Barcelona dhe Reali i Madridit do të ndajnë sonte në mbrëmje Kupën e Spanjës në finalen që do të luhet në Sevilje. Do të jetë hera e tetë në histori që dy gjigantët spanjollë do të ndajnë trofeun e dytë më të rëndësishëm në Spanjë.Shtatë finalet e mëparshme në Kupën e Spanjës/Kupën e Mbretit mes Realit të Madridit dhe Barcelonës (nga viti 1936 deri në vitin 2014) kanë prodhuar të gjitha llojet e anekdotave dhe ngjarjeve që kanë hyrë në histori. Gazeta “Marca” ka krijuar një alfabet të këtyre “El Clasico”, nga “A” në “Z”. Në këtë përmbledhje, për të mos humbur logjikën e informacionit të publikuar nga gazeta spanjolle, do të gjeni emërtimet origjinale në spanjisht të përshtatura me shqipen.
A – Autobusi. Reali i Madridit u paraqit në “Cibeles” (një nga sheshet e Madridit ku zakonisht Reali feston fitimin e trofeve) në të njëjtën mbrëmje me finalen vullkanike të “Copa del Rey” në vitin 2011 të fituar në “Mestalla” (Valencia). Në krye të autobusit lojtarët treguan trofeun. Serxhio Ramos hodhi trofeun, që ra në asfalt dhe u përplas nga automjeti. E shtypur dhe e deformuar, ajo u bë një pjesë muzeale.
B – Bejl – Uellsiani shënoi një gol legjendar në finalen e vitit 2014 në Valencia. Në galop që sigloi golin e 2-1. Ai përshkoi 58 metra me një shpejtësi mesatare prej 27 km/h, përpara se të mposhte Pinton.
C- Corte de mangas (prerja e mëngëve) – Janë përjetuar dy shumë të përsëritura. I pari ishte ai i Shuster, një lojtar i Barçës, në finalen e 1983 në “La Romareda”, pas golit të Markos Alonso. E dyta, nga Pepe, në “Mestalla”, në finalen e vitit 2011, kur ai shkoi në këndore për të festuar golin e Kristiano Ronaldos në kohën shtesë.
D – Divino (Hyjnori) – Pseudonimi i Rikardo Zamora. “El Divino” (Hyjnori) mbrojti portën e Realit të Madridit në finalen e vitit 1936, të luajtur në “Mestalla”. Një pritje e tij pas gjuajtjes nga Eskola bëri që ai të largohej si hero nga fusha.
E – Eugenio – Shënuesi i golit të parë në një finale kupe mes dy skuadrave. Ai shënoi golin e fitores 1-0 të Realit në finalen e vitit 1936. Finalja e “Copa de la República” kundër Barcelonës ishte ndeshja e tij e fundit si futbollist.
F – Fernandez – Sulmuesi uruguaian që luajti me Barcelonën në finalen e vitit 1936. Enrike Fernandez Viola, pasi vari këpucët, drejtoi Barcelonën (1947-50) dhe Madridin (1953-54). Nën drejtimin e tij, të dyja skuadrat arritën të shpalleshin kampione në La Liga.
G – Gento – Është pothuajse e pabesueshme që një rekord po aq brutal sa ai i Gentos të mos shohë një finale të Kupës në fushë kundër Barçës. Në eventin e vitit 1968, kapiteni pësoi një dëmtim të ligamentit në gjurin e majtë.
H – Horario (Orari) – Finalja e vitit 1983 u luajt në një orë të pazakontë, në orën 22:15. Nuk ishte ora e planifikuar fillimisht, por u ndryshua për shkak të një ngjarjeje historike: skuadra spanjolle e basketbollit kishte arritur në finalen e Kampionatit Evropian kundër Italisë dhe ndeshja ishte planifikuar të fillonte në orën 20:30. U nisën negociatat, duke përfshirë edhe familjen mbretërore, dhe ndryshimi u finalizua në mënyrë që të mos kishte mbivendosje.
I – Iphone (Ajfon) – Telefoni që Serxhio Ramos përdori për t’i bërë një videotelefonatë Heses nga dhoma e zhveshjes në Valencia për t’i kushtuar atij fitoren në finalen e Kupës së Mbretit në vitin 2014.
J – Jordi Pujol – Barça e trajtoi finalen e vitit 1983 si diçka më shumë se një lojë. Një vizitë në “Camp Nou” u organizua nga Jordi Pujol, president i Generalitat (qeveria katalanase), për të inkurajuar lojtarët përpara udhëtimit të tyre në Saragozë.
K – Kilo (Kile). Një “kile”, një milion peseta, ishte çmimi i caktuar nga Hoze Luis Nunjez për secilin lojtar nëse ata fitonin finalen e 1983 në “La Romareda”. Reali i asaj kohe, shumë më i përmbajtur, kishte parashikuar 400,000 peseta për çdo lojtar.
L – Luis Milla – Mesfushori ishte organizatori i skuadrës së Johan Krojfit derisa negociatat për rinovimin e tij me Barçën u ndërprenë. Para finales së 1990-ës, ai ishte jashtë planeve të holandezit dhe përjashtimin e ka justifikuar gjithmonë me arsye të ndryshme. Krojfi la Millan jashtë skuadrës për finalen e vitit 1990. Disa muaj më vonë ai do të nënshkruante për Realin.
M – Maradona – Finalja e vitit 1983 ishte finalja e vetme e Kupës për argjentinasin kundër Realit të Madridit. Ishte një ngjarje plot tension. Po atë javë, ai u sulmua dhe u kërcënua nga një grup tifozësh të Barcelonës jashtë “Camp Nou”.
N – Narcis de Karreras – Presidenti i Barcelonës në finalen e 1968-ës në “Bernabéu”. Ai e kishte mbajtur këtë post për disa muaj më parë. I lodhur nga lufta e brendshme në klub, ai dha dorëheqjen nga posti i tij në vitin 1969. Ai ishte themeluesi i asaj që Barça krenohet sot “mas que un club”, “më shumë se një klub”.
O – Objekti – Finalja e vitit 1990 mbahet mend për incidentet e trishtueshme. Në fund të ndeshjes, teksa blaugranat po festonin titullin, një objekt i rënë nga tribuna goditi Zubizarretën në kokë, duke i shkaktuar gjakderdhje.
P – Pirri – Legjenda e gjallë e Realit ishte protagonist në finalen e 1968-ës. Në minutat e para, pas një përplasjeje me Eladio, ai u rrëzua keq dhe pësoi një dislokim të klavikulës. Në atë kohë nuk kishte asnjë zëvendësim dhe atij iu kërkua të tërhiqej. Pirri nuk pranoi dhe e luajti të gjithë ndeshjen me krahun e fashuar.
Q – Quinonces – Së bashku me Ciriacon dhe Zamora, Jasinto Kinonses formoi një treshe që u recitua përmendsh në librat e historisë. Mbrojtësi fitoi Kupën e vitit 1936. Ai ishte një nga lojtarët që u kthye për të luajtur për Madridin pas përfundimit të Luftës Civile.
R – Robo (Vjedhja) – Qendërmbrojtësit të Realit, Zunzunegi, iu vodh makina disa ditë para finales së vitit 1968. Automjeti, një “Seat Coupé”, ishte parkuar në rrugë përpara se të kalonte në duar të tjera.
S – Servicio militar (Shërbimi ushtarak)- Ushtria popullore luajti rol edhe në finalet e Kupës. Te “Los Blancos”, Migel Perez shërbeu shërbimin e tij ushtarak në Vajadolid dhe iu dha leja për të luajtur në finalen e Kupës. Te Barça, Reksah kreu shërbimin ushtarak në Girona. Të dy mundën të luanin në finale.
T – Televizion – Finalja e vitit 2014 tërhoqi vëmendjen e medias. Dyzet kanale televizive transmetuan një ngjarje të shikuar universalisht në të gjithë botën.
U – Usain Bolt – Legjenda e shpejtësisë, një tifoz i Realit të Madridit, i cili u impresionua nga goli i Bale në finalen e 2014, vlerësoi ecurinë e uellsianit në “Mestalla”, duke deklaruar “golin që çdo sprinter do të ëndërronte”.
V – Viaje (Udhëtimi) – Aventura që Rinus Mishels përjetoi në qershor 1974 kur u përpoq të ndërthurte rolin e trajnerit të Barcelonës me atë të trajnerit të Holandës në Kupën e Botës. Aq sa finalja e Kupës 1974 u luajt më 29 qershor dhe një ditë më vonë kombëtarja holandeze luajti kundër RDGJ-së në raundin e dytë të Kupës së Botës. Holandezi udhëtoi për në “Calderón” dhe pas ndeshjes u kthye në Gjermani me një avion të marrë me qira nga disa biznesmenë nga vendi i tij.