Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi mbrëmjen e djeshme Tiranën, pasi katër persona mbetën të plagosur në një atentat.
Katër të plagosurit janë, dy kushërinj djali dhe nipi i pronarit të kompanisë “Pelikani Security”, shoku i dy kushërinjve dhe shoferi i kompanisë “Pelikani” dhe familjes Demiraj.
Pasditen e djeshme katër të rinjtë ka shkuar në Pjezë të Shijakut për të festuar te pista ku bëhen gara argëtuese te “Arena Karting Albania” sepse 11-vjeçari D.Demiraj kishte ditëlindjen.
Në Pjezë kanë shkuar djali dhe nipi i pronarit të kompanisë private “Pelikani Security” pra D.Demiraj 11 vjeç (që kishte ditëlindjen) dhe M.Demiraj 17 vjeç dhe bashkë me ta edhe shoku i tyre Kian Mullahi, i cili studion në Londër dhe sapo ishte kthyer në vendin tonë një ditë para ngjarjes për Pashkët, pasi prej vitesh studion jashtë. Tre të rinjtë janë shokë me njëri-tjetrin pasi janë edhe komshinj prej kohësh dhe i kanë banesat në Lundër ngjitur me njëri-tjetrin te Rolling Hills. Tre të rinjtë i ka çuar në Pjezë shoferi i familjes dhe pronarit të “Pelikani Security” me makinën e familjes Demiraj në pronësi të Vesel Demiraj një G-Class me targë AB002MD.
Shoferi Arens Stafa 34-vjeç me këtë makinë i ka dërguar te pista e garave në Pjezë, ku të rinjtë do festonin dhe pasi kanë përfunduar atje janë nisur për t’u kthyer për në Tiranë në Lundër te banesat e tre të rinjvë në Lundër, ku do festonin edhe ditëlindjen e 11-vjeçarit me familjarët. Gjatë kthimit janë futur në Unazë për të dalë në Lundër dhe kur janë futur te rrethrrotullimi i Shkozës rreth orës 21 e 30 për vijuar ecjen në autostradë, në këto momente një automjet tjetër tip fuoristradë i ka zënë në pritë dhe i është afruar në ecje dhe ka nisur të qëllojnë me armë zjarri në drejtim të tyre deri te Agropark (Tregu Agro Ushqimor) ku ka qenë pika kulminante e të shtënave me armë.
Shoferi i G-Class është munduar t’i shmanget të shtënave aq sa ka mundur dhe ka arritur të çojë makinën deri në Lundër për të shkuar te banesat e tre të rinjve. Gjatë largimit automjeti si pasojë e të shtënave të shumta më armë nuk i mbanin frenat dhe janë përplasur në vendin ku u gjet makinë mbrëmë.
Aty më pas njerëz të rastësishëm që kanë kaluar në atë rrugë kanë ndaluar dhe i janë dhënë ndihmën e parë dhe makinat private me shpejtësi i kanë dërguar të katër në spitalin e Traumës pasi të katër kishin mbetur të plagosur. Familjarët e të plagosurve nuk kanë qenë në dijeni dhe janë lajmëruar nga policia rreth 1 orës pas ngjarjes. 34-vjeçari shoferi dhe 19-vjeçari Kian Mullahi ndodhen jashtë rrezikut, ndërsa 17-vjeçari në gjendje stabël, kurse 11-vjeçari në gjendje më të rënduar. 17-vjeçari dhe 19-vjeçari pasi kanë marrë mjekim në spitalin e Traumës janë dërguar në spital privat.