha: “Megjithatë vuajtjet e mëdha që po heq, nuk ke ndonjë sëmundje të madhe në trup. Veçse, unë po shënoj këtu një diagnozë, për t’i paraprirë punëve të rënda në kampet e punës”! Kështu ai bëri edhe me të burgosur të tjerë. Në burgun e Burrelit, vazhdimisht vinin burgosur të tjerë.

Në burgun e Burrelit, vazhdimisht vinin kontingjent të reja të burgosurish nga burgjet e tjerë të vendit: Vlora, Berati, Shkodra, Tirana si dhe kampet e përqendrimit; Varibobë, Thumanë, Zadrimë, Shtyllas, Maliq, Spaç, Bulqizë, Tepelenë…! Ndërmjet atyre kontingjenteve kam parasysh të riun ezmer Musa Sina, nga Peshkopia e Dibrës, të cilit pasi i kishin vrarë babain, e kishin dënuar me 25 vjet, në burgun e Burrelit. Me mbushte me humor edhe Dilaver Premti, i biri i atdhetarit Rrapo Meto – Premti, nga Vranishti i Vlorës.

E kisha njohur nga afër xha Rrapon. E vranë komunistët në vitin 1943, sepse ishte njeriu me me influencë në Lumin e Vlorës. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, kisha dëgjuar shumë histori për burrërinë e Rrapo Metos, në krahinën e Mesaplikut dhe Kurveleshit e Poshtëm. Edhe të birin Dilaverin, e dënuan me dhjetë vjet burg. Ishte vetëm 15 vjeç, kur e burgosën. Aty u dënuan përsëri, gjoja, për organizim me burg të një grupi kundër pushtetit popullor, së bashku me Maliq Koshenen, Bego Gjonzenelin, Hamdi Gjonin, Pirro Xhezon, Dervish Hodon, Petref Agajn, të cilët u dënuan me pushkatim.

Meqenëse Dilaveri ishte në moshë të vogël, u dënua vetëm dhjetë vjet. Dilaveri mbajti një qëndrim burrëror, nëpër burgje e kampe. Nuk e ndihmonte njeri, pse siç me thoshte, në fshat kishte vetëm nënën plakë, e cila po rriste dy vëllezërit e tij më të vegjël. Në shoqërinë tonë ishte edhe i riu smokthinjot Myfit Malaj, trim dhe i pamposhtur ndaj diktaturës komuniste. Më tregonte se e kishin rrethuar në arrati, milicët e Gani Vajzës. Së bashku me Sali Azemin. Saliun e pushkatuan, kurse Myfitin, meqenëse ishte i vogël, e dënuan me 25 vjet.

Në burg ishte dhe i vëllai, Eqerem Malaj. Midis të burgosurve të tjerë, zura mik edhe djaloshin 14 vjeçar, Selman Pazon nga Vranishti i Vlorës. Ishte fare fëmijë. E pyeta një ditë se ç’kishte bërë. Më tha: “Isha çoban me dhi në malet e Vranishtit. Më akuzuan se, duke vështruar përtej nga deti ku dukeshin ishujt e Greqisë, gjoja do të arratisesha për në Greqi. Të të them të drejtën, more vëlla, kur me arrestuan, për herë të parë pashë Vlorën time të dashur, për të cilën me kishin folur me aq zjarr babai dhe gjyshi. E pashë Vlorën duarlidhur siç me zbritën nga Vranishti.”

Të rrëqethnin rrëfimet të tilla. Nuk më hiqen nga mendja as tregimet e mikut tim nga Verzhezha e Skraparit, Jaçe Kapllanit. Familja e tij ishte denbabaden me tradita të mëdha atdhetare në këtë krahinë të vendit. I kishin pushkatuar dy vëllezër. Me parimin e luftës së klasave, të kësaj murtaje komuniste, me thoshte se: “Edhe qentë e macet e fisit tim i shfarosen. Nuk ta them me shaka. Kur të kthehem nga burgu, nuk di ku të shkoj…”!

Kështu kishte ndodhur edhe me mikun e shokun tim të fëmijërisë, Burim Kokoshin. Kur u ri-dënua, të gjithë të burgosurit thoshin se ai u dënua për ndershmërinë e tij të madhe. Në akt-akuzë shkruhej: “Si pinjoll i fisit të Kokoshajve, vendi yt është mes prangave”. Burim Kokoshi i urtë, stoik e studios e përballoi burgun e Burrelit me ndershmëri. Më thoshte se ishte në gjendje ekonomike të rëndë, pse konfiskimi i shtëpisë i kishte përfshirë edhe macen qe e donte shumë. “I kishte pëlqyer oficerit të Sigurimit të Shtetit. E mori në trastë dhe iku…”!

Unë si familje e vjetër vlonjate, mund të them se Vlora nuk mund të kuptohet pa Kokoshajt dhe Kokoshajt nuk mund të kujtohen pa Vlorën. Një fis autokton, me qëndrim atdhetar të paktën këta 2-3 shekujt e fundit. Nga gjiri i këtij fisi kanë dale atdhetare e intelektuale të mëdhenj. Vetëm kjo familje kaloi një kalvar të vërtet të ferrit komunist: U pushkatua Abdi Kokoshi, juristi i njohur i vendit, e vranë Meto Kokoshin, e dënuan me vdekje Kudret Kokoshin e Engjell Kokoshin, me burgim të gjatë atdhetarin e njohur vlonjat, Qazim Kokoshin…!

Dhe ja tani në burg ishin edhe Burim Kokoshi e, juristi Fatosh Kokoshi. Bashkë me fisin Kokoshaj, Vlora krenohet edhe me fisin binjak të tij: Sharrajt. Të njëjtin fat patën edhe këta. Ceno Sharra, vaditi me gjak rrugët e Durrësit, kundër rebelëve të Haxhi Qamilit. Dora e krimineleve goditi edhe Azis Sharren, i cili u vra prej tyre në rrugët e Vlorës. Muharrem Sharra u pushkatua në vitin 1945, ndërsa inxhinieri Abdyl Sharra, edhe me litar në gryke thirri: “Rroftë Shqiptaria”, tri herë.

Unë vetë e Abdurrahman Kreshta, iu përkushtuam një vit. Ai rënkonte e lëngonte gjatë. Pas 7-8 muajsh vdiq. I kishte lënë amanet të motrës, që kur të dilnim nga burgu, të vinte e të na falënderonte, për shërbimin qe i kishim bërë. Në ferrin e Burrelit, kam njohur shumë të tjerë, midis të cilëve nuk mund të lë jashtë kujtimeve të mia, edhe djemtë e atdhetarit të legjislatorit Hasan Dosti. Sapo u lirua nga burgu djali i Hasanit, Viktor Dosti, Sigurimi i Shtetit menjëherë arrestoi dhe burgosi të dy vëllezërit: Tomorr Dosti e Leka Dosti. I njoha nga afër në burgun e Burrelit dhe kampet e punës.

Ishin dy të rinj të dënuar nën akuzën: “Tentativë arratisjeje”. Temperamentë të kundërt, por me një karakter të përbashkët. Tomorri impulsiv e sanguin, ndërsa Leka tepër flegmatik dhe i urtë. Qe në takimin e parë, shprehnin njerzillëkun e tyre të madh dhe kulturën atdhetare qe mbartnin. Më ka bërë shumë përshtypje sa ata vuanin ekonomikisht. Nuk kishin njerëz që t’i ndiqnin pas. Ndihmë ekonomike nuk pranonin nga askush, qoftë edhe nga në miqtë e tyre të ngushtë. Kishin kryer vetëm gjimnazin. Gjatë kohës së burgut mësuan gjuhë të huaja dhe lexonin pareshtur autorë të letërsisë Europiane.

Si një vegim i bukur i jetës së burgut, më shfaqen portretet e klerikëve fetare. Në burgun e Burrelit kam njohur Afiz Ali Krajen, e klerit islamik, si dhe Baba Barjamin e sektit Bektashian. Ndera nga Kleri Orthodoks, midis priftërinjve të shumtë, me vezullojnë figurat e mëdha të patriotizmit e Klerit Orthodoks shqiptar, Hirësia e tij, Imzot Vissarion Xhuvani. E kam njohur në kushte të rënda të izolimit të burgut të Burrelit. Me një kulture universale.

Më mbante afër e në kohën e lirë, më rrëfente shumë nga jeta e tij, për mbrojtjen e Kishës Autoqefale Shqiptare, për Imzot Nolin, Luigj Gurakuqin, Lef Nosin e atdhetare të tjerë. Me kujtohet kjo rrëfenje me mikun e tij Luigj Gurakuqin.

Në vitin 1924, hirësia e tij Vissarion Xhuvani ishte kryetar i Parlamentit Shqiptar të kryesuar prej Fan Nolit. Një ditë, në fjalën e vet Luigji nxehet dhe e tepron pak, duke dale jashtë temës. Vissarion Xhuvani, në detyrën e kryetarit, i drejtohet Gurakuqit me këto fjalë: “…Pusho, more kastravec, mjaft me ato debatet e tua”! Pas pushimit të zakonshëm deputetët kthehen në sallë. Disa kërkojnë nga Hirësia, t’i kërkoje falje Luigj Gurakuqit, për fyerjet që i kishte bërë.

Dhe Hirësia e tij, çohet dhe duke iu drejtuar sallës, u thotë: “Zoti Luigj Gurakuqi ju kërkoj ndjesë dhe fyerjet që i bana, i marr pas”. Në këtë çast është ngritur Luigji dhe i thotë: “Hirësi, ju faleminderit për qortimin që i bëtë ndërgjegjes suaj, duke thënë se; fyerjet q’i më batë, i muerrt pas’. Po kastravecin që më akuzuat”?!… Hirësia, duke e prere shkurt muhabetin, përgjigjet: “Edhe kastravecin e marr pas”! Dhe vazhdoi t’ia jepte fjalën dikujt tjetër. Gjithë salla kishte qeshur. Atëhere e kishte kuptuar lapsusin Hirësia…!

Për një kohë të gjatë në burgun e Burrelit, kam qenë në një dhomë me të. Herë-herë krijoheshin çaste humori. Kur po largohej nga burgu Hirësia Vissarion Xhuvani, pse i bëri vitet e dënimit, u përshëndet me të gjithë ne. I fundit përqafohet me të profesor Mihal Zallari. Kishin qenë miq familjar. Duke u përshëndetur mbeti me gjatë me të, duke i përqendruar më mirë sytë tek ai. U kthye nga ne e na tha: “Mbeçi me shëndet. U pjekshim shëndoshë në një jetë të lire…”!

Dhe, duke u larguar, shpërtheu në vaj. Mirëpo, në këtë kohë, Xhevdet Kapshtica, që shfrytëzonte rastet për të bërë humor, i drejtohet profesor Zallarit: “Profesor, përse kur u nda hirësia t’i nguli sytë aq gjatë dhe shpërtheu në vaj”? Zallari ia ktheu: “Xhevdet, Hirësia e tij, ka dashuruar tmerrësisht gjyshen time. Meqenëse unë i ngjaj asaj, atij iu faneps gjyshja dhe ia dha vajit…”! Të gjithë qeshëm me gjithë zemër. Në burgun e Burrelit, u njoha e u miqësova edhe me korifeun e Klerik Katolik, Patër Pjetër Mëshkalla.

Burrë i imët, me nofulla të dala, ballët të vegjël, sy zhbirues. Të folurit e tij ishin të ngadalshëm, sikur vinin nga thellësia e viteve. Përveç teologjisë e filozofisë, kishte edhe një kulture tradicionale europiane. Kjo figure klerikale na qëndronte pranë, si një shenjtor që kishte zbritur në burgun e Burrelit, për t’i dhënë pak dritë shpirtit tonë të copëtuar nga torturat. Padër Pjetër Mëshkalla ishte njeri që dinte pse vuante, por për përkushtimin e tij fetar, dinte edhe të vdiste. Aty nga viti 1948, na erdhi në burg Bedri Spahiu. Na mblodhën në oborr dhe sapo filloi, dikush ja pret fjalën: “Marre për ty o këlysh sllavi, që flet kështu për gratë e motrat tona dhe të tuat. Ishallah, kjo që thua të mbiftë në derë për vuajtje, e jo për turp…”.

Dhe me të vërtetë, pas ca kohe, kur Bedri Spahiu u fut në burg si “armik i Partisë dhe popullit”, e shoqja i fshinte rrugët e Elbasanit. “U grinda me Haxhi Lleshin e Beqir Ballukun, sepse i kundërshtova për varfërinë që përjetonte populli shqiptar”, na tha Bedriu. Patër Mëshkalla, bënte ç’ishte e mundur, për të më ndihmuar me ndonjë send nëpërmjet sportelit të birucës. Një ditë, nga racioni i tij më solli një copë bukë. Roja e kapi. Komanda e burgut e dënoi me një muaj izolim; ashtu si dhe mua. U dënova me një muaj izolim.

Patër Mëshkalla ishte shumë bujar. Ushqimet e veshjet qe i dërgonin ithtarët katolikë nga qytetet e fshatra të vendit, i shpërndante ndër të burgosurit e tjerë. Me kujtohet se një ditë, binte dëbore. Ishin ditë të ftohta. Kishim dale në mëngjes në oborr. Duke më parë mes të burgosurve të tjerë, më thërret e më thotë: “Petrit, i ftohti dhe e keqja na xuni, u banë bashkë. I madhi zot do t’na ndihmojë, me dalë qi këndej gjallë e me selamet…”!

Mbas dite të ftohtit ishte shtuar edhe më shumë. Ma bëri me dorë dhe më thirri mënjanë. Me thotë: “Urno, merre këtë fanelle leshi. Aty asht edhe benevrekë i leshit. I tash vishi. Kështu ka urdhnue i madhi zot…! Due me t’pa vedë qi i ke veshë, se kështu qetohem…”! Në burgun e Burrelit u miqësova edhe me shumë bashkëpunëtore të Padër Mëshkallës, sidomos me Dom Shtjefën Kurtin e Dom Gjergj Bicin. Dom Shtjefen Kurti ishte një burrë i bëshëm, i pashëm e fisnik. Fjalët e tij i dilnin prej goje, më kujtonin këngët e bukura të lahutave shqiptare, që flasin për legjendat e vëllavrasjes, gjakmarrjes…! Gjithë jetën punoi për katolicizëm dhe shqiptarizëm. Me erdhi keq kur mësova se u pushkatua në vitin 1969, me “grupin e Gurrëzit”, në Bregun e Matit.

Edhe Dom Gjergji Bici e Patër Aleks Baqli, ishin njerëz me një kulturë të gjerë kleriko-laike. Patër Aleksi më thoshte: “Petrit, ju që jini ma të rinj, u rrëfeni, more bir, këto krime të djajve të kuq”. Midis figurave të tjera fetare, në jetën e burgut, kam njohur edhe: Ndoc Vatën, Bernandin Shllakun, etj. Në burgun e Burrelit, në dhomë, për një kohe të gjatë kam patur edhe dy miqtë e mi të ngushtë: Xhevit Mehillin dhe Pelivan Azisin. Profesor Xhevit Mehilli, ishte i vëllai me nënë, i avokatit nacionalist, Skënder Muço.

Pelivan Azisi, ishte i vëllai i Azis Sako Azisit, komandantit të njësitit gueril kundër okupatoreve të vendit, gjatë Luftës Antifashiste. Xheviti ishte përbri meje me dyshek. Njeri i ndershëm, i urtë, me kulturë dhe me një qëndrim të prerë. Pelivani, njeri arsimdashës, flegmatik, i qartë në mendime. Tek e shihja qe rrinte në oborrin e burgut, gjithnjë pas zotit Arqile Tase, duke biseduar e përfituar prej bagazhit të tij kulturor dhe edukatës europiane, gëzohesha me gjithë shpirt. Të dy, profesor e nxënës, me dukeshin si filozofi i madh grek, Sokrati, me nxënësin e vetë, Alqiviadhin.

Fjalët e urta e të mençura që nxirrte Arqile Tasi prej goje, ishin për Pelivanin një maksimë. Pelivanit i pëlqenin shumë vargjet e Henlit, në poezinë “I pamposhturit”, të cilat na i citonte shpesh. Ndodhi që unë, mora përsipër fajin që beri një i burgosur tjetër, i cili ishte shumë i sëmurë. Roja e burgut më dënoi me një muaj izolim, pa xhaketë e pantallona në birucë. Ishte zakon që, pas një jave në izolim, të sillnin një batanije. Roja shkoi dhe mori batanijen tek dysheku im. Në vend të batanijes, më solli një cull, me lesh dhie. Me pyeti: “Yti është ky cull”? U përgjigja: po.

E njoha ai ishte culli i Pelivanit. Siç duket, mendova, Pelivani duke parë mbulesat e mia të dobëta, i zëvendësoi ato me cullin, i cili ishte më i ngrohtë për në biruce. S’kaluan as 3-4 ditë, dhe dikush kallëzoi që culli ishte i Pelivanit. Komanda filloi hetimin nga të dyja anët. Por, kur panë qëndrimin tonë të prerë, nuk e zgjatën shumë. Në vitet ’60-të, kur diktatori Enver Hoxha u prish me patronët e tij Rusë, ndër kampe e burgje filloi njëfarë zbutje në sjelljen me të burgosurit. Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular