Poezi nga Petrit Nika
Në këtë cikël poetik Petrit Nika ndërthur mitologjinë antike me realitetin dixhital të epokës moderne, duke krijuar një kritikë të thellë ndaj shoqërisë dhe ndikimit varfërues tek shpirti i saj nga pushteti teknologjik dhe algoritmi. Poezia shpalos një shtegtim mistik me ndalesa si në Udhën e Kryqit, ku personazhe mitologjike të njohura si Prometeu, Edipi dhe Ikarusi konfrontohen me persona realë të botës së lashtë, si Enheduana, Solomoni, Homeri, Juda Makabe e në fund edhe vetë Krishti, të cilët vijnë të përthyer në nga sfidat e reja të lidhura me botën virtuale, që e injoron rolin e tyre në histori. Nëpërmjet një ironie të theksuar dhe humorit cinik, Nika nxit lexuesin për të reflektuar mbi ndryshimet në rolin e poezisë dhe artit në një botë ku gjithçka është nën kontrollin e algoritmeve dhe mediave sociale që e shpërfillin çdo moral për klikime në rrjet. Ky është një cikël që ngre pyetje rreth vlerave të artit në kohën e konsumit të shpejtë dhe manipulimit të masave, duke e sfiduar lexuesin të reflektojë mbi ndikimin e botës dixhitale në identitetin dhe kulturën njerëzore.
Metapoezia e miteve të koduara
(Ose vetëvrasja e poezisë)
Prologu
Nëpër pyjet e betonit,
lulet plastke të Babelit flenë në sleep mode
dhe shtigjet e Trojës janë password protected,
ku Akili s’mund të depërtojë.
Ne kemi ndërtuar Arkën e Noes
në variantin e ri –
formati myth,
ku Prometeu rri në cloud i druajtur
dhe shikon në heshtje
si zjarri i tij shitet me subscription
në tregun e rraqeve të përdorura.
Ky është zëri i fundit i poetit
para se serverat të bien në maintenance.
Ndalesa e parë: Jona profet
Një balenë blu digjet në ekran,
duke kërkuar një click për t’u shpëtuar,
por ne e lëmë video buffering
se nuk kemi data për pendimin.
Njoftimet mbërrijnë si dallgë:
“Shpëtoje Jonën me një share”,
por gishtat tanë rrëshqasin tutje,
tek tutoriali:
“Si të mbijetosh në barkun kibernetik?”
Ndalesa e dytë: Edipi mbret
Algoritmi i parashikimeve na thotë:
“Do ta vrasësh të parin atë që të do.”
Dhe ne shtypim dislike në profecinë e orakullit
dhe blejmë contacts për një jetë pa prindër,
diku në një cep të botës
ku fiset dalin live në Tik Tok në zgavra baobabi.
Edipi kërkon i nervozuar në e-Albania
për të zbuluar identitetin e tij,
por dhe app-i i kërkon autorizim prindëror.
Fli tani Edip,
pafsh ëndërra me EU passport!
Ndalesa e tretë: Testi i vështirë i Jobit
Dark web-i i Zotit ka fshehur përgjigjet,
testi i tij më i vështirë s’ka si bëhet;
asnjë vijë WI-FI nuk i vjen në ndihmë,
ndërsa ne bejmë sehir në Tik Tok,
dhe kërkojmë fast track për shërim.
Një influencer na kujton se vuajtja
është thjesht një branding i keq –
nuk të ndihmon aspak,
siç thoshin romantikët oshënarë,
njëherë e një kohë.
Ndalesa e katërt: Sizifi në vend të gurit
Guri i tij është bërë NFT
dhe Sizifi tashmë rrokulliset vetë,
poshtë e lart,
lart e poshtë,
gjithë ditën,
gjithë natën,
ndërsa ne masim lëvizjen në progress bar
dhe pretendojmë se jemi të lirë.
Ndalesa e pestë: Luti në Sodomë
Kërkojmë të gjejmë një soul file në Recycle Bin…
Jemi penduar,
por tani nuk vlen më.
Zoti i Botëve është offline për momentin
dhe na ka lënë një pop-up në ekran:
“404 Të drejtët,
do ta shkatërrojnë qytetin e infektuar me cov 19!”
Ndalesa e gjashtë: Ikarusi me low battery
Ikarusi fluturon me një selfie drone,
por bateria është në 2%
dhe dielli i dërgon njoftime SOS:
“Vini re! Ekspozimi i tepërt në diell
mund të shkaktojë mbinxemje!
Vini re! Ozoni nuk funksionon!”
Ikarius nuk ia vë veshin,
por tejkalon limitet e fluturimit ajror,
për një story tragjike që do zgjasë 24 orë,
para se të rrëzohet në feed-in e harresës.
Ndalesa e shtatë: Narcisi në selfie mode
Narcisi nuk llastohet më në ujë,
por në faceapp.
Pëlqimet janë petale elektronike
që bien njëra pas tjetrës.
Ai refresh-on profilin çdo minutë,
duke u njomur nga vesa e shikimeve,
dhe pyet:
“Pas këtij filtri,
a jam unë akoma në foto?”
Vargu i tij nuk ka më echo,
përveç miratimeve nxitimthi
nga ndjekësit e tij virtualë,
të cilët e duan atë rastësisht,
dhe do ta harrojnë atë po aq rastësisht,
sapo ai të dalë pa filtra në xhunglën sociale.
Ndalesa e tetë: Solomoni i ngecur në captcha
Siguria e projektuesit është e fshehur pas
dyerve me captcha absurde.
Solomoni heziton në fillim pastaj pyet:
“A janë këto dritaret e tempullit tim,
apo thjesht një pop-up reklamash?”
Ai klikon “I am not a robot”,
por ekrani ngec tek enigma:
“Gjej dallimin mes biçikletës së parkuar
dhe kamionit në semafor!”
Një select i pamenduar mirë,
dhe captcha heziton duke mbyllur portat.
Mbreti ngelet jashtë tempullit të tij,
për një tekë dixhitale që i barazon personalitetet.
Ndalesa e nëntë: Homeri në audiobooks
Homeri është zhdukur ne abys,
po zëri i tij vjen tashmë në një audiobook
me narrator të sintetizuar pa ID.
Ai tregon për Odisenë
që navigonte në rrjete të pasigurta rreth Mesdheut
midis ad-blockers dhe reklamash të rreme.
Sirenat janë podcast-e
që nuk e ndalin këngën e qyqes kurrë.
Polifemi është një hacker i regjur,
ndërsa Telemaku djalosh i ri,
shkruan recensione me porosi për libra dalëboje
të ish oficerëve të sigurimit.
Ndalesa e dhjetë: Enheduana offline
Poetja e parë e historisë njerëzore
është offline prej mijëra vitesh.
Këngët e saj gjendeshin në një server
balte diku në Mesapotami.
Backup-i është jashtë funksionit,
por ne ende lexojmë cache files të shpirtit të saj,
me shpresë se mos gjejmë ndonjë fjalëkalim
për të hyrë në parajsën e humbur.
Njëherë ajo ishte një priftëreshë e gjallë,
por mëkati fillestar qe se ishte femër,
dhe meqë nuk u bë shenjtore,
zgjodhi të bëhej poete.
Në serverat arkivorë të civilizimit,
ruhet një file me emrin e saj:
“FirstPoet.zip”
Askush nuk e hap,
sepse është inkompatibil.
Poetja e parë mbetet një metaforë e mistike,
një draft i harruar në cloud-in e njerëzimit.
Ndalesa e njëmbëdhjetë: Juda Makabe në luftë me spam-in
Juda Makabe zbret nga pema
dhe çon një email urgjent:
“Çlirohuni nga idhujt, o popuj!”
Por thirrjet e tij përfundojnë në spam,
së bashku me ofertat për shpëtim qiellor.
Rezistenca është një newsletter
me vetëm dy abonentë aktivë:
besimi dhe dyshimi.
Juda përpiqet të bëjë qëndresë,
po tani arma e tij është një Google calendar
dhe kyçja është mark as read.
Kjo është pasqyrë e luftës në xhunglat kibernetike,
një betejë për vëmendje –
pa shpata –
vetëm me click-e.
Ndalesa e dymbëdhjetë: Krishti në status away
Kohët e fundit thonë se
Krishti është shfaqur në një status away,
me një auto-reply që do të thotë:
“Jam jashtë varrit,
por nuk mund t’ju përgjigjem për momentin.”
Përgjigjja erdhi të tretën ditë –
pas të tretës ditë – me delay,
sepse serveri i ringjalljes është mbingarkuar
në këtë kohë pashkësh.
Ne bëjmë refresh faqen e tij
dhe pyesim:
“A do të ketë update të ri për Pashkë?”
Përgjigja vjen si një fragment kodi,
e shkruar në një palimpsest shumë të përdorur,
ku download-ohen pesë shkronjat e para të fjalës:
APOKALIPS
Epilogu:
Pra,
kjo është drama jonë dixhitale –
një jetë virtuale me algoritme pashpirt,
një poezi e vetëvrarë
nga neglizhenca e një klikimi.
Mitet janë të koduara të gjitha,
dhe asnjë password nuk mund të na çojë më
në Jerusalemin e dikurshëm të dritës.
Olimpi nuk ka më ndriçim,
por vetëm një refleks të shuar,
si dritat e Bathores në vitin 1999.
Në këtë Tokë të Shkretë,
poezia dhe mitet janë kryqi mbi varreza
dhe nëntë muzat –
murgesha obese,
që thonë Ave Maria -an e fundit.
Cigarja e fundit
Dita ra por stresi rri ende pezull në ajër –
ditë e gjatë dhe ecejaket më kanë drobitur.
Më ka ngelur vetëm një cigare,
si ushtari i fundit pas një beteje të humbur,
si një dorë që kërkon ku të mbahet nëpër terr,
por gjen vetëm hijen e deformuar të vetvetes.
E ndez dhe kaloj ditën në retrospektivë:
Telefoni përsëri heshti gjithë ditën,
rruga në pluhur të prajtë nuk e solli imazhin tënd,
qielli pranveror, herë kthjellej, herë ngrysej,
një diell që kërkonte ku të mbështetej,
me rreze si kompas që shkon kuturu,
pa pikë, pa plan.
Tani po e mbaroj dhe cigaren e fundit,
të vetmin kujtim ngushëllues të një dite të bjerrë,
si një shpresë që kthehet në asgjë.
Shoh tymin si humbet,
në ajrin e një nate që nuk më llogarit,
si dikush që kalon aty pari me duart në xhepa,
pa t’i hedhur sytë.
Dhe kur bishti mbaron,
nuk e hedh ta shkel fort siç bëjnë bohemët,
por e mbaj në gishta,
si një mik në grahma që nuk e ndihmon dot të vdesë,
si ditët e mia që digjen ngadalë,
pa zhurmë, pa lavdi, pa fund.
Dita u dergj pa zhurmë,
u shua si një qiri në erë…
Hapat reshtën,
pluhuri u preh mbi asfalt.
Tani është vonë për arsyetime,
çdo gjë bëhet fluide dhe zhbëhet në errësirë.
Rishkrimi i vetevetes
Qyteti zvarritet si gjarpër me dhëmbë të thyer,
pështyn mbi rrugë neon dhe hëna pi dritën e zbehtë,
pijanecët trokasin fort gotat mbi tryezën e zhyer,
mushkëritë e tyre me vrima nikotine bëjnë festë.
Rrëkëllej verën e dielltë me vështrimin mbi mur,
ku koha ka lënë gjurmët si harta rrugësh pa emra,
dhe rrudhat në ballë më djegin kur e kur,
teksa një lot baret në rrugë tatëpjetë për tek zemra.
Pareshtur e rishkruaj vetveten me ngjyrë të zbehtë,
me gishtat e mpirë që rrëshqasin mbi hipertekst,
edhe pse ky qytet m’u kthye në një ferr të vërtetë,
nuk i vë faj, se fillova të hiqesha me të madh si poet.
Dikush qan ngjitur te dritarja me xham të cimbisur,
nën strehën e lagësht ku dikë priti aq gjatë,
tani është koha ta lë përgjysmë gotën time të krisur,
të lëkundem si shajni rrugëve nëpër natë.