HomePolitikeÇyryk, fjalën tjetër… s’e them dot!/nga Ethem Aga

Çyryk, fjalën tjetër… s’e them dot!/nga Ethem Aga

spot_img

nga Ethem Aga
Jam në politikë me idenë e qartë për përmbysjen e qeverisë dhe rotacionit mëse të nevojshëm. Qëllimi është i madh, por forma që duhet të shkojë bashkë me qindra mijëra të tjerë në këtë synim, na ndan më shumë se një oqean me kundërshtarët politikë. Isha në fushatën e përditshme, në takim me banorë të Tiranës, kryesisht në zonat rurale. Me programin e PD-së në duar, shpjegoja çfarë ofron PD, si do të realizohen dhe kur do të realizohen, veçanërisht programin për pensionet minimale 200 euro, pagën minimale 500 euro dhe rrogën mesatare 1200 euro…

Papritmas lexoj: “Kush nuk voton për ne është çyryk”. Dibër, 21 prill 2025, ligjërues: kryeministri Edi Rama.

Shtanga! Marrina vijonte nga i njëjti person: “Kur më thanë se është e ndarë nga burri, u thashë: merreni, ajo na duhet”, vijoi ai në një tjetër marrinë… Salla dukej e mbushur, qeshën shumë gra. Nga shtangia kalova në dëshpërim. Edhe gra socialiste (kundërshtare politike qofshin), duartrokitën për “burrat e tyre çyrykë”, sipas ligjëruesit aspak etik.

Keqardhje ndjeva për ato gra shqiptare. Kishte edhe gra në një moshë të caktuar, që i kanë djemtë e rritur. Po ata pse qeshën? Çdo nëne po t’i fyesh djalin e t’ia quash “çyryk”, preket, reagon, e mbron me sa forcë ka, por ato qeshën. Ndoshta nga sikleti, për t’i ardhur pas avazit dikujt që atë ditë, si shumë ditë të tjera, gjuhës shqipe i “përzgjedh” fjalë që etiketojnë, stigmatizojnë dhe përjashtojnë një grup të caktuar që nuk mendojnë, e aq më pak besojnë ato që ai thotë.

Sa dhimbje. Mu dhimbsën gratë socialiste, kundërshtaret e mia politike, fundja, para se të jenë me një forcë të caktuar politike, janë nënat, motrat, vajzat tona!

Prita ca, duke qenë “i bindur” me veten se dikush do të çohej e t’ia plaste në fytyrë kryeministrit, duke i kërkuar minimalisht aty për aty të kërkonte falje që i ofendoi burrin, djalin a vëllain! Madje mund t’ia plaste edhe teserën nën këmbë dhe bashkë me të vendin e punës, por… Jo. Ato jo vetëm heshtën, por edhe qeshën.

Mos po kërkoj shumë?

Jeni të falura nga nëna, vajza, të çdo qarku në Shqipëri, por në mos reagofshi, të paktën heshtni, e assesi mos duartrokisni.

Mos po u bie në qafë këtyre zonjave, pjesa më e madhe të lidhura pas një vendi pune që për ta është buka e përditshme? Po… edhe mund të qëndrojë dhe e pranoj. Por dikujt do ia kërkoj me kaq zë sa kam, e kaq mundësi sa më jepet.

Kryeministër, “çyryk” në kuptimin e fjalës shqip ndër të tjera do të thotë: ‘njeri me cen’, ‘i metë nga trutë’.

Ajo ditë iku ashtu… Po ende shpresoja, ose të jem i drejtë, doja të ndodhte që pavarësisht gafës që në politikë quhen “pikë plus” për kundërshtarin (pra për PD-në që i besoj dhe luftoj ndershmërisht të vijë në pushtet), më mirë thashë: s’i dua ato pikë, sesa më vlen ideja që të mos besoj se kreu i një qeverie ka kaq shumë ligësi.

Mendova me vete se çdo paçavure e nxjerrë nga goja e një njeriu, qoftë ky edhe një piktor që bën me kohë të pjesshme edhe kryeministrin, ka kohë për reflektim, ose thirrje të rradakes (meqë i pëlqejnë frazat popullore).

Dita e dytë, pas fyerjes dhe stigmatizimit “çyryk”. Po, ai “i thirri” ndërgjegjes së humbur me kohë (ku sado që e kërkon nuk e gjen), dhe “reflektoi”, duke dalë lakuriq në mendime, por edhe ofrues për ta parë lakuriq fizikisht.

Disa adoleshentë, për fat të keq edhe të mitur, rrethuan për ta dëgjuar në një takim në Kavajë kryeministrin Edi Rama, krah së cilit qëndronte edhe një ish-kryeministër, Pandeli Majko.

“Futuni në Google, dhe kërkoni Edi Rama nudo” – tha ai për veten…!

Të rinj, të reja, të mitur dhe të mitura qeshën, bashkë me të “rriturin” ish-kryeministër! Nuk dija çfarë epiteti t’i vendos, shih e rishih disa herë atë deklaratë të ndyrë me aktor kryesor kryeministrin. Tmerr. Sa më shumë e shihja dhe lexoja nëpër media, aq më shumë më acarohej shpirti.

Po si mundet që të nxisësh fëmijë e adoleshentë të kërkojnë nga telefoni i tyre lakuriqësinë e kryeministrit?

Pyetje pa përgjigje, kur vetë aktori kryesor klloun, për më shumë piktor, nuk njeh tre ngjyra në faqen e tij: as skuqjen, as zverdhjen, e as nxirjen!

Prita shoqata dhe organizata të dilnin me ndonjë qëndrim. Hiç edhe ata.

“Mëse normale deklarata e kryeministrit” – thonin ofiqarët, ministra, deputetë e kandidatë për deputetë të PS-së.

Dita e tretë… Këtu nuk kam fjalë, ndaj me vështirësi po ia kaloj fjalën atij… “Kush shkon pas kënetës është autik” – e tha ai, por më falni ju që po e rithem atë që nuk duhej kurrë ta thoshte.

Autik – kjo është fjala që nuk e them dot, të paktën në titull, sepse nuk dua të lëndoj, nuk dua të prek dhe nuk dua që çdo prind, vëlla, motër e farefis që jetojnë me një fëmijë me autizëm të bëjë pyetjen:

“Në ç’vend jetoj? Kujt ia kemi besuar qeverisjen e vendit?”

Akoma më rëndë: “Kur mos kem frymë, në dorën e kujt do e lë fëmijën tim?”

Këtë deklaratë fort të rëndë, që s’ka dhe’ që mban, e gur që e pranon, e tha paraditen e së martës. As brerje ndërgjegjeje, as moral, as dinjitet, e sigurisht hiç njerëzillëk.

Në darkë vonë, kur mësoi se qindra mijëra shqiptarë reaguan, sidomos në rrjetet sociale, njeriu i lig u fut në aktrim si “personazh i prekur”. Në një shfaqje dukshëm pa ndjesi, duke i folur kameras së pashpirt, synoi që ndjesën e shtirur ta përçonte shpirtërisht te njerëzit që ishin prekur nga përdorimi diskriminues për personat me aftësi ndryshe.

Pa dashur të bëj aspak psikologun: kur bëhet një gabim “pa dashje”, siç u justifikua ai, falja bëhet menjëherë pasi diçka thuhet, jo të presësh orë e orë të tëra dhe kur mëson që ka reagim masiv kundër nga qytetarët, atëherë të kujtohesh të kërkosh ndjesë.

Je në fundin e mandatit të tretë, por dita e tretë të marrinës, jo vetëm të fjalës, por të shpirtit, mendësisë dhe sjelljes, s’ta fal dot, as do ta falim dot.

Mjafton edhe ajo fjalë e ditës së tretë për të të dhënë fund politikisht më 11 maj, që do të jetë fundi yt i mandatit të tretë, pa pasur më asnjë mundësi rikthimi!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular