Nga Orjola Pampuri
Etiketimi “autikë”, nga kryeministri; një artikulim i papranueshëm dhe i rëndë, për këdo që e dëgjon, dhe shumë më shumë për prindërit e fëmijëve me autizëm që përballen çdo ditë me vështirësi, prej burokracive qe qeveria e Edi Ramës u krijon, e si të mos mjaftonte kjo, duhet të dëgjojnë dhe çmenduritë që burojnë nga deliri i një kryeministri gastor, fjalëshumë, e punë hiç.
Ndjesa nuk mjafton, për të shlyer lëndimin e atyre prindërve që përballen çdo ditë me vështirësi, shumicën e të cilave, ua krijoni vetë ju, qeveria juaj Edi Rama, e cila ka një qasje të varfër ndaj familjarëve dhe personave me çrregullim të spektrit të autizmit.
Është pikërisht kjo qeveri, e cila ka lënë në harresë nevojat që këta fëmijë dhe familjarët e tyre kanë.
Personat me çrregullim të spektrit të autizmit, nuk janë të sëmurë, ata thjesht e përjetojnë botën ndryshe. Autizmi është një mënyrë tjetër e të menduarit, ndjerë dhe komunikuar.
Paragjykimi vetëm thellon izolimin, ndërsa mbështetja, mirëkuptimi dhe pranimi ndihmojnë që ata të shprehin potencialin e tyre të plotë.
Çdo individ me autizëm ka aftësitë dhe veçantitë e veta, ata meritojnë respekt, hapësirë dhe mundësi si çdo njeri tjetër.
Nuk është e pranueshme të jesh i pandjeshëm dhe të përdorësh etiketime ndaj personave me çrregullim të spektrit të autizmit.
Empatia, respekti dhe dashamirësia janë thelbësore. Ata përballen me sfida që shumica nuk i kuptojnë, dhe pikërisht për këtë arsye meritojnë më shumë mirëkuptim, jo gjykim.
Mungesa e ndjeshmërisë jo vetëm që i lëndon, por edhe i përjashton nga një shoqëri që duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Secili prej nesh ka përgjegjësinë të kontribuojë në një botë më të drejtë, ku diversiteti neuropsikologjik pranohet dhe vlerësohet.
Ndaj etiketimi që përdor çdo person i thjeshtë, është i patolerueshëm, dhe i pafalshëm nga ana e kryeministrit, prejt të cilit kjo kategori pret mbështetje e jo përçmim apo tallje.